Bëhuni pjesë e konsensusit ose përballuni me popullin

Kryetari i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje dje kreut të qeverisë Rama të bëhet pjesë e konsensusit për gjetjen e një zgjidhjeje mbi krizën politike përndryshe tha ai, arroganca e pushtetit do të përballet me revoltën popullore. Nga sheshi i lirisë, ku opozita u fut në ditën e 80 të qëndresës për zgjedhje të lira dhe të ndershme kreu i PD, Basha bëri të qartë edhe një herë se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. “80 ditë qëndresë janë 80 ditë investim në shpresën e re që ka lindur. Ajo është në sytë, në shpirtrat, në zemrat tuaja dhe të çdo shqiptari të ndershëm. Republika e vjetër ka mbaruar. E reja ka lindur në shpirtrat tuaja dhe më 13 maj nisim marshimin për ta institucionalizuar, për ta bërë realitet ligjor, kushtetues, institucional, qytetar, popullor kombëtar, Republikën e re të qytetarëve shqiptarë. E dimë fare mirë, që bisha e plagosur në fund fare, ulërin më shumë. Krimi dhe droga kanë arsye për të ulëritur, sepse, nëse Republika e re ka vend për këdo, madje edhe për Edi Ramën e penduar, për krimin dhe drogën s’ka vend dhe nuk do të ketë vend. Por Edi Rama dhe çeta e tij politike që në këto katër vite i shërbeu vetëm axhendës së vet politike dhe pasurore dhe asnjë ditë axhendës tuaj, asnjë ditë halleve dhe probleme të shqiptarëve, asnjë ditë punësimit, arsimit, shëndetësisë, ta mendojë mirë hapin tjetër që hedh. Jeni jashtë ligjit, jeni jashtë moralit, jeni jashtë politikës dhe si të tillë do të trajtoheni nëse nuk tërhiqeni menjëherë. Votim monist më 18 qershor nuk do të ketë. Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga, nuk do të ketë. Ne bashkohemi për të nisur më 13 maj, themelimin e Republikës së re për çdo qytetare e qytetar shqiptar. Ne njohim dhe do të njohim vetëm këtë Republikë të re. Bëhuni pjesë e konsensusit popullor për të shembur të vjetrën, shtetin e dështuar, të korruptuar e të inkriminuar e për të ndërtuar së bashku Republikën e re. Bëhuni pjesë e konsensusit ose përballuni me popullin”, u shpreh Basha. Kreu i PD denoncoi planin kriminal të Ramës për t’iu mohuar shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur të lirë duke tentuar të shkojë drejt zgjedhjeve me vetëm një subjekt politik. Ky plan, tha Basha, parashikon asgjësimin total të zgjedhjeve. “Ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra për ditën e 80-të të bashkimit më të madh të shqiptarëve, për zgjedhje të lira dhe për Republikën e re, autorë të së cilës jeni ju qytetarë dhe qytetare, të rinj dhe të reja, autor i së cilës është populli shqiptar. Miqtë tanë të nderuar, publicistët Fitim Zekthi, opinionisti Ergys Mërtiri, nënat që folën këtu në këtë forum, studentët, Ibrahimi një nga njerëzit me të cilët Shqipëria është krenuar në arenën ndërkombëtare, një ekspert i jashtëzakonshëm, trajtuan shqetësimin e madh kombëtar të një Shqipërie pa zgjedhje, por me votime moniste. Dhe për ju të rinj që keni lindur pas viteve ’90 apo që keni lindur pak përpara viteve ’90 dhe nuk keni kujtesën historike për votimin monist, do të thotë të mos zgjedhësh dot, të mos kesh mundësi të zgjedhësh. Ky është plani kriminal i Edi Ramës, t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë me opozitën në letrën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve. Kur ju, kur ne, u ngritëm më 18 shkurt dhe ia dogjëm këtë plan orgurzi, tani plani tij kriminal është të shkojë në një palë zgjedhje të asgjësuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, vetëm me një subjekt politik, me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve dhe kriminelëve, me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite”, tha kreu i PD.

