Qeveri teknike, edhe prapa diellit të shkoni…

Kryetari i PD, Lulzim Basha i drejtoi një mesazh të qartë Ramës dhe Metës dje nga Sheshi i Lirisë se ka vetëm një hapësirë dialogu për ta me Partinë Demokratike, ulja në bisedime për të diskutuar mbi mandatin e qeverisë teknike. Basha reagoi dje pas shfaqjes publike të Ramës me Metën, ndërsa deklaroi se çdo përpjekje për të shmangur zgjidhjen nga qeveria teknike nuk bën gjë tjetër veçse thellon edhe më tej krizën politike që ka përfshirë vendin. “Pasi dy javët e fundit miratuan së bashku një sërë projektesh që grabisin prona, pasuri publike dhe taksat e qytetarëve për llogari të klientëve dhe pasi u bë e qartë për të gjithë se, Shqipëria nën qeverisjen e tyre është shndërruar në një laborator gjigant droge, dy bashkëudhëheqësit e koalicionit që e ka sjellë Shqipërinë në prag të katastrofës luajtën sot në publik një seri të re të telenovelës së tyre 4-vjeçare. Nga qëndrimi i sotëm është e qartë se ata janë të patrazuar dhe të pavetëdijshëm për gjendjen ku ndodhemi dhe arsyet pse kemi arritur këtu. Ata nuk duan ta dinë se, ne jemi në krizë për shkak të kriminelëve që Edi Rama solli me vetëdije në krye të vendit dhe vazhdon t’i mbajë aty me mbështetjen e Ilir Metës. Nuk duan ta kuptojnë se ne kemi arritur këtu për shkak të drogës që e ka kthyer Shqipërinë në një shtet të falimentuar, i cili nuk kontrollon dot territorin dhe ekonomia e të cilit sundohet nga droga dhe interesat e drogës. Se jemi në këtë gjendje për shkak të dështimit të qëllimshëm nga Edi Rama të reformës elektorale. Se jemi në këtë gjendje për shkak të shkatërrimit nga Edi Rama të konsensusit të 22 korrikut për Reformën në Drejtësi dhe miratimit të njëanshëm të ligjeve që e vënë drejtësinë në kontrollin e tij. Se jemi në këtë gjendje, për shkak të kriminelëve që po lirohen për ditë, nën presionin direkt të Edi Ramës, dhe që do të përdoren për ta mbajtur Edi Ramën në pushtet, duke kapur zgjedhjet. Nga kjo situatë mund të dilet vetëm me një zgjidhje, e cila këput lidhjet e qeverisë me krimin, pastron Kuvendin dhe shtetin nga kriminelët, parandalon dhe lufton kultivimin e drogës dhe garanton organizimin e paanshëm të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto objektiva nuk mund të përmbushen nga qeveria dhe kryeministri që i shkaktoi në mënyrë të vetëdijshme problemet. Qeveria që kemi është e inkriminuar deri në rrënjë dhe duhet të shkulet me rrënjë, kryeministri e çdo ministër i saj duhet dhe do të largohet. Zgjidhja e vetme për krizën është qeveria teknike. Çdo përpjekje për ta shmangur zgjidhjen nga qeveria teknike është vjedhje e kohës së shqiptarëve dhe shtim i kostove që gjendja ku jemi po u sjell atyre. Ndaj bashkëudhëheqësit e qeverisë duhet të lënë demagogjitë dhe shfaqjet teatrale për të çorientuar opinion publik dhe duhet të pranojnë dialogun e vërtetë: dialogun për krijimin e qeverisë teknike dhe organizimin prej saj të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha në reagim ndaj deklaratës së Metës dhe Ramës.

