Prokuroria kërkon 4 vite burg për gjyqtaren Andrea

Prokuroria kërkoi dënimin me 16 vite burg në total për 5 të pandehurit e akuzuar për “korrupsion”, ku është përfshirë edhe ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Prokurori Arben Kraja, lexoi pretencën për 5 të pandehurit, duke kërkuar nga Kolegji Penal i kësaj Gjykate t’i deklarojë fajtor për akuzat e ngritura.
Për ish-gjyqtaren e kësaj Gjykate, Majlinda Andrea, Prokuroria kërkoi dënimin e saj me 4 vite burg dhe për 5 vitet e ardhshme, pas vuajtjes së dënimit, të mos ushtroi apo mbajë ndonjë funksion publik. Për bashkëshortin e saj, të pandehurin Odise Andrea, i akuzuar se ka marrë 50 mijë euro që bashkëshortja gjyqtare të jap vendimin në favor të personave që kanë paguar paratë, prokurori kërkoi dënimin e tij me 5 vite burg.
Me 4 vite heqje lirie, Prokuroria kërkoi dënimin për të pandehurin Petraq Dashi, njëherazi personi që ia ka dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 50 mijë eurove. Ndërsa për të pandehurit Ilia Çabiri, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 2 vite burg e për të pandehurën Eleni Lino dënimin me 12 muaj heqje lirie. Veç masës së dënimit, prokurori i kërkoi Kolegjit Penal të konfiskoi edhe shumën prej 50 mijë eurove që ndodhet në llogarinë bankare të bashkëshortit të ish-gjyqtares Majlinda Andrea.
Në dalje të Gjykatës asnjë prej avokatëve nuk pranoi të komentoi pretencën e Prokurorisë, siç nuk komentoi edhe vet i pandehuri Odise Andrea. Gjykata, caktoi datën 23 maj, si ditën kur të 5 të pandehurit të paraqesin mbrojtjen e tyre para Kolegjit Penal.
Sipas Prokurorisë, gjyqtarja Majlinda Andrea me ndërmjetësimin e bashkëshortit Odise Andrea ka marrë një shumë prej 50 mijë eurove nga shtetasi Petraq Dashi, që të favorizonte shtetasen Eleni Lino në vendimarrjen për njohjen si pronar të disa hektarëve tokë në zonën e Sarandës. Por, pas arrestimit të tyre, këto prona janë sekuestruar deri në sqarimin e çështjes penale.