Ballina Editorial Si 20 Shkurti ‘91

Si 20 Shkurti ‘91

Frrok ÇUPI

Sot është 7 Maj, 26 vjet pas 20 shkurtit, kur në Tiranë u shemb monumenti i diktatorit Hoxha.
Atë ditë, kur u rrëzua ajo masë e madhe bronzi që në zhargon e quajtën ‘bust’, në fakt në atë moment ra rezistenca e ‘regjimit të fortë’. Edhe rënia e zgjedhjeve në Kavajë, që ishin caktuar për më 7 Maj, është po kaq e qartë si ‘bust’ i rënies së ‘qeverisë së fortë’.
Sa shumë vija paralele ka mes këtyre dy datave!
Më duket se shikoj Presidentin e Republikës në kohë, Alia, mbledhur sa një grusht në zyrën e tij, që priste lajme nga Qyteti i “Studentëve” ku grevistët e urisë kërkonin t’i hiqej emri Universitetit.
‘Hiqini studentët nga greva’, iu drejtua Presidenti, Azem Hajdarit, se ‘nuk ka’ zgjidhje tjetër.
‘Jo. Hiqini emrin e Universitetit!’- tha Azemi.
‘Epo, kisha vetëm një dritare të vogël nga më vinte dritë (Ramiz Alia bëri me dy gishtërinj për të treguar se hapësirë kishte), por edhe këtë ma mbyllët’, tha…. ‘Do të bëj siç di vetë’, dhe shikoi mbi tavolinë një letër të formatit presidencial. (Për këtë letër u tha më vonë se ishte ‘urdhri për gjendje shtetrrethimi’)…
Atëherë ishte një mesnatë e ftohtë… Pas dy ditësh ra ‘busti’. Që ditën e rënies së masës së madhe të bronzit sipas shëmbëlltyrës së diktatorit, komunizmi edhe pse aq ‘i fortë’ nuk mund ta ngrinte më kokën. Sikur të bëheshin ‘bashkë qielli me tokën’, sipas një betimi pagan, komunizmi nuk ngrihej dot më as në gjunjë… Kaq keq më vjen sot që erdhi  puna të bëj krahasimin me ‘rënien’ në Kavajë, por ‘qielli me tokën’ të bëhen bashkë-qeveria nuk ngrihet më, zgjedhje me këtë qeveri nuk bëhen më, ajo çfarë ishte nuk mund të jetë më… Sepse, në të dy ngjarjet ka një gjë të thjeshtë të përbashkët: “Mbreti u pa lakuriq” edhe nga më të vegjëlit e njerëzisë e jo vetëm nga ‘të mëdhenjtë’, dmth., u pa i pafuqi që të shkrepë rrufe në qiell-siç ka thënë. Në fakt ‘Mbreti Lakuriq’ vjen nga ‘mbreti i Andersenit’ që kërkonte kostumin më të bukur, por tashmë ka hyrë si ‘lakuriq’ për arsye lakonizmi. Edhe qeveria kërkonte një mandat tjetër false, por këtu ra në lakuriqësi.
Edhe në vitin ‘91 një grevë urie ‘kalamajsh’ po mbahej në Qytetin “Studenti”, ndërsa njerëzit e bllokut etj., shanin aq keq sa nuk mund ta thuash; thonin se ‘ç’janë  këta…, një grusht gangsterësh’…. Fiks si ndaj çadrës së protestës sot. Kryeministri, çdo ditë sa hap sytë, merret me çadrën, shan e fyen; dhe kjo do të thotë se …, ‘aha, iku kjo punë’. Një nga liderët e Rilindjes, edhe ky me mbiemër të frikshëm ‘Bushati’, po thërriste këto net në një ekran televiziv se ‘Hë, sa njerëz keni aty, ja njëqind, ja pesëqind… Ku qenka populli, ky?!”…  Po fiks, ore fiks si atë ditë të shkurtit 1991. ‘Populli do Partinë, por një grusht mosmirënjohës’ bënin grevë’, u tha në ligjërimet e Partisë… Këtu kanë rënë këta.
Edhe atëherë Presidenti i Republikës i kishte ‘duart e lidhura’ dhe prandaj na e bëri me shenjë se ‘kaq dritë më ka mbetur’. Thonin se e kërcënonte krahu i ‘fortë’ në kupolë, si Lenka, Simoni dhe Nexhmija. Ndërsa kryeministri aktual është identifikuar si ‘i rrethuar’ nga mania e drogës, nga trafikantët, nga interesat në ‘fushë’, nga plani për ta kthyer vendin në ‘off shore financiar’, nga projekti për të furnizuar për gjatë Perëndimin me drogë nga Shqipëria, për ta kthyer qeverisjen në ‘erdoganiste’, etj. Disa nga këto i shijojnë, por disave ua di rrezikun edhe Edi Rama, sigurisht. Por është i detyruar t’i mbrojë, derisa ‘kaq pak dritë të mbetet’. Çadra do ta shpëtojë, por sa e kupton sot!? Ky moment ka ardhur; me rrëzimin e zgjedhjeve në Kavajë ka marrë një goditje edhe ‘rrethimi’ misterioz i Edi Ramës. Tani ‘rrethimi’ alias Lenka-Simon-Nexhmije i kërkojnë zgjedhje dhe fitore ‘me 18 qershor’. Por është e qartë, sikur ‘qielli me tokën’ të bëhen bashkë, nuk mund të ketë zgjedhje më 18 qershor. Po të ndodhte, do të hapej greminë për shumë gjëra… Por nuk mund të ndodhë. A mund të ngrihej më regjimi ‘i fortë’ pas rënies së ‘bustit’!? Edhe pse u ngritën ‘Vullnetarët e Enverit’ derisa erdhën në Tiranë u shkrinë, siç shkrihet bora mbi makina që zbresin nga malet…
… More, po sa shumë ngjashmëri ka mes rënies së ‘bustit’ dhe rënies së ‘Kavajës’! Por më e bukura se ka edhe një intrigë artistike në këtë mes: Që në ditën e parë, kur Rilindja mori pushtetin, kryeministri u mor me lapidarin e Demokracisë në Kavajë. E shembi të parin dhe u detyrua të ngrejë një tjetër; mes polemikave sigurisht. Intriga: Dora dhe intuita e qeverisë, që në ditët e para, shkuan te ‘busti’ i Kavajës. Duket si një trill i vërtetë arti. Aty ku nisi, aty u kthye…

Exit mobile version