Rama destabilizoi Shqipërinë

Katër vitet e qeverisjes Rama janë historia e destabilizimit të Shqipërisë. Kreu i PD, Basha renditi dje faktorët kryesorë, si kanabizimi dhe veshja e krimit me pushtet si faktorët që destabilizuan vendin. Basha përmendi emërimin në çdo drejtori e zyrtarëve, kryebashkiakëve e deputetëve me precedentë penalë në të gjitha nivelet e qeverisjes Rama. E duke iu referuar pikërisht veshjes së krimit me pushtet, Basha kujtoi vjedhjen e zgjedhjeve lokale në Korçë apo atyre në Dibër, të cilat sot janë dëshmi për fatin e zgjedhjeve, nëse ato bëhen sërish nën qeverisjen e Ramës. “Edi Rama, ka disa ditë që flet për destablizimin e Shqipërisë. Në fakt Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë me themele në këto 4 vite. Faktorët kryesorë të destabilizimit të Shqipërisë janë krimi i ngritur në pushtet, në institucione, me deputetë kriminelë, me kryetarë bashkish kriminelë, me kryepolicë kriminelë, me doganierë kriminelë, me tatimorë kriminelë, me drejtorë kriminelë dhe me njeriun që drejton këtë ushtri krimi dhe droge, që është vetë Edi Rama, projektuesi, arkitekti, përfituesi i Shqipërisë së inkriminuar dhe të droguar. Kush i solli kriminelët në Kuvendin e Shqipërisë? Kush i solli kriminelët në krye të bashkive të Shqipërisë? Kush i solli kriminelët në Policinë e Shtetit? Kush i solli kriminelët në krye të institucioneve? Kush i solli eskobarët? Kush e mbolli Shqipërinë me drogë nga jugu në veri? Edi Rama me ushtrinë e tij të krimit, me batalionin e tij të krimit me të cilin sundoi Shqipërinë, të djathtë e të majtë, në këto 4 vite. I solli kriminelët e mbushi Shqipërinë me drogë, prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë, që nga Korça, e mbani mend apo jo? Dy muaj pasi kishte marrë pushtetin, në një situatë të vështirë për opozitën, kur ne garuam për hir të garës qytetare me një qytetar të jashtëzakonshëm, e mbani mend apo jo, me Sotiraqin?! Vetëm e vetëm për t’i dhënë demokracisë garën e ndershme, realisht dy muaj pas humbjes në nivel kombëtar dhe pas promovimit të ish-kryetarit të bashkisë si zv.kryeministër. Ajo që vlente, ishte beteja. Por jo, Edi Rama nuk u mjaftua, u filmua duke shpërndarë para për vota. Mbani mend 2015-ën si e vonoi ligjin për dekriminalizimin që të çonte Rroshin në Kavajë, Tur Bushin në Krujë, Artur Ndojin apo Bardhin, apo si të dojë, se ka nja 7 emra, në Kurbin, kandidatë me rekorde kriminale në Fushë-Arrëz, në Pukë, në Has, Tërmetin e famshëm në Tepelenë? Tërmeti, ai është shoku i Edi Ramës, ta dini, me atë krenohet Edi Rama. Unë kam krenari kur ulem e pi një kafe me Artan Fugën dhe shokët e tij, ky krenohet kur pi kafe me Tërmet Peçin, me Klement Ndonin, edhe me Gjushin, të mos harrojmë Gjushin, poliedrikun e krimit, injorancës dhe korrupsionit. Dhe pas kësaj, kur OSBE/ODIHR i tha se me këto zgjedhje ke shkatërruar besimin e shqiptarëve tek procesi elektoral, çfarë bëri, për t’iu rikthyer besimin shqiptarëve në procesin elektoral? E mbushi Shqipërinë me drogë, ia dorëzoi PS-në e Dibrës kryekriminelëve të Shqipërisë dhe futi duart edhe në zgjedhjet në Kolonjë. Sepse, Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj projekti i tij i vetëm politik ishte dhe mbetet, shkatërrimi i zgjedhjeve, diktimi i Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme, jo nga vota juaj, por nga krimi dhe droga në pushtet. Ky është plani, ky është projekti, këtë ka bërë 4 vite me radhë. E ka destabilizuar Shqipërinë, e ka shkatërruar ekonominë, ka rrënuar shëndetësinë, e ka çuar vite e dekada mbrapa arsimin, ka varfëruar shqiptarët; nga pensionistët që sot blejnë më pak me pensionin e tyre, tek biznesi i vogël që është në pikë të hallit, tek investitorët e mëdhenj shqiptarë apo të huaj që kanë filluar të gjithë njëri pas tjetrit të largohen dhe të mbyllin bizneset e tyre dhe vendet e punës në Shqipëri. Edi Rama e ka destabilizuar Shqipërinë. Ky vend që ne, të gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, e bëmë anëtare të NATO-s në vitin 2009, ky vend, sot nuk kontrollon dot as kufijtë, as territorin. Sepse kufijtë dhe territori i Shqipërisë janë nën kontrollin e krimit të organizuar, bandave të drogës dhe kupolës së korruptuar kriminale të Policisë së Shtetit, e cila s’mund të jetë gjë tjetër veçse zgjatim nga njëra anë i kriminelëve që pasurohen duke shtypur e skllavëruar shqiptarët në industrinë e drogës dhe nga ana tjetër, e pushtetit të korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës. Këta janë faktorët e destabilizimit”, tha kreu i PD.

