Reali fiton edhe pa Ronaldon

Reali i Madridit hedh një tjetër hap drejt titullit kampion në Spanjë. Në javën e 32-të të La Ligës, ekipi i Zidanit mori tri pikë të çmuara falë fitores 3-2 në fushën e Sporting Gijonit. Pa Kristiano Ronaldon dhe Garet Bejlin të dëmtuar, mysafirëve nga kryeqyteti iu desh të djersinin për të dalë duarplot nga përballja e sotme. Gijoni tregoi menjëherë se nuk do të ishte kockë e lehtë, kur kaloi përpara me kroatin Duje Cop në të 14-n. Megjithatë, avantazhi i të zotëve të shtëpisë nuk zgjati as tri minuta, pasi Isko riktheu baraspeshën (17’).
Skuadra vendase gjeti sërish avantazhin me Mikel Vesgan pak pas pushimit mes pjesëve (50’), por edhe këtë herë gëzimi zgjati pak. Vetëm katër minuta më pas, Alvaro Morata barazoi shifrat në 2-2.
Teksa takimi po i drejtohej fundit në baraspeshë, përsëri Isko shënoi golin e fitores në minutën e fundit të kohës së rregullt, pas një pasimi të marrë nga zëvendësimi Marselo. Me këtë sukses ekipi i Zinedin Zidanit e thellon diferencën e pikëve në krye të klasifikimit. Madrilenët tani kanë gjashtë pikë më shumë se Barcelona që në mbrëmje do të presë Sociedadin, e për më tepër Reali ka në dispozicion edhe një ndeshje të prapambetur.