Rritja e çmimeve të ushqimeve dominoi 66% të inflacionit në prill

Rritja e çmimeve të ushqimeve ka dominuar inflacionin edhe për muajin prill të këtij viti. Sipas INSTAT, në prill 2017 ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,9%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,3%. Rritja vjetore e çmimeve në muajin prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,26 pikë përqindje. Me këtë rritje çmimet e ushqimeve kanë dominuar rreth 60 për qind të krejt inflacionit të prillit. Më tej, çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,09 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje. Krahasuar me muajin prill 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,5%, pasuar nga grupet “Transporti” me 4,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,0%, etj. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 9,8%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 6,8%, “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 4,6%, “peshk” me 4,5%, “qumësht, djathë e vezë” me 4,0%, etj. Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,4% dhe “mish” me 0,7 %. Ndryshimi mujor i indeksit është – 0,6%. Krahasuar me muajin mars 2017 ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,7%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3% etj. Rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 1,3%, pasuar nga grupet “Transporti” me 0,5%, “Komunikimi” me 0,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2 %, etj.