Rrugë tjetër nuk ka, dialog për caktimin e qeverisë teknike

Platforma e Ramës dhe Metës se do të kërkojnë ndërhyrjen e Popullorëve Europianë për të ndihmuar për negociatat mbi zgjidhjen e krizës, kreu i PD, Basha sqaroi edhe njëherë se PD prej nëntë ditësh është e hapur për dialog, i cili ka një objektiv të qartë uljen e palëve në diskutim për të përcaktuar mandatin e qeverisë teknike. “Tani meqë këta, PS dhe LSI i paskan zgjidhur punët me njëri-tjetrin dhe paskan dalë me platformë, se do i kërkojnë Partisë Popullore Europiane të ndihmojë negociatat, po u them; kërkoni ku të doni, pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Kështu që, sa më shumë kohë i vidhni shqiptarëve, aq më e rëndë do të jetë fatura për vendin. Por, ju siguroj nga thellësia e shpirtit, se do bëj gjithçka që pjesën kryesore të kësaj fature ta paguani ju, përgjegjës të kësaj situate. Prandaj, lereni demagogjitë dhe zgjidhni njëherë punët me socialistët tuaj, se një pjesë e dinë që jeni të inkriminuar, dhe një pjesë i çoni zhagen, por prapë se prapë nuk u ndihmojnë dot, se me Partinë Popullore Europiane, ka kush flet. Se me Partinë Popullore Europiane nuk zgjidhen punët me zhagen, siç i zgjidhni në familjen tuaj. E keni parasysh zhagen. Nuk zgjidhen punët në PPE ashtu. Rruga për dialog është e hapur nga ne. Por harrojeni se, dialogu do të jetë një harxhim total kohe me ata që kanë frikë të dorëzojnë pushtetin përgjegjës për inkriminimin e republikës së vjetër, e t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dialogu ka një objektiv, të rakorduar tash 9 ditë; qeveri teknike dhe mandat i qeverisë teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha nuk është në situatë mosbesimi. Në situatë mosbesimi jeni ju me njëri-tjetrin. Unë jam fare i qartë. Kjo është një qeveri e inkriminuar deri në rrënjë dhe duhet të shkulet me rrënjë. Nga kryeministri, e çdo ministër, duhet dhe do të largohet. Ju kemi lënë një hapësirë kundërshtarëve tanë. Të uleni bashkë me ne, për të përcaktuar qeverinë teknike me mbështetje të gjërë politike. Rrugë tjetër nuk ka, dhe nuk ka për të pasur. Kjo për sqarim, meqë mbaruan kafen e së dielës bashkë me njëri-tjetrin. Republika e re, e ka angazhimin e saj madhor ndaj çdo qytetari, por ndaj askujt më shumë se ndaj fëmijëve shqiptarë. Ndaj, është urgjente, themelimi i saj që t’i hapim rrugën me votë, kthimit të fuqisë ekonomike të qytetarëve shqiptarë, kthimin e pushtetit ekonomik tek qytetarët shqiptarë, që do të thotë kthimin e parave të taksa-paguesve shqiptarë, tek qytetarët shqiptarë. Kështu do ia dalim të ndërtojmë projektin më ambicioz arsimor në historinë tonë kombëtare, më të mirin në Ballkan. Ky është premtimi im, ky është zotimi i Republikës së Re, para thirrjes së shqiptarëve dhe para prindërve të tyre. Por më parë, zgjedhje të lira dhe të ndershme, vetëm me një qeveri teknike”, tha Basha.

