Supergol i Grezdës ndaj Dinamos së Zagrebit

Një supergol ndaj Dinamos së Zagrebit për t’u treguar drejtuesve të këtij klubi se gabuan që nuk firmosën me të në merkaton e janarit. Goli i 5-të i Eros Grezdës në këtë sezon të kampionatit kroat erdhi në sfidën ndaj kampionëve në fuqi të Dinamos së Zagrebit dhe ishte një finalizim që i dha avantazhin provizor Lokomotivës, skuadrës ku luajnë 4 futbollistë shqiptarë në derbin e Zagrebit, por në fund ishte Dinamo që mori tre pikët pasi përmbysi gjithçka në 1-2. Në minutën e 5-të Grezda përfitoi nga një top i larguar jo mirë nga një mbrojtës kundërshtar dhe me një goditje me të jashtmen nuk i dha asnjë shans portierit të Dinamos, Livakoviç duke i dhënë epërsinë Lokomotivës së Zagrebit.
Festimi i Grezdës, i cili në muajin mars bëri debutimin e tij me kombëtaren shqiptare në sfidën e Palermos ndaj Italisë ishte me të vërtetë special, pasi 21-vjeçari i lindur nga Gjakovë bëri gjestin e shqiponjës. Finalizimi i Grezdës gjithsesi nuk i vlejti Lokomotivës pasi sulmuesi boshnjak Hodziç kthehu në gol dy 11-metërsha duke i dhënë fitoren Dinamos. Në këtë takim për Lokomotivën e Zagrebit u aktivizuan tre futbollistë shqiptarë pikërisht, Eros Grezda, Endri Çekiçi dhe mbrojtësi i përfaqësues së Kosovës, Amir Rrahmani, mungesa e vetme ishte ajo e Herdi Prengës.