90 kg drogë nga Shqipëria, arrestohet greku e shqiptarja

Policia greke thotë se, ka parandaluar hedhjen në treg të një sasie të madhe droge të ardhur nga Shqipëria. Pas arrestimit të një shtetasi grek dhe të një shqiptareje që bashkëjetonin, në Selanik, janë sekuestruar rreth 90 kg kanabis dhe më shumë se gjysmë kilogrami kokainë.
Të dy ata u arrestuan të martën, në pjesën lindore të qytetit, ndërsa po përgatiteshin të shpërndanin drogën te përdoruesit e zonës, njofton policia.
Në automjetin si dhe në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 88,9 kg kanabis. 12 kilogramë ishin të presuara në formë çokollate dhe të paketuar. U sekuestruan gjithashtu 554 gr kokainë; një lëndë e panjohur që përdoret në përpunimin e drogës; një pistoletë, 70 fishekë, 3.350 euro që konsiderohen si të përfituara nga shitja e drogës; dy peshore elektronike precizioni, pajisje për paketimin e drogës.
Të dy të arrestuarit do të dërgohen në Prokurori për t’iu komunikuar akuzat për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, shtetasja shqiptare do të akuzohet edhe për hyrje e qëndrim pa leje në Greqi, pasi nuk dispononte dokumente të rregullta.
Ndërkohë, një 38-vjeçar shqiptar si dhe një grua italiane 50-vjeçare, janë arrestuar nga policia vendase, pasi u kapën me 80 mijë euro kokainë. Dy të arrestuarit u kapën në dalje të autostradës Brescia Centro, ndërsa në makinën e tyre tip “Fiat Bravo” u gjet një sasi prej 800 gram kokainë, e mbështjellë me letër celofoni.
Lënda narkotike mendohet se sapo ishte blerë, ndërsa do të shitej në tregun me pakicë, me të cilën do të fitonin rreth 80 mijë euro apo diçka më shumë. Arrestimi i tyre është vërtetuar nga gjykatat, ndërsa janë vendosur në pritje të gjykimit. Të dy ishin të njohur për policinë për shkak të precedentëve të mëparshëm që lidhen me trafikun e drogës.