Lazio i shënon 7 gola Sampdorias

Lazio blindon vendin e katërt në Serinë A me një fitore me goleadë ndaj Sampdorias në “Olimpico”. 7-3 përfundoi ky takim, ku në listën e golashënuesve të Lazios u përfshinë plot 6 lojtarë, ndërsa Immobile realizoi dopietë. Titullar në portën e bardhekaltërve u aktivizua Thomas Strakosha, që edhe pse pësoi 3 gola bëri një paraqitje pozitive. Keita Balde shënoi që në minutën e dytë, pas infiltrimit të Milinkoviç-Saviç. Kartoni i kuq ndaj Milan Skriniar, që shkaktoi 11-metërsh, kushtëzoi vazhdimësinë e ndeshjes. Nga pika e bardhë e penalltisë nuk gaboi Ciro Immobile për golin e 2-0.
Linetty në të 32-ën ngushtoi diferencën në 2-1, ndërsa në fund të pjesës së parë, skuadra e Simone Inzaghit gjeti edhe tri herë të tjera rrugën e rrjetës me Hoedt, Anderson me 11-metërsh dhe De Vrij. Në pjesën e dytë Lazio e thelloi në 7-1 diferencën me Lulic dhe Immobilen, ndërsa Quagliarella realizoi dygolësh për Sampdorian, në një rast me 11-metërsh, për rezultatin përfundimtar 7-3.
Fiorentina arriti të barazonte 2-2 në fushën e Sassuolos në minutën e katërt shtesë, ndërsa nga minuta e 72-të luajti me një lojtar më pak pasi Rodriguez mori karton të kuq. Në të 33-tën Kaliniç humbi një 11-metërsh për Fiorentinën, gjithsesi katër minuta më pas Chiesa i dha avantazhin skuadrës vjollcë. Penalltinë e shkaktuar nga Rodriguez në të 72-ën e shndërroi në gol Politano, ndërsa Imello realizoi me kokë të dytin në të 86-ën. Edhe pse në inferioritet numerik Fiorentina gjeti forca për të shmangur humbjen duke barazuar me Bernardeschin në limitet e shtesës.
Sfida e Friulit mes Udineses dhe Atalantas u mbyll në barazim 1-1. Në pjesën e parë shënoi Cristante për bregamaskët, por në Perica në të 53-ën arriti ta mposhtte Etrit Berishën vetëm në tentativën e dytë.
Një dygolësh i Edin Dzekos dhe finalizimet e Stephan El Shaarawy-t dhe Daniele de Rossit me 11-metërsh në pjesën e dytë kthyen te fitorja Romën në transfertën e “San Siros” me Milanin, që sikurse Interi konfirmoi krizën e futbollit milanez në javën e fundit. 1-4 për verdhekuqtë përfundoi ky takim, rezultat që i ringjit kryeqytetasit në vendin e dytë, me një pikë më shumë se Napoli dhe 7 më pak se Juventusi kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundit. Dzeko i shërbyer nga Salah shënoi golin e parë që në minutën e tetë, me një gjuajtje të befasishme thuajse nga vija e 16 metrave.
Sulmuesi boshnjak realizoi të dytin personal 20 minuta më vonë pas një këndoreje të ekzekutuar nga Paredes. Në pjesën e dytë Pasaliç në shtyllën e dytë shkurtoi përkohësisht diferencën, pasi El Sharaawy dhe më pas Daniele de Rossi me 11-metërsh vulosën rezultat përfundimtar 1-4.