Reus kthehet me gol

Borussia e Dortmundit blindon vendin e katërt në Bundesligë dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj Hoffenheimit për vendin e tretë që i siguron pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Championsit. Verdhezinjtë fituan 3-1 me Eintrachtin e Frankfurtit, me Marco Reus, që u rikthye me gol pas një dëmtimi të gjatë që e mbajti jashtë fushave të blerta për rreth një muaj e gjysmë.
27-vjeçari devijoi me thembër një pasim të Pulisiç që në minutën e 2-të, për golin që zhbllokoi takimin. Një goditje spektakolare e Fabian në të 29-ën përfundoi në trekëndësh, duke befasuar portierin Burki.
Sokratis në të 34-ën realizoi me instiktet e një sulmuesi një tjetër gol të bukur në këtë sfidë, ndërsa në pjesën e dytë Aubameyang, shfrytëzoi lëvizjen e zgjuar të Dembele për golin e 3-1.
Edhe dy skuadrat që gjenden sipër Borusias kanë gjetur fitoret në ndeshjet e sotme. Hofenhaim ka mundur Borusia Mynshengladbah në “festivalin e golave”, që përfundoi me rezultatin 5-3 për vendasit.
Ndërsa Lajpcigu ka kthyer më këmbë në tokë Fraiburgun e Amir Abrashit, duke e mundur me rezultatin 4-0. Mesfushori shqiptar ishte në fushë deri në minutën e 80-të të ndeshjes, duke “humbur” vetëm golin e fundit të pësuar nga skuadra e tij.