Autobusë me nxënës nga rrethet për Ramën

Edhe në Berat janë dërguar autobusë me nxënës dhe të rinj nga qytete të tjera për të mbushur sheshin ku do të zhvillohej takim i kryeministrit Rama. Bëhet e ditur se, dhjetëra autobusë me nxënës dhe të rinj kanë ardhur në Berat nga Kuçova, Ura Vajgurore, Poliçani dhe Skrapari. Nxënësit janë detyruar nga mësuesit e tyre që të shkojnë në takimin e Ramës në Berat. Sipas burimeve, nxënësve u është premtuar se do të udhëtojnë falas me autobusë.
Urdhëri për të shkuar në takim me Ramën është dhënë nga drejtuesit e shkollave, ndërsa ka patur edhe disa nxënës që nuk kanë pranuar të shkojnë në takime elektorale, por mësuesit nuk kanë reaguar ndaj tyre.
Në të gjitha takimet që Rama ka zhvilluar me të rinjtë që votojnë për herë të parë si në Elbasan, Korçë, Kukës, Kuçovë, Lushnjë, sheshet janë mbushur me nxënës të ardhur me autobusë nga qytetet e tjera.
Drejtuesit e shkollave të mesme në të gjithë vendin, të urdhëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, po ushtrojnë presion ndaj gjimnazistëve që të shkojnë në mitingjet e Ramës. E urdhëruar nga Rama, ministrja e Arsimit, në kundërshtim me ligjin detyron mësuesit që të dërgojnë gjimnazistët në takimet e Ramës. Për çdo miting elektoral, ka një listë-prezencë ku kontrollohet nëse paraqiten apo jo në takim. Nxjerrja me detyrim e nxënësve në aktivitete elektorale është shkelje e hapur e ligjit dhe Nikolla një ditë do të përballet me ligjin.