A po shkohet drejt përplasjes së madhe?

Pas “nxehjes” me Kavajën dhe tërheqjen taktike të Ramës, opozita e bashkuar ka paralajmëruar mbajtjen e protestës më të madhe ndonjëherë në datën 13 maj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta 80 ditore e opozitës është një nga protestat model në Europë për nga qetësia dhe mesazhet paqtuese, ku opozitarët nuk ngurrojnë ta theksojnë shpesh faktin se “asnjë lule nuk është këputur”.
Parë nga retorika e opozitarëve, të cilët lënë të kuptojnë se situata nuk është aq rozë sa duket, aq më tepër ku vetë Sali Berisha dje nuk garantoi se situata nuk do të dalë jashtë kontrollit, si dhe sfida dhe provokimet prej një të krisuri që Rama vazhdon t’i bëjë opozitës, rreziku që situata të dalë vërtet jashtë kontrollit duket se është më e vërtetë se kurrë.
Në fakt, deri tani është luajtur lojë luftash. Të gjitha palët. Dhe të gjithë e kanë ditur. Ajo që ka ndryshuar në kontekstin e brendshëm javën e fundit janë disa elementë që duhet të jenë vërtet shqetësues:
I) Njerëz afër Kryeministrit kanë filluar të flasin hapur se amerikanët dhe deri diku gjermanët duan një përplasje të fortë;
II) Rama e ka kuptuar më në fund (ose duket se po e kupton) se Basha nuk po luan blofin dhe se opozita ka ndërmend t’i shkojë deri në fund përpjekjes së saj për zgjedhje siç duhet;
III) Në kushtet kur po shkohet drejt përplasjes me shpejtësi (dhe ku të dy palët i friken kësaj përplasje për shkak të paparashikueshmërisë), duket që palët janë të prirura të rrëshqasin drejt veprimeve të nxituara;
IV) Në kushtet kur të dy palëve u është mbushur mendja se “edhe ndërkombëtarët e duan këtë përplasje” secili për llogari të vet, atëherë premisat janë edhe më të mëdha. Nëse Edi Ramës i është mbushur mendja se ndërkombëtarët duan përplasje, atëherë Xhorxh Soros dhe i gjithë rrjeti i tij e duan këtë përplasje.
A janë në gjendje për një gjë të tillë? Po. E bënë në Ukrainë. Soros duhet të jetë akoma nëpër Europë, herë duke takuar Presidentin e Komisionit Europian, herë Kryeministrin italian e herë familje të fuqishme financiare. A duket si teori konspiracioni? Po.
Por në fakt, e gjithë karriera e Edi Ramës është vetë konspiracion. Edi Rama, ndryshe nga çdo politikan shqiptar dhe rajonal në afër tri dekada, ka bërë politikë të madhe. Politikë të madhe me lëndët kimike siriane, politikë të madhe me sulme të sponsorizuara kundër Donald Trump kandidat, politikë të madhe me kanabisin, politikë të madhe me mosmarrjen e refugjatëve sirianë (sepse nuk mund të bënte edhe kanabisin edhe refugjatët), politikë të madhe me projektin e Merkel për Federatën e re Ballkanike, politikë të madhe me futjen e kinezëve në sektorë strategjikë.
Të gjitha gjëra më të mëdha se vetë Edi Rama dhe Shqipëria. Si rregull, kur të japin rol të tillë, të konsiderojnë njëpërdorimsh.
E ndërsa të përdorin, përgatisin pasardhësin tënd. Prandaj, është krejt e mundshme që Edi Ramën ta shtyjnë drejt përplasjes së madhe. Siç duket Sali Berisha edhe dje nuk foli kot.

“Syri.net”