300 milionë lekë dëm ekonomik, KLSH kallëzon 4 zyrtarë të ZVRPP

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 2 ish-regjistrues, 1 jurist dhe 1 hartograf të Zyrës së Pasurive të Paluajtshme në Librazhd për shkak se gjeti shkelje të shumta dhe parregullsi të dispozitave ligjore.
Nga ky auditim rezulton se dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit kap shifrën e 300 milionë lekëve të vjetra në regjistrimin e tokave të shitura nën çmimin e tregut dhe jashtë kompetencave ligjore, dhe të ardhura të munguara në vlerën 26.6 milionë lekë.
Janë regjistruar prona me diferenca prej 825546 m2 nga VKM dhe regjistruar prona në përdorim në kundërshtim me ligjin për sipërfaqe, 4341057 m2 “Pyll” dhe 58700 m2 “Rrugë”, si dhe në posedim 44 pasuri me sipërfaqe 52051 m2 pa njoftuar organet kompetente, duke kthyer në disa raste dhe zërin kadastral “Shkëmb” në “Pemëtore”.
Janë kryer regjistrime, duke i tjetërsuar në kundërshtim me ligjin tek persona privatë nga forma “shtet”, një sipërfaqe trualli prej 14833 m2.