Mbi 70% e qytetarëve po t’u jepet mundësia gati të largohen nga vendi

Në ditën e 57 të qendresës për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike, Kreu i PD Basha zhvilloi një bisedë me mësues ku diskutoi mbi situatën e rëndë ku ndodhet sistemi arsimor sot. “Nisim javën e nëntë të një lëvizje të pashoqe në historinë kombëtare, në historinë e Ballkanit, në historinë e Europës, që po kështu do të përfundojë me një fitore të pashoqe të qytetarëve, të bashkimit qytetar, kundër klikës së korruptuar të republikës së vjetër. Komploti i republikës së vjetër kundër qytetarëve shqiptarë nuk dallohet askund më qartë, nuk shpaloset askund më shkoqur, sesa në mjerimin ku e ka kredhur arsimin e fëmijëve shqiptarë. Këtu në këtë agorë, sot kemi mësues, njerëz të arsimit, të cilët shpalosën probleme, të cilat i njihni fare mirë, i njihni si prindër të fëmijëve që ndjekin apo duhet të ndjekin arsimin parashkollor, arsimin fillor, të mesëm apo universitar. Si të afërm, si të rinj, të gjithë jeni në dijeni të kolapsit total të sistemit arsimor shqiptar në këto 4 vite të qeverisjes së Edi Ramës. Sistemi arsimor është shkatërruar me themel. Kjo qeveri, e ka shpalosur modelin anti-arsim në tre rrafshe. Si mund të jetë pro arsim, një shtet, një mazhorancë që promovon kultin e krimit? Çdo të thotë të promovosh kultin e krimit?! Të marrësh kriminelët t’i çosh në institucione po. Po edhe këta kriminelë kanë qenë dikur në bankat e shkollës. Do të thotë, t’i thuash fëmijëve shqiptarë dhe prindërve të fëmijëve shqiptarë se, sistemi që ndërtojmë nuk favorizon nxënësit më të mirë, nxënëset më të mira, më të diturin, më të ndershmin, por personin me diplomë falso, mashtruesin, gënjeshtarin, atë që nuk çan përpara në jetë me punë të ndershme, me korrektesë familjare dhe shoqërore, por njerëzit e hurit dhe të litarit. Këta i bëjnë kryetarë bashkish, i bëjnë deputetë, i bëjnë drejtorë. Vetë ky model, përveç të qenit model anti-shtet, anti-kombëtar, anti-demokratik, është në thelb, model anti–arsimor, sepse esenca e këtij modeli është të shkurajojë fëmijët dhe prindërit e tyre për të investuar në shkollimin dhe arsimimin e tyre. Ky fakt është edhe aspekti më i poshtër, më tinzar i kriminalizimit të shtetit shqiptar, sepse afekton jo vetëm të sotmen, por edhe të nesërmen e një shoqërie të tërë dhe është shtrirë me metastazën e tij edhe në sistemin arsimor. U përmend shembulli i mësuesit të dënuar për vrasje, që u rikthye, kur u largua një mësues tjetër, sepse nuk ndante bindjet politike me pushtetin, por shembuj të tillë ka me dhjetëra, me qindra”.

Arsimi është shndërruar në kazermë politike

Përdorimi i shkollave si zyra ku zhvillohet takimet elektorale ka qenë një tjetër denoncim që Basha ndau dje me arsimtarët në Sheshin e Lirisë. Basha tha se, sot arsimi është shndërruar nga Rama në një kazermë të mirëfilltë politike. “E mbani mend si i shndërruan Drejtoritë Arsimore në çerdhe korrupsioni dhe motele prostitucioni për pushtetarët. Apo e keni harruar? Një shoqëri që e katandis figurën e mësuesit në këto nivele është e destinuar të rrënohet dhe rrënimi është ulur këmbëkryq. Se nuk ka rrënim më të madh sesa të të ikë 10% e popullsisë në 4 vite, shumica të rinj dhe të reja. Ja, kështu zhduken kombet përmbi dhe, siç e thotë edhe hymni ynë kombëtar. Kështu zhduken, kur harrojnë vlerat dhe përfaqësojnë vesin, kështu zhduken kombet përmbi dhe. Dhe në qoftë se vazhdojmë në këtë rrugë, ky komb, ky vend është në rrugën e zhdukjes. Sepse edhe ata që nuk kanë ikur, e kanë mendjen për të ikur. Mbi 90% e të rinjve, mbi 70% e qytetarëve po t’u jepet mundësia largohen nga ky vend. Kësaj i thonë të zhdukësh Shqipërinë. Dhe që ta ndalim këtë, duhen bërë shumë gjëra, por më kryesorja edhe ajo që ju e dini vetë me instinktin tuaj si të rinj, si të reja, si prindër, është arsimimi i fëmijëve tanë. Tani, po i shndërrojnë shkollat dhe sistemin arsimor si asnjëherë, as në kohën e Ramiz Alisë, në një infrastrukturë elektorale të Partisë Socialiste. Zyrat e fushatës, aktiviteti i fushatës edhe palo-mitingun, funeralin që bënë para disa ditësh, mora denoncime që i merrnin në telefon gjimnazistët, me detyrim që të paraqiteshin aty. Gjimnazistët e Tiranës, të cilët po me detyrim duhet të jepnin numrat e tyre të telefonit. Kazermë politike e ka kthyer arsimin, ky që betohej se nuk do të sillte fëmijët nëpër mitingje. Ju kujtohet apo jo?! Lista e të zezave nuk ka fund. Në vend që të rrisnin rrogat e mësuesve i kanë ulur për një pjesë të konsiderueshme të tyre, që është antikushtetuese, është antiligjore të ulësh rrogat. Prandaj dhe themi që, lista e të zezave nuk ka fund dhe ju e dini fare mirë. Tani, e gjitha kjo, duhet dhe do të ndryshojë rrënjësisht me Republikën e Re që po vjen. Çfarë do të bëjë Republika e Re për fëmijët shqiptarë, për arsimin shqiptar?

