Kosovë, qeveria nis demarkacionin nëse i mbijeton mocionit

Qeveria e Kosovës ka shtyrë procedimin në Kuvend të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Në një komunikatë për mediat, thuhet se pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë, që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, të adresojë me prioritet dhe përkushtim të plotë çështjen e Ratifikimit të Kufirit Shtetëror me Malin e Zi, si një prej vendimeve më të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, theksohet në komunikatë.
Marrëveshja ishte paralajmëruar të dërgohet për ratifikim në Kuvend, në javën kur ligjvënësit pritet të votojnë mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë aktuale.
Marrëveshja për demarkacionin po kundërshtohet ashpër nga opozita, si dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet, me pretendimet se nëse ratifikohet si e tillë, përmes saj Kosova do të humbte mbi 8 mijë hektarë tokë.
Gjendja e krijuar me demarkacionin, por edhe në raportet mes partnerëve të koalicionit, është shqyrtuar në një takim të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arban Abrashi tha se çështja e demarkacionit do të paraqitet në qeveri dhe Kuvend pas të mërkurës, më 10 maj, kur do të votohet për mocionin e opozitës.
“Besojmë që mocioni nuk kalon dhe është me rëndësi që më pas të ratifikohet demarkacioni dhe të bëhet liberalizimi i vizave, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm brenda 90 ditëve”, ka thënë Abrashi.
Shtyrja e procedimit të demarkacionit, nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje është cilësuar si dëshmi se qeveria nuk e ka mbështetjen në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes. Sipas Vetëvendosjes, marrëveshja është e dëmshme dhe do të kundërshtohet fuqishëm nga opozita.
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se marrëveshja aktuale e cenon tërësinë territoriale të Kosovës dhe se ajo, sipas tij, është marrëveshje e vdekur.
“Kjo qeveri e Republikës së Kosovës tash e dy vite, me kokëfortësinë e vet, asnjëherë nuk ndërmori asnjë hap për ta sanuar marrëveshjen për demarkacion. Është dashur që ta rinegociojmë atë me Malin e Zi, që ta krijojmë një proces hetimor të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të tregohet qartë e vërteta për marrëveshjen për demarkacion se si erdhi ajo dhe pse u tentua t’i falet ajo pjesë e tokës së Kosovës, Malit të Zi dhe në këtë mënyrë ta bëjmë një shënjim të duhur dhe të drejtë të kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Ymeri.
Një tentativë paraprake për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ishte shënuar edhe më 1 shtator të vitit të kaluar. Por, atë ditë, koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ndërkohë që edhe gjendja e sigurisë qe përkeqësuar, çka e kishte detyruar kryeministrin Isa Mustafa ta tërhiqte ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi.
Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa qeveria po përgatitet të procedojë për herë të dytë demarkacionin në Kuvend, opozita ka deponuar të premten një mocion me nënshkrimet e 42 deputetëve, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshirë edhe ato në pushtet për rrëzimin e qeverisë aktuale.
Mocioni për rrëzimin e qeverisë është caktuar të votohet më 10 maj.