Mbappe nuk dorëzohet!

Kilian Mbape nuk ka ndërmend që të dorëzohet kaq lehtë, në pritje të gjysmëfinales së kthimit kundër Juventusit. Vërtet humbja 2-0 në Montekarlo është një rezultat i keq, por në futboll përmbysjet ekzistojnë dhe sulmuesi i talentuar i Monakos karikon shokët e tij:
“Kjo fitore në kampionat na jep shumë forcë”, tha Mbape pas suksesit të së shtunës me Nansi. “Do të udhëtojmë në Torino për t’i bërë keq Juventusit, sepse personalisht shoh një forcë të madhe besimi në grup, e cila tregon se nuk kemi vdekur. Prandaj, në ‘Juventus Stadium’ do të na duhet të jemi më të egër dhe të shënojmë një gol të shpejtë, pasi kështu do t’i vinim në presion ata dhe mund ta përmbysim”, tha Mbape.
Ndërkohë, talenti francez po kërkohet nga shumë skuadra europiane. Arsenali kërkon përforcime për sezonin e ardhshëm. “Topçinjtë” kanë hedhur sytë nga talenti i Monaco, Kylian Mbappe, i cili kërkohet edhe nga Real Madrid. Sipas “Daily Mail”, skuadra e drejtuar nga Arsene Wenger, për të mposhtur konkurrencën e spanollëve është gati të derdhë në arkat e skuadrës nga principata shumën e 100 milionë eurove, gjithashtu anglezët i sigurojnë lojtarit edhe fanellën e titullarit në repartin e avancuar.