100 faqe me mashtrime, programi i shndërrimit të shqiptarëve në dele

Edi Rama tentoi dhe një herë dje të mashtronte shqiptarët në një kongres elektoral të mbledhur në Durrës, ku ripërsëriti dhe një herë gënjeshtrat e tij të vitit 2013. Avazi i përhershëm ishte dhe një herë punësimi, ku sipas asaj çfarë u thanë në atë tubim, i bie që Shqipëria të ketë dalë një herë e mirë nga harta e papunësisë. Rama me të tijët u shpreh se për katër vitet në vazhdim do të hapë dhe 220 mijë vende të tjera pune, duke e quajtur të mirëqenë faktin se ka hapur 300 mijë në mandatin e kaluar.  Duket se jo vetëm Rama, por edhe ata që e rrethojnë  janë përfshirë nga sindromi i delirit njësoj si lideri global, sa arrijnë të besojnë dhe artikulojnë çdo mashtrim që prodhohet në selinë e Kryeministrisë. Dhe ky mashtrim erdhi pikërisht një ditë më vonë kur INSTAT, që është nën kontrollin e qeverisë u shpreh se 30 përqind e rinisë, nuk janë as në punë e as në shkollë.

Çuditë e rilindjes

Në fillim broçkullën e hapjes së 220 mijë e vendeve të punës për katër vitet e ardhshme do e hidhte Erjon Braçe dhe më pas do pasohej nga Arben Ahmetaj. Maskarada ishte organizuar e tillë, që ministrat të dilnin dhe të shpalosnin 100 faqe program, që në fakt u katandisën në 3 apo katër minuta fjalim. Braçe tha se, në mandatin e parë u hapën 183 mijë vende të reja pune dhe se do hapen dhe 220 mijë të tjera. Natyrisht, dirigjimin e këtyre mashtrimeve e bënte Edi Rama, i cili më vonë u shfaq teksa sulmonte me të gjitha bateritë opozitën, dhe ku premtoi se do të na sajonte një opozitë tjetër më 18 qershor. Në të njëjtën linjë mashtrimi, do të shkonte dhe ministri i Finanacave, Arben Ahmetaj, i cili përsëriti se në katër vitet e ardhshme do të hapen 22 mijë vende pune. Pikërisht përgjegjësi për shkatërrimin e financave dhe bizneseve, firmëtari i kushedi sa sa koncesioneve dhe aferave korruptive në favor të Ramës, premtoi rritje pagash dhe pretendon se ka thithur dhe 1 miliard dollarë investime në katër vjet. Në fakt është një gënjeshtër e madhe, pasi kjo qeveri jo vetëm që nuk ka thithur, por ka përzënë investitorë. I vetmi investim që është bërë është ai i gazjellësit TAP, që u la e gatshme nga qeveria Berisha në fund të mandatit të saj, dhe vetëm vlerat e investimit të tij kap diku tek 80-90% të shifrës që pretendon Ahmetaj. Për të tjerat, përgjatë katër vjetëve të qeverisjes së atyre që flisnin dje ka pasur vetëm shkurtime të vendeve të punës dhe dhjetëra mijëra biznese të mbyllura.

Në vendin që zbrazet nga papunësia, Rama flet për parajsën e punësimit

Premtimet e Ramës vijnë në një moment, kur vetëm në vitin 2015 më shumë se 100 mijë shqiptarë kërkuan azil në vendet e Bashkimit Evropian. Ishte forca më aktive për punë. Shqipëria, një vend anëtar i NATO dhe që ka përfituar nga liberalizimi i vizave, (të dyja këto arritje gjatë qeverisjes Berisha, vlen të kujtohet), u shfaq për turp në ekranet televizive të të gjithë botës. Fëmijë që flinin në kampet e pritjes në Gjermani e gjetkë, apo të tjerë që prisnin në Francë për të kaluar La Manshe-n, ishin pamjet që u bënë të zakonshme në fillimvitin e 2015-ës. Pamjet shoqëroheshin bashkë me mbylljen e kufijve për shtetasit afganë dhe sirianë. Ky ishte nderi që Edi Rama i bëri Shqipërisë me hapjen e vendeve të reja të punës, me rritjen fantastike të ekonomisë, dhe me thithjen e investitorëve që ai pretendon. Shqipëria ndodhet në një situatë plakjeje që nuk ka ndodhur as në vitin 1997. 200 mijë persona aplikuan këtë vit për lotarinë amerikane. Të njëjtat shifra ishin dhe ato të vitit 2016, e kështu me radhë. Që nga marrja e pushtetit të Edi Ramës, shqiptarët mezi ç’presin të ikin nga ky vend. Ndërkohë në vitin 2017, kur gjërat kanë shkuar keq e mos më keq, ai sërish e merr guximin të tallet.

Asnjë fjalë për drogën

E gjithë ajo çka u pa dje në atë kongres të improvizuar nga Rama ishte një maskaradë për të bërë avokatin e dështimeve në katër vjet. Ministrat dilnin një nga një të komanduar prej Ramës, për të mbrojtur shefin e tyre. Nuk u mor vesh se kujt kërkonte dje Rama t’i tregonte sukseset, sepse shqiptarët i dinë.  Maskarada zhvillohej në kushtet, kur opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, dhe nuk u mor vesh se përpara kujt kërkonte të mbrohej Rama në atë kongres të sajuar.  Marionetat që ka për ministra, në një situatë të pakëndshme kërkonin të mbronin atë që s’mund të mbrohet. Dje, mungonin tek programi i qeverisë, Lindita Nikolla dhe Saimir Tahiri. Dy “kampionët” që Rama nuk linte moment pa u krenuar. Në fakt, ishin dy personat që me urdhër të tij njëri mbushi Shqipërinë me hashash, dhe tjetri fundosi arsimin në Shqipëri. Fare mirë, ajo që bëri Rama dje mund të quhet si kongresi i dështimit, të gjithë asaj që ai e quajti Rilindje, dhe tashmë ska as guximin ta përmendë. Mbrapa qëndronte sllogani i ri që ka zgjedhur “për një Shqipëri ndryshe”, nuk e dimë ende se çfarë ka ndërmend të bëjë më keq se kaq qeveria e Ramës.

