Europa është në sprintin final

Europa është në sprintin final. Mungojnë vetëm pak javë që kampionatet më të rëndësishme në kontinentin e vjetër të ulin siparin për edicionin futbollistik 2016-2017. Shumë dilema janë zgjidhur, por ka edhe nga ato liga që fatet e titullit kampion do të vendosen vetëm në ndeshjet e fundit. Në Spanjë, është Barcelona që kryeson me pikë të barbarta me Realin e Madridit, por në krahasim me blaugranat Los Blancos kanë një ndeshje më shumë për të luajtur pikërisht sfidën e prapambetur ndaj Celta Vigos dhe titulli i La Ligas është plotësisht në dorë të skuadrës së Zidane, me Realin që do t’i mjaftonte të merrte 7 pikë në këto 3 ndeshje për të fituar një trofe që i mungon që nga sezoni 2011-2012. Në Champions League ka siguruar kualifikimin edhe Atletico e Madridit, ndërsa është shumë pranë edhe Sevilla. Përsa i përket golashënuesit më të mirë të kampionatit spanjoll Messi kryeson klasfikimin me 35 finalizime.
Në Angli, Chelsea i Antonio Contes në 3 ndeshjet e fundit ka nevojë për vetëm një fitore për t’u shpallur kampion. Suksesi i Bluve të Londrës ndaj Middlesborough, që u shoqërua me humbjen e Tottenhamit në derbin ndaj West Hamit, ia ka thjeshtësuar rrugën Chelsea-t. Me renditjen aktuale në Champions League do të shkojë skuadra e Pochettinos që ka siguruar kualifikimin në fazën e grupeve, ndërsa Liverpooli dhe Manchester City po rivalizojnë mes tyre për vendin e 3-të dhe 4-t, por në garë mbeten edhe United e Arsenali. Në Championship janë rrëzuar Sunderland dhe Middlesborough, ndërsa Lukaku është kryegolashënues me 24 gola. Në Itali, Juventusi me një barazim ndaj Romës ndeshjen e ardhshme do të shkruante historinë sepse do të fitonte matematikisht titullin e 6-shtë kampion radhazi. Roma me Napolin kanë siguruar pjesëmarrjen në Champions për sezonin e ardhshëm, por po diskutojnë mes tyre vendin e 2-të dhe të 3-të, ndërsa kanë rënë zyrtarisht në Serinë B, Pescara e Palermo, ndërsa rrezikon shumë dhe Crotone. Kryegolashënues është Edin Dzeko me 27 gola.
Në Gjermani Bayerni fitoi titullin e 5 radhazi, 3 javë përpara fundit ndërsa Leipzigu surpriza e këtij sezoni ka zënë vendin e dytë. Në Champions janë kualifikuar edhe Dortmundi e Hoffenheimi, por këto dy skuadra do të diskutojnë mes tyre deri në javën e fundit, vendin e 3-të, që të çon direkt në fazën e grupeve. Këpuca e Artë është një garë dyshe mes Aubameyang dhe Lewnadowskit që kanë realizuar nga 28 gola. Në Francë, Monaco ka nevojë për vetëm 1 fitore në 3 ndeshje për të rrëzuar Paris Saint Germain-in nga froni, pavarësisht se kampionët në fuqi të Ligue 1 kanë në gjirin e tyre golashënuesin më të mirë Edinson Cavanin, autorin e 33 golave. Në Rusi, Spartaku i Moskës i ish-ndihmësit të Antonio Contes, Massimo Carreras ka fituar titullin, CSKA-ja me Zenitin ndërkohë po luftojnë mes tyre për një vend në Champions.
Në Portugali, Benfica është shumë pranë mbrojtjes së titullit pasi ka 5 pikë avantazh ndaj Portos, në kualifikueset e Championsit shkon Sportingu i Lisbonës. Në Ukrainë titullin e ka fituar Shakthar Donetsk që ka lënë pas Dynamon e Kievit. Në Belgjikë Anderlechti tre javë përpara fundit ka 4 pikë avantazh ndaj Club Brugge-it. Në Turqi gara është e hapur më shumë se kurrë sepse Besiktasi që kryeson tashmë ka vetëm 2 pikë avantazh ndaj Istanbul Basaksehir dhe deri në fund janë edhe 4 javë për t’u luajtur.