Pasuritë e paluajtshme

Nisma e qeverisë për të ulur për një periudhë kohore masën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, ka dhënë dhe efektin e parë negativ në buxhetin e shtetit. Kështu sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për periudhën 3-mujore, nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 7.7 miliard lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 3.8% ose 304 milionë lekë më pak se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5.2% ose 425 milionë lekë më pak se plani. Ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të ligjit të rivlerësimit në 2% nga 15% që është niveli bazë. Vetëm dy muaj më parë qeveria mori vendimin për shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive nga fundi i muajit shkurt që ishte më 31 maj të këtij viti. Kjo sipas Ministrisë së Financave, është bërë për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve. Nga të dhënat zyrtare që disponon Ministria e Financave, nga periudha 1 shtator 2016 deri më 25 mars të vitit 2017, rezulton se numri i aplikimeve për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme në total është 37 mijë, për një vlerë totale mbi 3.1 miliardë lekë. Si rezultat i uljes së tatimit nga 15% në 2%, qytetarët kanë kursyer 20.2 miliardë lekë, ose gati 200 milionë dollarë, ndërsa vlera e pronës së tyre është rritur me 155.5 miliardë lekë ose 1.5 miliardë dollarë.