Kosovë-Shqipëri, aspirata për tregun e përbashkët

Alban Zusi, një sipërmarrës me përvojë në sektorin e agropërpunimit për eksport, tregon se e ka më të lehtë të bëjë tregti me Austrinë se sa me Kosovën. Këtë konkluzion, Zusi e shpjegon duke radhitur disa kosto që e bëjnë biznesin me Kosovën më të kushtueshëm dhe të vështirë. Duke qenë një treg i vogël dhe me konsum të kufizuar, për rrjedhojë kostot e zhdoganimit për vlerën e mallit janë të larta. Zusi tha se, për 100 mijë lekë mall, paguhen rreth 17 mijë lekë taksa, vlerë kjo me kosto si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorin e Kosovës që do t’i përfshihen këto taksa në çmim. Në renditjen e taksave, 3100 lekë janë tarifat që i paguhen doganës shqiptare, 3900 janë tarifa që i paguhen doganës së Kosovës, 23 euro është tarifa për koncesionin e skanimit dhe mbi 40 mijë lekë janë çertifikatat fitosanitare. Në raste të veçanta paguhen edhe 40 euro shërbim terminali në pjesën e Kosovës. Këto tarifa nuk janë të larta ndaj një trajleri që transporton 10 tonë mall, thotë Zusi, por për kapacitetet e bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, janë pengesa themelore për rritjen e tregtisë në nivelet që kërkohen. Duke folur në konferencën “Aspirata për një treg të përbashkët Shqipëri–Kosovë” që Dhomat amerikane të Tregtisë së Kosovës dhe Shqipërisë organizuan në bashkëpunim me revistën “Monitor”, Zusi kërkoi nga institucionet e dy shteteve që të sjellin lehtësi për tregtinë e bizneseve të vogla dhe të mesme, pasi në këtë segment është edhe kërkesa e dy shteteve. “Kjo mënyrë e të punuarit ka fuqizuar bizneset e mëdha, por ka penguar ato të vogla. Ka më shumë leverdi të punojnë me tregjet e Francës e të Austrisë sesa me Kosovën, pikërisht për shkak të këtyre problemeve”, tha ai. Në mbështetje të kësaj ideje, Saimir Sinani nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, tha se së fundmi është lehtësuar lëvizja e mallrave tranzit për në Kosovë, ndërsa është duke u punuar për hapjen e një pike doganore kosovare në Portin e Durrësit, në mënyrë që të shkurtohet koha dhe procedurat e mallrave që destinohen nga Europa për Kosovën. Ministrja shqiptare e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës janë duke zbatuar një axhendë të përbashkët, e cila rishikohet sipas ankesave që paraqesin grupet e interesit. Në themel të kësaj axhende momentalisht është standardizimi i çertifikatave fitosanitare dhe lehtësimi i procedurave doganore, tha ministrja.