Shtyllat e planit të PD për arsimin

Basha ndau me mësuesit dje pikat kryesore të programit të PD për arsimin. “Dua t’u them fare shkurt, shtyllat ku do të mbështetet plani ynë për arsimin dhe fëmijët shqiptarë. Republika e Re është republika e qytetarëve shqiptarë, është republika e fëmijëve shqiptarë ku në asnjë fushë më shumë se në arsimin shqiptar nuk do të aplikohet thënia e ditës tonë të parë: Asgjë nuk do të jetë më si më parë! Gjithçka do të ndryshojë. Do t’i japim shqiptarëve në kohën më të shkurtër, arsimin më cilësor në Ballkan. Shkollat shqiptare dhe sistemi arsimor shqiptar do të jetë brenda katër viteve të para të Republikës së Re, shkollimi dhe infrastruktura më e mirë në Ballkan. Do ta bëjmë këtë, duke kthyer çdo shkollë në një tempull të vërtetë të dijes për fëmijët. Për këtë, në radhë të parë duhet ndryshuar rrënjësisht infrastruktura fizike dhe koncepti i arsimimit të fëmijëve. Fëmijët e shqiptarëve nuk do të enden më rrugëve, pasi të mbarojë orari i shkollës, duke pritur që prindërit e tyre të mbarojnë orarin e punës për t’u kujdesur për ta. Investimet në infrastrukturën shkollore do të kenë si qëllim që brenda dy viteve të para, kapacitetet fizike të gjithë shkollave fillore dhe të mesme shqiptare, të garantojnë studimin normal, me klasa normale të fëmijëve midis orës 08:00 dhe 14:00 dhe aktivitetin pas-shkollor deri në orën 16:00, me drekën e paguar nga buxheti i shtetit për të gjithë fëmijët shqiptarë. E di që hajdutët dhe mercenarët e tyre do të sulen për të bërë llogaritë falso se kjo nuk bëhet, se qenka e kushtueshme. E dimë që është e kushtueshme. Llogaritë i kemi bërë ne, i kemi bërë lek më lek e qindarkë më qindarkë sa do të kushtojnë e ku do t’i marrim ato para. Mjerë ata që do t’ua marrim ato para. Ky është fillimi i Republikës së Re! Paratë e shqiptarëve do të shkojnë për fëmijët e shqiptarëve. Sistemi shkollor do të garantojë kushtet më moderne. Nuk do të ketë në asnjë fshat, në asnjë lagje, të qyteteve të Shqipërisë, ndërtesë më moderne se shkolla e atij fshati apo asaj lagjeje. Investimi për arsimin e fëmijëve shqiptarë do të jetë investimi më i madh, që mendjet e shqiptarëve sot e kanë vështirë ta rrokin. Prandaj, po u them këtë krahasim, se ajo që bëmë me infrastrukturën për rrugët e Shqipërisë, nuk do të jetë asgjë me atë që do të bëjmë për shkollat e fëmijëve shqiptarë. Shkolla moderne, me kapacitete moderne natyrisht me internet, dhe natyrisht me mësues të përgatitur. Ata 200 kolegët e tu Erisa, (mësuese e re e papunë e pranishme në takim) dhe qindra të tjerë anembanë Shqipërisë, jo vetëm që nuk duhet dhe nuk do të zhyten në depresion, por do të jenë totalisht të angazhuar në këtë rikonceptim themelor të arsimit që do të kërkojë mësuesit më të mirë, dhe një angazhim dy herë më të madh se sot, në termat kohorë. Sepse, vetë orari i pranisë së fëmijëve në shkolla, do të ndryshojë. Në orën 8:00 do të fillojë mësimi, dhe do të ketë të gjitha kushtet, bashkë me drekën e paguar, deri në orën 16:00, bashkë me infrastrukturën shkollore shqiptare, ku programet do të mundësojnë edhe kulturën edhe artin edhe projektin e detyrave të shtëpisë, edhe sportin sipas standardeve më të mira në Ballkan. Mundësitë janë të plota, por ato janë sot peng i republiës së vjetër i republikës së hajdutëve dhe kriminelëve, të cilët kanë marrë peng një popull të tërë, kanë marrë peng të ardhmen e këtij populli, duke marrë peng arsimin e fëmijëve shqiptarë”.