Shëndetësia, ministrja nuk guxon t’i përmendë emrin Beqajt

Në një pozitë jo fort të këndshme ishte dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, që zëvendëson në këtë post Ilir Beqen. Në fjalën e saj, zonja Manastirliu preferoi t’i shmangej koncesioneve hajdute të dhëna nga ish-paraardhësi i saj, dhe u mundua të fokusohej në gjëra pa vlerë dhe propagandë të përgjithshme, si fraza të tilla “sot pas katër vjetësh, shëndetësia ka dalë nga gjendja e rrënuar” dhe kështu me radhë. Natyrisht, Manastirliu nuk ka si flet as për koncesionin e Chek-up prej  120 milionë eurosh, as për atë të dializës prej 80 milionë eurosh, të sterilizimit me 100 milionë të tjera dhe së fundmi dhe me koncesionin hajdut të laboratorëve me po 100 milionë euro. Janë rreth 430 milionë euro vetëm në formë koncesionesh, para të falura mund të quhen që i janë dhënë klientëve të qeverisë Rama. Në fakt është e tepërt ta mendosh se këto para nuk janë ndarë mes tyre dhe shefit të zonjës Manastirliu, por natyrisht ajo s’mund të flasë për këto. Nuk e dimë ende si do jetë ndjerë Ilir Beqja, kur nuk ka dëgjuar për sukeset e Check-up apo të dializës, që nuk u artikuluan nga ministrja e re e Shëndetësisë, e cila gjatë fjalës së saj nuk e përmendi asnjëherë të vetme emrin e tij.

Rama humb kontrollin në Kongresin e PS

Që Rama nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike u pa sidomos në dy aspekte ku ai kërkoi të përqendrohej. E gjithë skena dhe përsiatja e asaj maskarade të kujtonin kongreset e PPSH, ku folësit shprehnin dashurinë e tyre për udhëheqësin e ndritur të Partisë, dhe “fitoret” e reja që i presin. Pikërisht si në ato kongreset e PPSH, ku prezantoheshin planet 5-vjeçare dhe lançoheshin shoqet e reja që vinin nga shtresat punonjëse dhe kopoperativiste. Por, Rama ishte tjetër gjë, frazat e tij dukeshin si ato të një njeriu jashtë realitetit dhe që frika nuk di se çfarë thotë. E para ishte, thirrja e tij triumfatore se kjo do ishte fitorja më e madhe e PS në 27 vjet, në një kohë që 18 qershorit po i drejtohet i vetëm. Në rast se nuk e ka kuptuar, është afërmendsh se edhe anëtarët e Frontit Demokratik të PPSH korrnin fitore historike, zgjedhje pas zgjedhjeve, sepse nuk kishin kundërshtarë! Por pjesa ku ai u pa i rënduar psikikisht dhe me shenjta të pastra autoritarizimi, ishte momenti kur kërkonte t’i mbushte mendjen pjesëmarrësve se pas 18 qershorit do të ketë opozitë tjetër. Njeriu që ka marrë përsipër të bëjë kryeministrin duhet ta dijë se nuk është as ai as zgjedhjet farsë që ai kërkon të mbajë ato që përcaktojnë opozitën. Partia Demokratike është partia e parë opozitare në këtë vend, është lajmëtarja e parë e pluralizimit, dhe vendin e saj nuk mund ta zëvëndësojë as Partia Komuniste, as Bojaxhiu apo Bamir Topi e veglat e tjera. Në panikun e tij Rama, dita-ditës po fantazon regjime të ngjashme me ato të Koresë, apo pse jo dhe të liderit të tij shpirtëror të vdekur në vitin 1985, por duhet ta dijë se kjo gjë nuk do i lejohet. Rama nuk e ka fuqinë të rikthejë diktaturën në këtë vend, mund të tentojë të shkojë drejt zgjedhjeve farsë, mund të tentojë të asgjësojë opozitën, por të gjitha këto do të mbeten në tentativë. Në rast se gjendja e tij e rënduar psikike nuk arrin ta kuptojë, i duhet thënë se Shqipëria është shumë më e madhe se lakejtë që i vijnë rrotull apo dhe se deliri i tij. Ky vend ka 27 vjet që e ka hedhur në hendekun e fundërrinave regjimin që ngriti ati i tij shpirtëror, ku ndihmë dha edhe babai biologjik me emrin Kristaq. Nostalgjia që ka Rama, mami Aneta apo pinjollët e tjerë që ai ka mbledhur rrotull nuk janë më problem i shqiptarëve. Në rast se i mungon ati shpirtëror mund të shkojë ta vajtojë në parcelat e Sharrës, është i lirë ta bëjë. Le të mbledhë aty dhe Gramozin, Skëndërin apo Ditmirin. Por nuk është i lirë të bëjë asgjë që cenon sistemin për të cilin u vranë e përndoqën me mijëra bij të këtij vendi. Nuk është i lirë të risjellë në skenë sisteme e veprime të atij që shqiptarët tërhoqën zvarrë në vitin 1991. Dhe sa e mundur është kjo do e shohë më 18 qershor…