Fundi i republikës së vjetër po afron

Basha paralajmëroi dje fundin e pashmangshëm të Republikës së vjetër. Ai tha se Edi Rama dështoi totalisht në katër vitet e qeverisjes së tij duke ndërtuar shtetin e krimit, drogës dhe eksodit të madh të shqiptarëve. “Edi Rama e ka destabilizuar Shqipërinë me themel dhe e vetmja shpresë për ta stabilizuar Shqipërinë dhe për ta çliruar Shqipërinë dhe për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e lirisë dhe demokracisë jeni ju, është kjo lëvizje popullore, është ky bashkim shqiptarësh i pathyeshëm. Në këtë gjendje të mjerë ku e ka sjellë ekonominë, në këtë destabilizim përmes krimit dhe drogës ku e ka futur Shqipërinë ai e di fare mirë se nuk ka asnjë fabul ta shpëtojë para shqiptarëve. Në traditën e etërve të tij politikë ka shpikur armikun dhe fushatën moniste për 18 qershorin do ta bëjë me armikun e shpikur, që nuk është thjesht opozita, nuk është thjesht PD, nuk jam thjesht unë, por janë gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët refuzojnë dokrrat e tij, mashtrimet e tij, justifikimet e tij për dështimin e tij total dhe qeverisjes së tij në këto 4 vite. Qeverisjen katastrofë, që ndërtoi shtetin e krimit e të drogës, shtetin e eksodit më të madh të shqiptarëve. 300 mijë shqiptarë të larguar në 4 vite të qeverisjes dhe qindra e mijëra të tjerë gati për të ikur ditën e parë, me mundësinë e parë. Kjo është arritja e Edi Ramës, 4 vite katastrofë, shkatërrim, varfëri dhe mjerim. Ai e di se çfarë e gjen atë me përballje me votë të lirë, të ndershme para qytetarëve shqiptarë. Ai e di se çfarë e gjen atë, ministrat e tij dhe kriminelët me të cilët ka lidhur fatin e vet politik, me një drejtësi vërtet të pavarur, me një veting që nuk e kontrollon ai me formulën Rama-Shullazi-Tahiri-Xhafaj, por formulën Hahn-Nuland, me gjyqtarë e prokurorë të pavarur? E di mirë, se çfarë e pret, nga drejtësia e pavarur, njeriun që ngriti krimin dhe drogën në pushtet në këto 4 vite. Plani i tij është fare i thjeshtë, t’i shmangë të dyja, as zgjedhje të mos ketë, as reformë të vërtetë në drejtësi të mos ketë. Por i ka bërë planet pa hanxhinë. Hanxhia nuk jam unë, hanxhia nuk është Partia Demokratike. Sovrani, të cilin e ke përjashtuar nga llogaria, por para të cilit do të japësh llogari shumë shpejt, është populli shqiptar. Republika e re nuk është republika vetëm e demokratëve, nuk është ideja e Lul Bashës, është thirrja e kohës, është standardi minimal që janë gati të pranojnë bijtë dhe bijat tuaja, qëndrestarë dhe luftëtarë të dhjetorit ‘90. Ju luftuat dhe sollët pluralizmin, luftuat dhe sollët liri në nivele dhe standarde të ndryshme, ne njohëm dhe prekëm funksionimin e demokracisë, por demokracinë reale, atë pjesëmarrëse, jo përfaqësuese, që e keni në dorë ju, siç e ka në dorë çdo qytetar i lirë europian, atë s’e keni pasur asnjë ditë. Kjo është ëndrra e brezit të ri. Në fakt, më shumë se ëndërr ky është ultimatumi i brezit të ri. Lum kush e kupton, mjerë kush e refuzon sepse ëndrra e rinisë nuk ndalet! Fundi i Republikës së vjetër po afron. Republika e re mban me vete një premtim të madh për çdo shqiptar, absolutisht për çdo shqiptar”, tha Basha.

