Korea e Veriut i trembet sulmit amerikan

Me një demonstrim masiv të fuqisë së saj ushtarake, Korea e Veriut festoi sot “Ditën e Diellit” në të cilën 105 vjet më parë lindi themeluesi i vendit, Kim Il Sung. Ai vdiq në vitin 1994, pas 46 vitesh si “udhëheqës suprem” i shtetit komunist. Kim Il Sung ishte gjyshi i udhëheqësit të tanishëm, Kim Jong Un.
Parada ushtarake u zhvillua ndërkohë që vende të ndryshme kanë shprehur ankthin e tyre për testimin e raketave të Koresë së Veriut dhe kërcënimit të Presidentit amerikan për të kundërvepruar ndaj ambicjeve të Phenianit. Parada në këtë vend të izoluar vjen vetëm pak ditë pasi SHBA-ja përdori bombën e saj më të madhe jo-bërthamore ndaj ekstremistëve në Afganistan.
Të enjten, Presidenti Donald Trump i përcolli një mesazh Koresë së Veriut, ku e paralajmëronte të mos ndërmerrte prova të reja bërthamore.”Koreja e Veriut përbën problem. Një problem që do të zgjidhet,” tha Presidenti.
Ushtria Popullore e Koresë së Veriut u kundërpërgjigj me një deklaratë ku thuhej se do të veprojë “në një mënyrë aq të pamëshirshme, saqë nuk do të agresorët nuk do të mbijetojnë”.
“Nëse SHBA-ja bën provokime të papërgjegjshme ndaj nesh, fuqia jonë revolucionare do të kundërpërgjigjet menjëherë me një goditje shfarosëse dhe do t’i përgjigjet luftës së plotë dhe asaj bërthamore”, deklaroi në televizionin shtetëror, nënkryetari i komitetit qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut, Choe Ryong Hae.
Duke lejuar një prezencë të rrallë të gazetarëve në paradën ku u paraqitën raketa balistike ndërkontinentale, Korea e Veriut duket se kërkon t’ia bëjë të ditur botës fuqinë e saj ushtarake.
Spekullimet për një test të ri bërthamor u shtuan gjatë ditëve të fundit, por Pheniani nuk ka treguar planet.
Ndërsa ashpërsohet retorika, Nënpresidenti amerikan Mike Pence dhe bashkëshortja Karen fillojnë një tur 10-ditor në rajonin Azi-Paqësor, me ndalesën e parë nesër në Seul, kryeqytetin e Koresë së Jugut.
Zëdhënësi i Nënpresidentit i tha Zërit të Amerikës se ai do të rikonfirmojë mbështetjen e Presidentit Trump ndaj aleancave në rajon.