Ballina Sport Premtimi i Bufon

Premtimi i Bufon

Xhixhi Bufon është një ndër portierët më të vlerësuar në historinë e futbollit botëror, një legjendë e mirëfilltë e katërkëndorit. Por në një karrierë me shumë trofe të fituar, edhe ai e ka një peng, të cilin mund ta shlyejë këtë vit, Ligën e Kampioneve. “Me kalimin e viteve motivimi im është bërë gjithnjë e më i fortë. Pas Barcelonës isha i lumtur, por nuk festova shumë pasi mbërrin në një pikë ku ose fiton trofe, ose provon vetëm zhgënjim. Për këtë arsye, duke parë se jam ndjerë keq shumë herë, i kam vënë si kusht vetes të mos festoj deri te fitorja.
Të ngre lart atë trofe do të thotë shumë për mua, do të ishte kënaqësia më e madhe në karrierën time futbollistike, bashkë me Botërorin 2006. Kam ëndërruar gjithmonë të fitoj Ligën e Kampioneve dhe kam qenë gjithmonë i bindur se mund t’ia dal mbanë”, tha Bufon në një intervistë për UEFA-n, një ditë para ndeshjes me Monakon.
Ai vlerëson shumë francezët dhe nuk ka sigurinë e kualifikimit në finale edhe pse bardhezinjtë kanë fituar 2-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale në transfertë. “Rreth minutës së 30 të sfidës së Monakos në fushën e Sitit, i shkrova një prej drejtuesve tanë dhe i thashë “këta mund të arrijnë në finale, janë shumë të fortë”. Kjo tregon respektin që kemi për ata.
Luajnë në mënyrë pozitive, bëjnë një futboll energjik, janë një skuadër fizike me lojtarë me cilësi dhe eksperiencë. “Për të arritur në finale duhet të kapërcejmë një pengesë të vështirë po aq sa Barcelona”, theksoi ai.
Në radhët e Monakos aktivizohen disa prej të rinjve më premtues të futbollit botëror, ndërsa Bufon, i cili ka luajtur që në vitet ’90 në nivelet më të larta, e komenton kështu përballjen e tij me këta të rinj në vitet e fundit të karrierës së tij. “Kam kaluar 3 breza me lojtarë. Kur ta mbyll, do të rishoh këta të rinjtë e viteve 2000 dhe do të më kujtohet që i kam përballur në fillimet e karrierës së tyre”, deklaroi Bufon.

Exit mobile version