Nuk ndalon droga, zbulohen 71 kg në kamionin që shkonte në Greqi

Një kamion i mbushur me tuba plastikë është ndaluar për kontroll në doganën e Kapshticës dhe brenda tij është gjetur një sasi e konsiderueshme droge, kanabis sativa. Policia bënë të ditur se ka sekuestruar 99 tuba plastikë të mbushur me lëndë narkotike të presuar, të dyshuar kanabis, gjithsej 71 kilogramë.
Në pranga drejtuesi i kamionit Qani Mançe, 60 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë ditës së djeshme, ky person u paraqit në dalje të Shqipërisë, me mjetin kamion të markës “SCANIA” me targa AA 273 DY dhe rimorkio me targë TR 0148 K.
Nisur nga dyshimet e shfaqura, ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Doganën, për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e tavanit të rimorkios, mund të ishte fshehur lëndë narkotike. Konkretisht në brendësi të tubave metalikë, të cilët mbanin skeletin e mbulesës së rimorkios, u konstatuan 99 tuba të tjerë plastikë me ngjyrë portokalli.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Narkotikët, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, kanë bërë peshimin e lëndës narkotike së bashku me tubat plastikë, ku në total pesha e tyre rezultoi 71 kg. Dosja i kaloi për hetime të tjera Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Tiranë.
Ndërkohë, Policia greke është vënë në ndjekje të një automjeti nga kufiri me Shqipërinë, i cili dyshohej se transportonte drogë. Pas disa minutave ndjekje, makina ndalon në Patra, ndërsa shqiptari 35-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur tentonte ta fshihte drogën në një vend të shkretë, duke e futur në një fuçi e më pas për ta mbuluar në një shkurre. Ai është arrestuar menjëherë nga policia greke, ndërsa droga rreth 15 kg marijuanë e ndarë në dy pako të mëdha u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.