Investimet, Kosova klimë më të favorshme

Historia e bashkëpunimit në rrafshin e investimeve ka treguar se Kosova ka ofruar një klimë më të favorshme për bizneset nga Shqipëria. Era Jashari, zyrtare e marrëdhënieve qeveritare e AmCham Kosova, tha se totali i investimeve të huaja në Kosovë ishte 234,7 milionë euro më 2016, nga të cilat 28.57 milionë euro ishin nga Shqipëria. Gjithsej nga viti 2006 deri në vitin 2016, investimet nga Shqipëria arrijnë vlerën e 193 milionë eurove, duke e renditur Shqipërinë në vendin e pestë për investime të huaja në Kosovë, me 10-12% të totalit të investimeve. Vendet e para në rrafshin e investimeve i zënë Zvicra, Turqia, Gjermania dhe Austria. Ndërsa investimet nga Kosova në Shqipëri ka qenë 15.6 milionë euro më 2016, shifra më e lartë vjetore gjatë 10 viteve që kur u shpall pavarësia. Që nga viti 2012, investimet e Kosovës në Shqipëri kanë qenë rreth 36 milionë euro. Siç shihet nga të dhënat, investimet nga Kosova janë dukshëm më të ulëta, duke treguar se klima e investimeve në Shqipëri është më pak favorizuese në raport me atë të Kosovës. Vendet që më së shumti investojnë në Shqipëri janë Greqia, Kanadaja, Italia dhe Holanda. Kosova renditet në vendin e 17 për fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri. Gjatë periudhës 2013-2016, Shqipëria ka investuar në Kosovë në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete të tjera të ngjashme në vlerën e 28 milionë eurove. Në sektorin e ndërtimit janë investuar 20.3 milionë euro, në tregti 17,1 milionë euro, në industrinë e prodhimit 9 milionë euro, në sektorin e transportit dhe komunikimit janë investuar 4.5 milionë euro dhe në shërbime të tjera, 5.1 milionë euro. Për të njëjtën periudhë, investimet e Kosovës në sektorin e pasurive të patundshme dhe qiradhënie ishin 23.8 milionë euro dhe shërbime tregtare 7.2 milionë euro. Investimet në informacion dhe komunikim përbëjnë 25% të totalit të investimeve, aktivitete financiare dhe ato të sigurimit janë 17%, energjia 12%. Avni Ponari nga kompania e sigurimeve “Sigal” me aktivitet prej vitesh në Shqipëri-Kosovë dhe Maqedoni, një nga investitorët më të mëdhenj shqiptarë në Kosovë, e vlerësoi klimën e biznesit në dy shtetet të njëjtë. Mentaliteti, gjuha dhe niveli i zhvillimit janë thuajse të njëjta, ndaj Ponari tha se ndihej njësoj në të dyja shtetet. Por ai shtoi se Kosova ka një taksë 5% mbi qarkullimin në fushën e sigurimeve, së cilës i ka ardhur momenti që të hiqet. Taksa, e cila nga 7.5% është ulur në 5%, sërish i ka krijuar probleme sektorit dhe vetëm për këtë fakt, dega e “Sigal” në Kosovë ka rezultuar me humbje vitin që shkoi. Ponari tha se, legjislacioni për klimën e investimeve shfaq problematika të njëjta në të dyja vendet dhe kultura është e njëjtë për sa i përket qasjes së shërbimeve të sigurimit. Këtë e tregon edhe niveli i ulët i sigurimeve për frymë që dy shtetet kanë në raport me vendet e tjera në rajon dhe BE. Investimet e huaja në Kosovë, në totalin e tyre kanë krijuar mbi 5 mijë vende pune, nga të cilat 3600 janë sektorin e pasurive të patundshme, në industrinë automative rreth 1200 punonjës dhe pjesa tjetër ndahet në sektorin e agrobiznesit, metaleve, shërbimeve financiare, industrisë së makinave dhe elektronikës. Në Kosovë, aktualisht ushtrojnë aktivitetin rreth 930 biznese nga Shqipëria, nga të cilat 252 janë në fushën e tregtisë me shumicë dhe pakicë, 137 biznese në sektorin e ndërtimit, 121 në akomodim dhe aktivitete shërbimesh dhe 56 në sektorin e prodhimit. Ndërsa një numër relativisht më i vogël biznesesh nga Kosova operojnë në Shqipëri, rreth 600 ndërmarrje, kryesisht në tregti dhe në shërbime.