Paratë e koncesioneve dhe oligarkëve do t’u kthehen shqiptarëve

Çdo qindarkë e vjedhur përmes tenderave abuzivë, koncesioneve do t’u kthehet qytetarëve e bizneseve. “Republika e re, do të thotë në radhë të parë që resurset e Shqipërisë dhe shqiptarëve, taksat e shqiptarëve, të gjitha burimet pasurore të administrohen në transparencë, në llogaridhënie totale, vetëm për shqiptarët. Kjo do të thotë se do të marrë fund ajo kastë oligarkësh, ata 5 apo 6 miliarderë në kurrizin tuaj, që fryhen si shushunja me tenderat dhe koncesionet e parave tuaja. Sepse këto koncesione do të marrin fund që orën e parë të Republikës së re. Paratë, plot 250 milionë euro vit për vit, të koncesioneve korruptive, do u kthehen shqiptarëve dhe sa më takon mua, do t’i kthehen të gjitha shtresave. Do t’u kthehen pensionistëve, të cilët në Republikën e re, do të kenë pensionin minimal, 250 mijë lekë në muaj. Ky është premtimi i Republikës së re për çdo pensionist, kjo është lufta, që ju ftoj të bashkoheni, çdo pensioniste dhe pensionist. Ato 2.8 miliardë euro të zhvatura nga buxheti i shtetit, përmes korrupsionit galopant siç e ka faktuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, do t’i kthehen çdo shtrese shoqërore, çdo grupi interesi ekonomik, social, në Shqipëri. Duke përfshirë biznesin, i cili do të ketë garancitë e klimës më konkurruese në rajon, taksën më të ulët në rajon, taksën e sheshtë 9%, që të ndezë motorët e ekonomisë, të çlirojë energjinë pozitive që e ka strukur nga frika e shtetit zuzar e të inkriminuar të Edi Ramës, të shtetit që i rri përballë me shkop, i cili në Republikën e re, do të jetë aleat i sipërmarrjes, me një funksion; të hapë vende pune për shqiptarët. Dhjetëra, qindra mijë biznese të vogla, e dinë dhe duhet ta dinë, se në Republikën e re, nuk do t’i marrë malli më për surretërit e korruptuar të taksidarëve dhe inspektorëve që u marrin shpirtin nga mëngjesi në darkë, ditë për ditë. Pulla fiskale, me shlyerjen e detyrimeve që kurrë nuk mund të tejkalojnë 1.5% të xhiros në bazë të vetëdeklarimit, siç bëhet në Europë, pulla fiskale do të pamundësojë praninë e çdo inspektori shtetëror në bizneset tuaja, përveçse, nëse vjen si klient për të blerë apo porositur, përndryshe e pret burgu nëse vjen t’u bëjë presion apo t’u marrë ryshfet. Mbi 40 mijë familje që janë hequr padrejtësisht nga ndihma ekonomike, një pjesë prej të cilëve kanë ikur në azil për të mbajtur frymën gjallë dhe mbi 70 mijë të tjerë, të cilëve shteti kriminal dhe i dështuar i Edi Ramës ua merr me fatura energjie, me taksa dhe me çmime të larta, atë që ua jep me një dorë, duhet ta dinë, se në Republikën e re, çdokush që ka nevojë për ndihmën ekonomike, në kohën që përgatitet për të gjetur punësim në ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurt që Republika e re do të ndërtojë, do ta ketë shtetin në krah. Se faturat e energjisë, deri në 300 KV dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga buxheti i shtetit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. Ku i ke paratë thotë. Pyete Vilma Nushin se ku i ke paratë? Do t’i nxjerrim paratë nga valixhet dhe kontot dhe bankat e oligarkëve dhe pushtetarëve të korruptuar dhe do t’ia kthejmë shqiptarëve, zotërve të vërtetë të tyre”, u shpreh kreu i PD.

