Industria e peshkut, pas kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, në vitin 2015, kuotat e eksportit u përmbushën që në tetor, ndërsa më 2016-n që në gusht.
Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet. Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Sipas zotit Babani, mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për të zgjeruar kuotat, në një kohë kur vendet e Magrebit (Afrika Veriore) mund të eksportojnë drejt Europës pa taksa.
Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti: produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge. Ky ngërç është krijuar, pasi në treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës. Zgjidhja që japin industrialistët në këtë rast është ndarja e tyre në kategori, në produkt shqiptar dhe produkt i huaj, i cili në Shqipëri ka të shtuar vetëm vlerën e punës. Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia dhe Italia, përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri dhe eksportohet në BE.