Shumë zhurmë për pak gjë

Kosova dhe Shqipëria, disa herë kanë treguar vullnet politik për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik, duke hartuar axhenda dhe plane pune të përbashkëta, ndërsa edhe qeveritë kanë zhvilluar mbledhje të përbashkëta. Por drejtori Ekzekutiv i Odës amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka konstatuar se përtej dëshirës, bashkëpunimi real lë shumë për të dëshiruar. Madje, ai me ironi bëri thirrje që do të ishte më mirë që qeveritë të mos takoheshin, sepse sa herë që ndodh, shpërthen një konflikt tregtar mes vendeve. Përtej aspiratës për një treg të përbashkët që ka mbetur e tillë edhe pas një dekade që kur Kosova fitoi pavarësinë, bashkëpunimi real ka ngecur në disa gjëra të vogla që nuk kushtojnë shumë, por kur vjen puna për zbatim nuk hyjnë në axhendat të mëdha. Me një investim që nuk i tejkalon të 300 mijë eurot, dy shtetet mund të harmonizojnë deklaratën doganore nëpërmjet sistemit Asycuda, për ta bërë më të lehtë dhe të shpejtë procesin e zhdoganimit. Më tej, po me kaq investim, mund të bëhet një azhurnim i deklarimit të kuponëve. Për shembull, një biznes nga Kosova që ka blerë 2 milionë lekë mall në Shqipëri, t’i lëshohet një kupon, i cili të mund të lexohet online në Kosovë, pa qenë nevoja për të shpenzuar dokumente shtesë dhe kohë në doganë. Ndërhyrja tjetër, që më shumë se para, kërkon vullnet, është një pengesë e madhe aktualisht për tregtinë ndërmjet vendeve. Mungesa e standardizimit të çertifikatave fitosanitare ka sjellë një varg pengesash, pasi për shkak të mosnjohjes së ndërsjellë, shumë produkte të Kosovës, nuk hyjnë në tregun shqiptar dhe shumë artikuj shqiptarë pengohen për të hyrë në tregun e Kosovës. Shqipëria aktualisht i ka standardizuar këto çertifikata, sipas kushteve të BE-së, por në Kosovë ky proces nuk ka përfunduar. Gjithsesi, dy shtetet nuk i pengon askush që të aplikojnë standarde dypalëshe të ndërsjella, në mënyrë që tregtia të vijojë normalisht. Bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë kanë renditur si pengesën kryesore në shkëmbimin tregtar pikërisht problematikën që lidhet me çertifikatat fitosanitare. Por ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, thotë se edhe biznesi duhet të rrisë bashkëpunimin, ashtu si edhe qeveritë. Ai i ftoi të gjitha bizneset shqiptare që kanë interes për tregun e Kosovës që të studiojnë strukturën e importeve dhe të sjellin ata artikuj që sot Kosova i importon nga vende të tjera, por që mund t’i zëvendësojë me produkte shqiptare. Gjithashtu, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se bizneset e Kosovës duhen të informohen për rregullat e tregtisë që Shqipëria ka me Kosovën. Nisur nga patriotizmi, shumë biznese nisen në doganat me Shqipërinë pa ditur se çfarë dokumentesh dhe procedurash duhen, tha ajo. Bajrami shtoi se qeveria e Kosovës ka orë të hapura për të dhënë konsultim për bizneset, por ajo shtoi se ka një mungesë besimi ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës për bashkëpunim, për shkak të mungesës së traditës historike.