Ata që helmojnë fëmijët me drogë, do të asgjësohen

Një program i dedikuar në mbështetje të fëmijëve dhe mbrojtjes së tyre. Basha përcolli dje shqetësimin që çdo prind ka sot në lidhje me kanabizimin e vendit dhe kërcënimin e jetës së fëmijëve dhe të rinjve me ofrimin e substancave narkotike nga trafikantët që sot lirshëm ushtrojnë aktivitetin e tyre. Kreu i PD tha se masat më të rrepta do të merren ndaj të gjithë atyre që u ofrojnë drogë fëmijëve. “Për të gjithë fëmijët shqiptarë, çdo fëmijë shqiptar, në Republikën e re do të ketë shkollën nëntëvjeçare dhe të mesme, tempullin e të ardhmes dhe të dijes, si infrastrukturë, nuk do të ketë asnjë godinë më të mirë, më të mirëpajisur në asnjë lagje të qytetit dhe në asnjë lagje të Shqipërisë, se sa shkolla e atij fshati apo qyteti. Kushte të garantuara nga ora 08.00 deri në 16.00 me drekën e paguar nga Republika e re, për çdo fëmijë shqiptar. Me mësues të çliruar nga vargonjtë e abuzivizmit, të drejtorive arsimore, që funksionojnë sot si motele dhe si banka për pushtetarët e korruptuar. Me mësues me rroga të dyfishuara. Nuk do të ketë asnjë investim më të fuqishëm të Republikës së re, se sa fëmijët e shqiptarëve. Droga do të marrë fund. Çdokush që do të kapet duke shitur apo ofruar drogë fëmijëve shqiptarë, e pret burgu i gjatë dhe i vështirë. Republika e re do të jetë e ashpër me ata që helmojnë fëmijët shqiptarë me drogë, ndaj teksa hedhim themelet e saj dhe rrëzojmë Republikën e vjetër, u bëj thirrje kriminelëve që helmojnë fëmijët e shqiptarëve: hiqni dorë sepse do të uronit të kishit litarin në fyt me atë që do t’u bëjmë nëse vazhdoni të helmoni fëmijët tanë. E zeza do t’ju pijë, do t’ju shfarosim. Policia e Republikës së re do të autorizohet të ndërmarrë të gjitha veprimet, për të trajtuar çdo person që shtrin drogën drejt fëmijëve, njësoj sikur drejton pistoletën drejt policit. Do t’iu asgjësojmë! 30 mijë lekë të vjetra për fëmijët shqiptarë, do të jetë subvencioni i drejtpërdrejtë i Republikës së re për shpresën, forcën, besimin europian, tek e ardhmja e Shqipërisë europiane, gjithçka për fëmijët e shqiptarëve, gjithçka për fëmijët tanë”, u shpreh kreu i PD.

