Rama drekon me kriminelë, nuk reagon për vrasjen e komisarit

Ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ka bërë një rrëfim paksa ndryshe, për profilin personal të ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, që u vra në hyrje të banesës së tij në Tiranë para një jave. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kuliçaj thotë se, mos reagimi i kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm për vrasjen e një komisari policie është e turpshme dhe cinizëm. Sipas tij, Rama gjen kohë të drekojë me deputetë me të shkuar kriminale dhe nuk reagon për vrasjen e një komisari.

– Vetëm 20 minuta para se të vritej kishte komunikuar me ju në telefon?
Atë dita kisha lënë të pija një kafe me një mik tonin. Si përditë komunikoja me të. Rreth orës 20:00 u takova me mikun tim, duke folur dhe për Cukun. Pas 30 minutash mikut tim i bie telefoni. Atë e njoftojnë se vranë Cukun. Unë isha me të dhe dëgjova bisedën. Unë e  prisja në takim atë, por morëm vesh lajmin tronditës. Ai i shokuar më tha: “E vranë”. Duke e njohur Cukun nuk e besoja se mund të vritej në atë formë. Për hir të së vërtetës, ndjeva një peng të madh për të gjithë periudhën e karrierës, se si përfundon oficeri i policisë. Shkuam në vendngjarje, ku takuam kolegë të tjerë, si dhe me familjarët e tij të tronditur.

-Para se të flisnit në telefon kur e takuat?
Dy ditë më parë, më tha që drejtonte një kompani policie private. Më fliste për problematikat me konkurrencën që kishte. Ishin shqetësime normale, jo shqetësime që mund ta çonin në këtë pikë. Por unë e di që akoma e kishte ndjenjën e humbjes së vendit të punës. E kaloi me vështirësi këtë emocion.

-Me kë shoqërohej Cuku?
Ishte person i qetë, familjar, marrëdhënie të shkëlqyer me shtypin e kolegët e policisë. Person që ndërtonte marrëdhënie si njerëzore e profesionale me të gjithë. Artan Cuku e kishte mbaruar akademinë e policisë me rezultate të shkëlqyera. Për vite ka kaluar pozicione të ndryshme policore.

-Çfarë jete bënte kohët e fundit dhe a e përmendte pezullimin nga policia?
Kishte pak gjendje të rënduar emocionale kur u largua nga puna, por falë karakterit të tij nuk arriti ta përballonte shumë mirë. Kur ka ndodhur ngjarja në vitin 2004, unë nuk kam qenë në polici. Prokuroria arriti në përfundimin se Cuku nuk ka pasur shkelje penale, ai nuk ka pasur konflikt personal me familjen Daka. Cuku e kërkoi me forcë edhe pajtimin moral me palën tjetër.

-Si e gjykoni qëndrimin e Ramës dhe ministrit të Brendshëm për të mos reaguar fare në lidhje me këtë ngjarje?
Kam ndjerë habi në këtë rast. As kryeministri as ministri nuk reaguan fare, pasi një polic me një karrierë të tillë, që u hoq nga policia pa një arsye, është e turpshme të mos përmenden. Cinizëm i pakrahasueshëm nga ana e tyre për këtë ngjarje, ndërkohë që ai gjen kohën të hajë e drekojë me deputetë me të shkuar të fortë kriminale. Kjo tregon ku ndodhet shoqëria shqiptare sot.

-I keni takuar familjarët e tij?
Unë kam shkuar gjithnjë tek familja e tij, dhe kam marrëdhënie shumë të mira me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Është situatë shoku. Gruaja ka dëgjuar krismat, po merrte ca gjëra në supermarket dhe kur u kthye pa bashkëshortin të shtrirë të mbuluar në gjak.