Arsimtarët denoncojnë mashtrimet e qeverisë

Paraditen e së shtunës kryetari demokrat Basha bashkëbisedoi me mësues, pedagogë dhe studiues lidhur me sistemin arsimor në Shqipëri. Duke nisur nga ai paraarsimor, tek arsimi fillor dhe i mesëm dhe duke përfunduar me atë universitar, mësuesit dhe prindërit argumentuan se ky sistem nuk mundëson një edukim që përshtatet me kërkesat e programeve akademike. Etleva Metko tha se mësuesit sot largohen nga vendi i punës për shkak të bindjeve politike dhe jo aftësive në mësuesi dhe lëndën që japin. Shumë prej tyre sot kanë në duar vendime gjykatash për rikthim në vendin e punës, që është kthyer nga institucion publik arsimor, në zyra përkatësish partiake. Profesor Ndriçim Mehmeti tha se mësues, sot nuk janë, më vizionarët, por shërbëtoret e pushtetit me teser partie. Shkak i kësaj është edhe shifra alarmante prej 15%, e të rinjve që aplikojnë për të studiuar jashtë kufijve, pasi nuk i besojnë më sistemit arsimor në vend. Alma Lama, mësuese Kimie, denoncoi mashtrimin e qeverisë me raportin e studimit të Ministrisë së Arsimit dhe Institutit të Zhvillimti të Arsimit. Ajo tregoi se si kolegët e saj u detyruan të thonin të pavërteta lidhur me vlerësimin e sistemit dhe infrastrukturës arsimore, në raportin në fjalë. Lama tha se si mësuesit nën presion, mes të tjerash deklaronin se norma e orëve të mësimit ishte e përcaktuar si duhej kur faktikisht çdo i punësuar në arsimin parauniversitar punon minimalisht tre orë të papaguara mbi normë. Paga për mësuesit, si tregojnë vetë ata, për herë të parë prej vitit 1990 nuk është rritur përgjatë katër viteve të mandatit qeverisës. Një gjest i vogël, si ai i shkurtimit të bonusit simbolik prej 120 lekësh nga Ministria e Arsimit, për mësuesit e shkencave ekzakte, tregon babëzinë e këtij kabineti dhe politikave të tyre. Mësues parashkollorë, pedagogë dhe profesorë të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë denoncuan mungesën e kushteve minimale për përmbushjen e programeve shkollore. Minimalisht 30% e programit shkollor për lëndët ekzakte si kimia, fizika apo edhe informatika nuk zhvillohen, sepse mungojnë kabinetet, laboratorët madje edhe interneti në shkolla. Një mësues informatike me eksperiencë 11-vjeçare, Sokol Tagani, tregoi për vështirësitë që hasi një vit më parë gjatë këshillimit të karrierës për maturantët e shkollës ku punon. Mësuesi tha se duhej t’i përgjigjej studentëve, të cilëve ju ndryshuan rregullat e lojës vetëm pak javë përpara përfundimit të afatit të aplikimit për universitet. Një numër i madh studentësh u penalizuan, sepse gjimnazi që kishin ndjekur nuk kishte përfshirë një lëndë të caktuar në programin e përcaktuar për ta nga shteti shqiptar. Pedagogët thanë se, heqja e sistemit të renditjes së preferencave për degët e universiteteve i përballi nxënësit e mirë me faktin se nuk kishin fituar asnjë degë edhe pse mesatarja e tyre ishte mbi 9. Ndryshimet në legjislacion sipas mësuesve dhe pedagogëve kanë shkatërruar sistemin e meritë-preferencës. Lulzim Basha tha se dëshmitë e mësuesve, pedagogëve dhe studiuesve për gjendjen ku ndodhet sot sistemi arsimor janë pasqyra më e qartë e komplotit të republikës së vjetër në kurriz të qytetarëve.

