Kanabisi “pushton” bregdetin në Fier dhe Kavajë

Kanabisi ka ‘pushtuar’ bregdetin e Darëzezës në Fier në orët e pasdites së dielë. Lajmi konfirmohet nga banorë të fshatit, të cilët përveçse pohojnë se era e fortë e kanabisit i ka ‘mbytur’, por kanë ofruar edhe fotografi. Sipas burimeve nga Darëzeza mësohet se, përgjatë bregdetit dallgët kanë sjellë në breg sasi të mëdha kanabisi. Dyshohet se deti mund të ketë sjellë pas dhe kanabis të paketuar, i cili nuk ka arritur të shkojë në destinacion.
Burime zyrtare të policisë pohuan, se ka disa ditë që situata është e tillë në Vlorë, Divjakë, por edhe në Darëzezë. Policia e Rendit në bashkëpunim me atë Kufitare në Vlorë dhe Durrës po zhvillon kontrolle të bregdetit në këmbë, por edhe në det me mjete lundruese.
Ndërkohë, një pako me kanabis u zbulua nga Policia ditën e djeshme në plazhin e Kavajës, në anë të detit. Efektivët të cilët sekuestruan lëndën narkotike, konstatuan se në pako kishte 17 kilogramë kanabis sativa. Droga ishte e lagur me ujë dhe e dëmtuar. Ndërkohë kanë nisur hetimet për të zbuluar dhe kapur autorët.
Po ashtu, në minierën e fshatit Pojskë në Pogradec, policia konstatoi një vatër zjarri me mbetje bime kanabisi. Nga kontrolli i kryer u gjetën 11.5 kg bimë kanabisi. Policia thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.