100 milionë euro në vit subvencionim për fermerët

Fermerët shqiptarë nuk do të kenë më asnjë arsye të braktisin tokat, të therin bagëtitë, të shesin pasuritë e të nisen drejt emigracionit. Kreu i PD, Basha foli dje për një program të qartë dhe nxitës në mbështetje të fermerëve, ndërsa tha se një fond prej 100 milionë eurosh do të lëvrohet me qëllimin e vetëm, subvencionimin e fermerëve. “Nuk do të kenë më asnjë arsye, të skllavërohen në skllavërinë e drogës. Ne kemi një plan për mbështetjen totale të fermerëve. Me 1.5% të prodhimit të brendshëm bruto, 150 milionë euro në vit, nga të cilat 100 milionë euro do të përdoren për subvencione të drejtpërdrejta për çdo fermer, vetëm në bazë të prodhimit dhe 50 milionë euro të tjera do të ndihmojmë vit për vit, infrastrukturën nga rrugët tek vaditja, kullimi, tregjet që ua kanë mbyllur pushtetarët e korruptuar dhe monopolistët, të cilët Republika e re do t’i nxjerrë me gisht në gojë dhe do i hapë rrugën çdo fermeri të ndershëm, të jetojë me djersën e ballit, të krijojë mirëqenie dhe punësim për veten dhe familjen dhe ushqime cilësore me çmime të përballueshme për qytetarët shqiptarë. Sepse, dogana do të mbyllet për çdo mall të huaj që konkurron në mënyrë të pandershme prodhimet e fermerëve tanë. Shënojeni këtë. Shënojeni këtë edhe ju, atashe tregtarë në Tiranë. Prodhimet e subvencionuara të fermerëve tuaj, nuk do të konkurrojnë më kurrë prodhimet e fermerëve të mi në Shqipëri. Vetëm me tarifa doganore të ndershme, të cilat do t’i mundësojnë në radhë të parë fermerit shqiptar të shesë mundin dhe djersën e vet, vetëm në këto kushte bëhet fjalë për tregti të hapur dhe tregti të ndershme. Se që të subvencionosh fermerin e huaj dhe ta sjellin mollën, qepën, pataten me çmim konkurrues, me çmime më të ulëta se sa fermerët shqiptarë, që u bie bretku, kjo për mua nuk shkon, unë këtë nuk e pranoj. Me ndihmën dhe votën tuaj unë këtë do ta ndaloj në Republikën e re”, tha Basha.