600 milionë euro për fasada, 300 milionë euro për zyra, 44 milionë euro për karburant

Në vetëm tre muaj 944 milionë euro janë shpenzuar nga qeveria për zyra, blerje karburanti si dhe fasada. Basha denoncoi dje shifrat marramendëse, të cilat në vend që të shkojnë për vende të lira pune dhe shërbime ndaj qytetarëve shkojnë për investime fasadash. Basha tha se, brenda harkut kohor të tre muaj qeveria ka tenderuar 44 milionë euro blerje karburanti, një shifër disa herë më e lartë karahasuar me tenderat e shpallur për të njëjtin zë në vitetet e kaluara. Gjithashtu, ai bëri të ditur se 300 milionë euro janë shpenzuar për zyra si dhe 600 milionë euro të tjera për zbatimin e programit të rilindjes urbane, pra ndërtimit të fasadave. Të gjitha këto në vetëm tre muaj. “Pse e them se ju e dini vetë? Sepse statistikat tregojnë se, asnjë komb tjetër nuk investon më shumë si përqindje e të ardhurave për shkollimin e fëmijëve të vet sesa shqiptarët. Tash 30 vjet shqiptarët harxhojnë për frymë më shumë se çdo komb tjetër për arsimimin e fëmijëve, sipas mundësive dhe nganjëherë edhe duke tejkaluar mundësitë. Ju e dini se për çfarë e kam fjalën. Prindërit shqiptarë shesin gjithçka, futen edhe në borxh vetëm e vetëm për të arsimuar fëmijët e tyre. Por, këtij realiteti fisnik që tregon vlerësimin e madh që shqiptarët kanë për diturinë, për arsimin, i përgjigjet një realitet maskarallëku në shtetin shqiptar. Qytetarë fisnikë që duan arsimin dhe shtet maskara, kriminel që nuk don arsimin e fëmijëve shqiptarë. Si e kuptoni këtë? E para, me modelin e kriminalizimit. E dyta, me modelin e shpenzimeve. Ky shtet, kjo republikë e vjetër, ky kabinet hajdutësh që mburret se po bën shtet, ky shtet i ndyrë, harxhon qindra-milionë euro në vit për fasada. Vetëm këto tre muaj të parë ka harxhuar 300 milionë euro për zyra. 44 milionë dollarë e kanë bërë tenderin e karburantit këtë vit, domosdo se është vit elektoral. Ky është shteti i ndyrë që ne do ta shembim me votë të lirë për të ndërtuar Republikën e Re: 44 milionë dollarë për karburante, 300 milionë dollarë për shpenzime zyrash, 600 milionë euro programi i rilindjes urbane. Rilindja urbane? Pllaka që blihen 10 herë më shumë se çmimi. Palma që vyshken të gjitha të tenderuara me 10-fishin e çmimit që të vjedhë Edi Rama me një grusht kompanish, që nuk konkurojnë dot në tregun e ndershëm. Para që duhet të shkonin për arsimin, për shëndetësinë, për punësimin, por mbi të gjitha për arsimin e shqiptarëve. Se ky shtet, i ka mundësitë që, në vitin 2017, përmes kontributit të taksapaguesve shqiptarë, të krijojë një arsim dinjitoz për fëmijët e shqiptarëve. Ky është krimi më i madh, i barabartë me krimin që kryhet në shëndetësi, ku janë harxhuar në 3 vjet 1 miliard e 200 milionë euro, pa asnjë përmirësim. Sepse, këto para nuk kanë shkuar për pacientët shqiptarë, por janë zhdukur në xhepat e oligarkëve me ndihmën e hajdutëve Rama-Beqaj. Dhe po kështu, paratë që duhej të shkonin për fëmijët e shqiptarëve janë zhdukur në projekte fantazëm, në tendera korruptivë dhe në një ministri Arsimi që do të hyjë në histori, për herë të parë, që drejtohet nga ministri më injorant dhe më i pashkollë më i papërshtatshëm për të gjithë shqiptarët, i përshtatshëm vetëm për planet e hajdutërisë të Edi Ramës”.