Potencialet

Kosova është një ekonomi në zhvillim me ritmet më të larta të rritjes në rajon, si shtet i ri ka ende tregje të pamaturuara, ka forcë të re pune dhe normat më të ulëta të taksave në rajon. Si e tillë është mjaft atraktive për investitorët e huaj e për rrjedhojë edhe kompanitë shqiptare, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami. Qeveria e Kosovës ka renditur si prioritete për investime sektorët e agrobiznesit, teknologjinë e informacionit, minierat dhe energjinë, tekstilin dhe lëkurën, përpunimin e drurit, turizmin, sektorin e ndërtimit dhe industrinë automative. Nga ana tjetër, Shqipëria ofron si sektorë për investime ndaj të huajve, energjinë e rinovueshme, turizmin, agrobiznesin, telekomunikacionin dhe sektorin e shërbimeve.
Era Jashari thotë se Kosova po përmirëson dita-ditës klimën e të bërit biznes, ka sistem liberal tregtar dhe pa tarifa doganore. Pozita gjeografike është favorshme dhe ka infrastrukturë të mirë me rrjet rrugor, hekurudhor, telekomunikacion dhe transport ajror. Gjithashtu Kosova ka kosto të ulët të punës dhe moshë të re të popullsisë dhe një biznes mund të hapet për dy ditë.
Shqipëria ka veçori të tjera. Biznesi hapet në një ditë dhe pa kosto. Vendi ka akses në transportin detar dhe infrastrukturë rrugore të lidhur me rrjetin ndërkombëtar. Gjithashtu pozita gjeografike favorizon tregtinë mes Lindjes dhe Perëndimit. Vija e gjatë bregdetare favorizon turizmin, i cili është ende sektor në zhvillim. Mosha e re e punës dhe kostot e lira janë gjithashtu avantazhe. Kosova dhe Shqipëria i kanë të diversifikuara burimet natyrore e për rrjedhojë edhe në drejtim të investimeve vendet janë komplementare dhe gjithashtu mund të krijojnë një ofertë të përbashkët edhe për investitorët e huaj, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci.

Mungesa e besimit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci, e ka vënë re se edhe pse qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë një mirëkuptim të madh në të gjitha aspektet, te bizneset ka mungesë të madhe besimi. E kundërta ndodh me Serbinë, ku edhe pse qeveritë janë në një tension të vazhdueshëm, bizneset e Kosovës dhe Serbisë po punojnë me njëra-tjetrën në mirëkuptim të plotë – tha Staliveci, i cili pohon gjithashtu se ka vënë re se bizneset shqiptare më lehtë po bëjnë biznes me homologët grekë dhe italianë se sa me bizneset në Kosovë. Kjo sjellje – tha ministri Staliveci – është e diktuar nga tradita historike, ku konsumatorët e Kosovës janë të ambientuar me mallrat që vijnë nga Serbia, ashtu si edhe konsumatorët shqiptarë tashmë janë familjarizuar me prodhimet italiane. Pra, tregtia ndërmjet dy shteteve të të njëjtit komb është duke vuajtur nga mungesa e traditës dhe për pasojë nga një mosbesim i madh që më shumë se bashkëpunim ka prodhuar konflikte tregtare mes shteteve. Paraqitet domosdoshmëri që si konsumatorët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë të rrisin nacionalizmin për të konsumuar produktet e ndërsjella se më pas ingranazhet e tregtisë aktivizohen lehtësisht. Teksa blloku i Lindjes u shkëput nga regjimi totalitar, Kosova dhe Shqipëria u gjendën në kushte të ndryshme, pa një histori bashkëpunimi ekonomik dhe partner tregtar të ndryshëm. Në fund të vitit 2016, eksportet drejt Kosovës zunë vetëm 6.7% të totalit, teksa ato panë një rënie në vlerë me gati 20% në krahasim me vitin 2015. Mallrat më të eksportuara me Kosovën janë produktet e naftës dhe të hekurit dhe materiale të tjera të ndërtimit si tulla, çimento, frutat dhe perimet. Importet janë në nivele të ulëta. Shqipëria importon nga Kosova vetëm 2.9% të totalit. Më 2016 ato arritën në vetëm 5.8 miliardë lekë dhe dominohen kryesisht nga pijet, artikuj të gizës, teksa shihet se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet e drithërave. Megjithatë, flukset tregtare të Kosovës nuk zënë as 3% të volumit tregtar të Shqipërisë me jashtë. Që në vitet e para të tranzicionit kur Kosova ishte e pandarë nga juridiksioni serb, Shqipëria vuri lidhje tregtare me Italinë. Sot, partnerët tregtarë të Shqipërisë janë vendet e BE-së, teksa Kosova kishte burimet tradicionale të furnizimit të saj me mallra Serbinë dhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Ndërsa Kosova ka eksportues të parë Shqipërinë dhe për nga importet, Shqipëria renditet e treta, në listën e vendeve më të cilat Kosova bën tregti.