Shfuqizim ligjit të arsimit

Shfuqizimi i ligjit të arsimit, ligj i cili favorizon pabarazinë dhe u heq të drejtën të rinjve të arsimohen është një nga vendimet e para që kreu i PD, Basha do të firmosë në qeverisjen e re. Duke u ndalur pikërisht tek ky vendim, Basha foli për pavarësinë e universiteteve, si dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në sektorin privat. “Studentët shqiptarë e dinë tashmë se, këtu tek kjo vijë e verdhë, orën e parë do të shfuqizoj ligjin për arsimin e lartë, ligjin e ndyrë të injorantëve, dallkaukëve, hajdutëve të Republikës së vjetër. Këtu do ta firmos dhe se, ligji i ri, po përgatitet nga kolosët e mendimit akademik. Me ligjin e ri, asnjë bir apo bijë shqiptari nuk do t’i privohet për arsye ekonomike, e drejta e studimeve të larta. Shteti do t’i heqë kthetrat nga menaxhimi i universiteteve. Ata do t’i menaxhojë bota akademike, së bashku me botën studentore, siç bëhet kudo ku shqiptarët duan të studiojnë. Kjo është formula e suksesit. Akademikët dhe studentët do të menaxhojnë së bashku universitetet tona. Edhe Henri me shokët e tij do të kenë një copë diell në Republikën e re. Jeni privatë, konkurroni si privatë. Po ofruat shërbimet më të mira dhe dikush do t’ua blejë me çmimet më të larta hallall, përndryshe nga sektori publik këtë do të merrni (tregon bërrylin). Mediat shqiptare, kultura shqiptare, sporti shqiptar do të kenë nga Republika e re, standardet më të larta të trajtimit përmes lirisë, përmes konkurrencës, përmes garancive, që gjithsecili prej jush të prodhojë art, të prodhojë sport, arritje, të prodhojë për artdashësit dhe sportdashësit trofetë që ky komb dhe kjo racë i ka në gjen për t’ua marrë në gara të ndershme europianëve. Këto janë realitetet e Republikës së re që po vjen. Asgjë që ju thashë sot nuk ndryshon nga standardet e Europës, drejt së cilës drejtohen mjerisht shqiptarët, për shpresën që nuk e gjejnë në vendin e tyre. Por shpresa është këtu”, u shpreh kreu i PD.