Shkurtim shpenzimeve qeveritare

PD parashikon në programin e saj shkurtimin e shpenzimeve qeveritare në të gjitha drejtimet, ndërsa do të heqë tavanin mbi rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të punës, arsimin, shëndetësinë etj. “Fëmijët shqiptarë meritojnë mësuesit më të mirë. Do ketë trajnim të vazhdueshëm të këtyre mësuesve, angazhim të prindërve në të gjithë procesin e vendimmarrjes përsa i përket administrimit të shkollave, duke përfshirë dhe konsultimin e prindit për emërimin e drejtuesve të kopshteve, të shkollave, me qëllim për të evidentuar më të mirin sipas qytetarëve, dhe jo më të mirin sipas partive, por më të mirin sipas prindërve. Ata do të drejtojnë shkollën, ata do të drejtojnë kopshtin dhe për këtë arsye, buxheti i shtetit, planifikimi buxhetor duhet e do të marrë patjetër përsipër që mësuesit shqiptarë në krye të katër viteve të para të Republikës së Re, të jetë mësuesi më i paguar në Ballkan. Ky është përparimi, ky është zhvillimi, edhe nëqoftëse do të na duhet të shkurtojmë numrin e deputetëve, dhe patjetër që duhet në pikëpamjen time, edhe nëse do të na duhet të shkurtojmë shpenzimet qeveritare, të cilat do të shkurtohen në të gjitha fushat. Mësuesi shqiptar meriton dhe do të ketë dyfishin e rrogës që ka sot, për t’iu përgjigjur me dyfishin e përkushtimit dhe profesionalizmit, nevojave të fëmijëve shqiptarë. Ju e dini miqtë e mi kudo që na ndiqni, prandaj shpenzoni më shumë se çdo popull tjetër, për arsimin e fëmijëve, hiqni bukën nga goja, mbyteni në borxhe për fëmijët tuaj. Unë e di. Jam ndër të paktët që m’u dha shansi herët, për të parë avantazhet e jashtëzakonshme që merr një individ nëse ekspozohet ndaj standardit të lartë në arsim. E kam njohur si fëmi, si i ri, dhe sot e njoh si prind, rëndësinë e madhe që ka arsimi për fëmijët. Ndaj ju jap fjalën se Republika e Re, arsimin shqiptar do ta ngrejë në nivelin europian përmes shkollave dhe infrastrukturës arsimore europiane. Por sigurisht, që do të bëjmë shumë më shumë se kaq. Mundësitë janë pa kufij. Vetëm imagjinata njerëzore është kufi për arritjet e njerëzimit. Por ka edhe një kufi tjetër. Një tavan që na qëndron në kokë, dhe ky është tavani konceptual i ngulitur nga një grusht politikanësh të korruptuar të republikës së vjetër se punët dinë t’i zgjidhin vetëm ata me një grusht oligarkësh të korruptuar dhe me ndihmën e një kaste kriminelësh me pushtet. Këtë tavan do ta thyejmë e do ta bëjmë copë, me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Nuk do të ketë asnjë tavan për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Nuk do të ketë asnjë tavan për hapjen e vendeve të punës, për arsimin e të rinjve shqiptarë, për shëndetësinë shqiptare, nëse e thyejmë dhe e bëjmë copë tavanin e krimit në pushtet dhe pushtetit të inkriminuar. Për këtë arsye, kërkojmë dhe duam të hapet rruga për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme do të ketë vetëm me qeveri teknike”, tha Basha.