Kafshata e mjerimit, shqiptarët me të ardhura për mbijetesë

Niveli i të ardhurave që përfitojnë punonjësit në Shqipëri është mediokër dhe në shumë raste nuk mjafton as për të përballuar jetesën bazë të familjeve. Përfundimi del nga të dhënat zyrtare të administratës tatimore. Sipas statistikave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se 99.5 për qind e punonjësve i kanë të ardhurat më të ulëta se sa 2 milionë lekë në vit dhe vetëm, 0.5 për qind e tyre kanë një pagë mbi këtë nivel. E shprehur në numër kjo do të thotë se në Shqipëri janë vetëm 6 mijë punonjës që deklarojnë të ardhura nga paga më të larta se 2 milionë lekë në vit. Në total, sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria numëron rreth 1 milion e 667 mijë të punësuar. Numri i ulët i personave që kanë të ardhura nga mbi 2 milionë lekë në vit pasqyron nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik të vendit. Por paralelisht ai është rezultat edhe i taksimit të rëndë, që qeveria ka vendosur mbi taksat.

Taksa 23%

Nga 1 janari i vitit 2014 ka hyrë në fuqi taksimi progresiv i të ardhurave nga pagat dhe shpërblimet. Ky sistem e rrit barrën e taksave në mënyrë progresive ndaj nivelit të të ardhurave. Për pagat që janë mbi 130 mijë lekë në muaj, taksa shkon deri në 23 për qind. Kjo jo vetëm ka ulur të ardhurat reale që mbeten në xhepin e qytetarëve, por në të njëjtën kohë ka nxitur evazionin. Për shkak të taksave të rënda shumë punonjës deklarojnë rroga më të ulëta se sa pagat reale. Ligji detyron çdo individ që ka të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit të bëjë çdo vit deklarimin e tyre tek administrata tatimore. Këtu përfshihen të ardhurat nga paga, qiraja, dividendi, interesat bankare, lotaritë, pasuria intelektuale, fitimi kapital nga dhurimi, të ardhura të realizuara jashtë territorit shqiptar. Norma progresive e taksës prej 23% është më e larta në rajon. Të gjitha vendet e tjera u marrin më pak taksa punëtorëve se sa qeveria shqiptare. Në Malin e Zi, taksa për pagat e larta është 11%, në Serbi vetëm 10%.

Varfëria ekstreme

45.5% e shqiptarëve jetojnë në kushtet e varfërisë. Sipas statistikave më të fundit të Bankës Botërore, për vitin 2016, ende afërsisht gjysma e shqiptarëve jetonin me më pak se pesë dollarë amerikanë në ditë. Ndonëse ngelet ende mjaft e lartë, shkalla e varfërisë ka shfaqur një tendencë të lehtë rënëse gjatë viteve të fundit. Sipas Bankës Botërore, shkalla e varfërisë ka zbritur me 1.7 pikë përqindje në tre vjet, nga niveli prej 47.2% ku qëndronte në vitin 2013. Në vitet e fundit, përmirësimi i rritjes ekonomike dhe i treguesve të punësimit duket se ka dhënë disa efekte të vogla në uljen e shkallës së varfërisë. Burimi i të dhënave dhe mënyra e matjes nga Banka Botërore nuk është e qartë, po të kemi parasysh se anketa e fundit zyrtare nga INSTAT për matjen e standardit të jetesës në Shqipëri është bërë në vitin 2012. Megjithatë, edhe përtej këtyre shifrave, mjafton vetëm të llogarisim rreth 607 mijë pensionistë dhe 82 mijë familje që jetojnë me ndihmë ekonomike në vlerë të papërfillshme për të kuptuar se përmasat e varfërisë janë ende tejet të mëdha. Të ardhurat e këtyre shtresave janë të gjitha poshtë minimumit jetik, që, sipas një studimi të porositur vitin e kaluar nga Avokati i Popullit, llogaritet në 16 mijë lekë në muaj. Sipas bankës, Shqipëria mbetet vendi më i kërcënuar nga skamja ekstreme ndër ekonomitë e ngjashme në rajon. Sipas shifrave të BB-së, në vitin 2008, në Shqipëri jetonin vetëm 0.4% e popullsisë ose 10 mijë e 900 persona nën këtë nivel të ardhurash, por në fund të vitit 2012, pas katër vitesh me rritje të dobët ekonomike, shifra e personave në skamje ekstreme kërceu në 30 mijë e 900 vetë, duke zënë 1.1 për qind të popullsisë së përgjithshme. E rishikuar nga INSTAT-i dhe Banka Botërore në prill 2015, kjo shifër është më e madhe. Sipas raportit të përbashkët të BB-së dhe INSTAT-it, “Shqipëria, trendi i varfërisë”, popullsia ekstremisht e varfër, e përcaktuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është rritur nga 1,2% në vitin 2008 në 2,3% në vitin 2012. Varfëria ekstreme ka rënë nga rreth 5% në vitin 2002, në 3,3% në 2005 dhe në 1,2% në vitin 2008. Varfëria ekstreme është rritur si në zonat urbane (2,2%) ashtu dhe në ato rurale (2,4%).