Plani i Ramës nuk kalon

Opinionistë dhe qytetarë bashkëbisedojnë në sheshin e lirisë në ditën e 80 të qëndresës për zgjedhje të lira e të ndershme. Të vendosur për t’u bashkuar në Tiranë më 13 maj në marshimin popullor.
Paraditen e 80-të në sheshin e lirisë bashkëbiseduan opinionistë, gazetarë, ekspertë dhe qytetarë për shqetësimin e rrezikut të votimeve pa zgjedhje, të përgatitura nga kjo qeveri për më 18 qershor.
Gazetari Fitim Zekthi tha se, sfida me të cilën po përballet vendi sot është pikërisht mundësia e futjes në zgjedhje të njëanshme të shumicës qeverisëse. Mënyra se si një qeveri mund të kthehet në tirani, është dëshmuar gjatë këtyre katër viteve, tha Zekthi – tani imagjinoni që kjo të jetë e vetme në qeverisjen e vendit, pa kontrollin e pushteteve dhe ‘checks and balances’, se çfarë mund të ndodhë. Fitim Zekthi argumentoi se, nëse Partia Socialiste dhe aleatët e saj, të parëndësishëm politikisht, hyjnë në zgjedhje de facto, moniste, kontrolli do të jetë i pamundur ndaj pushtetit, i cili kthehet në tirani, nëse nuk ka kufizimin nga opozita parlamentare.
Ajo që sot duket e pamundur, nesër mund të bëhet e pakontrollueshme – tha gazetari, i cili e quajti edhe më të ngutshme nevojën e kësaj proteste për zgjedhje të lira, sa kohë tirania e shumicës lihet e pakontrolluar politikisht, mediatikisht apo kur tolerohet nga vetë elita intelektuale e vendit.
Ergys Mërtiri shprehu keqardhje që qytetarët shqiptarë, edhe 27 vite pas, ende protestojnë për zgjedhje të lira, në prag të një situate, e cila duhet zgjidhur jo për interesa vetjake apo partiake, por fillimisht për hir të dinjitetit njerëzor dhe rregullave të lojës që garantojnë zgjedhjen e lirë të çdo individi. “Nuk ka rëndësi nëse je shumicë apo pakicë, pasi edhe sikur qytetarët e çadrës së protestës të ishin pakicë, e drejta është pikërisht tek përfshirja e pakicës në pushtet, në qeverisje”, tha Ergys Mërtiri.
Ai solli në vëmendje elementin monist të qeverisë Rama, i cili gjendet jo vetëm në planin e zgjedhjeve të 18 qershorit, si ato të 7 majit në Kavajë. Monizmi është jo vetëm në politikë, por edhe në biznes dhe shoqëri civile, media dhe kulturë – tha ai duke theksuar faktin se, në mediat shqiptare nuk ka më hapësira opozitare që shprehin alternativën ndaj qeverisjes aktuale. Është në dinjitetin tonë të protestojmë e të mos lejojmë të kthehemi në telajon e kryeministrit, ku çdo mendim i tij duhet t’i imponohet gjithkujt, pavarësisht nëse shoqëria mendon se është ide e dështuar, tha Ergys Mërtiri.
Eriseda Rista, nënë e dy fëmijëve, tregoi se si djali i saj 11-vjeçar kishte rënë në kontakt me të rinj që shpërndanin drogë, ndërkohë që kryeministri thotë se po bën shtet.
Anxhela Petashi dhe Aurela Kurti, studente në prag të diplomimit treguan se të rinjtë sot nuk janë më as të motivuar të kërkojnë punë, pasi punë nuk gjejnë. Pasi u përballën me refuzimin e mundësisë për të studiuar në universitete publike, për shkak të formulës së dështuar të ligjit të arsimit të lartë, tani edhe ata që përfundojnë studimet mbeten mes katër rrugëve.
Ibrahim Hackaj, ekonomist me eksperiencë shumë vjeçare deklaroi se në mënyrë që vendi të mund të përparojë në rrugën e tij europiane, Parlamenti i shqiptarëve duhet të përbëhet nga njerëz intelektualë dhe me vlera, jo nga kriminelë që nuk i kanë shërbyer këtij vendi asnjë ditë. Parlamenti është i inkriminuar, kjo do të thotë se edhe niveli i tij është i dobët, por nuk mund të shkohet me këtë Parlament, ku për hir të qasjes në Europë duhet njerëz me aftësi shkencore, tha Hackaj.
Mirlinda Çollaku me profesion juriste, është nëna e një djali 15-vjeçar të ardhmes së të cilit i trembet për shkak të modelit që fëmijëve u ofrohet sot. Më shumë se nga fjalët e mia, djali im edukohet me modelin që sheh, tha Çollaku dhe shoqëria jonë për fat të keq ka inspiruar një model ku s’ka rëndësi sa njohuri ke, por sa lidhje ke me të fortët e zonës dhe të qytetit. Juristja theksoi se këtë model, i cili shkul të ardhmen e fëmijëve nga duart e vetë prindërve, qeveria po mundohet ta zbatojë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Ne duhet të garantojmë minimumin e një shteti normal, që është vota e lirë dhe arsyeja më e madhe është instinkti mbrojtës për fëmijët tanë, tha Mirlinda Çollaku.
Lulzim Basha bëri një prezantim të gjerë se çfarë do të jetë Republika e re për të gjitha shtresat e shoqërisë, duke shpjeguar thelbin e saj, që në qendër do të jetë qytetari dhe ku çdo aset, pasuri e vendit, buxheti i shtetit, do të shkojë vetëm për nevojat e njerëzve, për krijimin e vendeve të punës, për projekte që sjellin zhvillim.
Basha tha se, qeveria në këto 4 vite ka dështuar në çdo drejtim dhe se ka funksionuar vetëm për interesat e saj dhe të oligarkëve të saj. Ndaj, qeveria kërkon me çdo kusht të kapë votën, të mos lejojë zgjedhje të lira, pasi e di mirë se do të ndëshkohet.
“Plani kriminal i Edi Ramës, është t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë të drejtë, me opozitën prezente në fletën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve. Më 18 shkurt qytetarët ia dogjën këtë plan, ndaj tani plani i tij është të shkojë në një palë zgjedhje të asgjësuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, vetëm me një subjekt politik, me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve dhe kriminelëve, me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite”, tha Basha.
Lulzim Basha i tha qytetarëve se për të mundësuar dhe institucionalizuar Republikën e re, këtë realitet të ri për qytetarët shqiptarë, më 13 maj çdo qytetar, i majtë e i djathtë, të rinj, prindër, burra dhe gra, duhet të ngrihen e të bashkohen për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.