Gjermania pas Brexit

Judy Dempsey

Kur u rrëzua Muri i Berlinit në nëntor të vitit 1989, kryeministrja e atëhershme e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher nuk kishte asnjë dyshim se çfarë do të thoshte kjo për të ardhmen e Europës. Për Thatcherin, e cila pothuajse gjithmonë ka pasur një marrëdhënie konfrontuese me Brukselin, një Gjermani e ribashkuar do ta çonte drejt dominimit të Europës. Qendra e gravitetit të kontinentit do të spostohej nga Bonni i përgjumur, kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, në Berlin i cili do të kthehej në selinë e qeverisë së bashkuar të Gjermanisë. Thatcher besonte se Gjermania do të caktonte ritmin e integrimit politik dhe ekonomik të të gjithë Europës.
Dhe kështu ndodhi, por sipas kushteve të diktuara nga Franca. Helmut Kohl, i cili ishte kancelari gjerman në atë kohë, hoqi dorë nga monedha gjermane në favor të monedhës së përbashkët europiane. Këtë e bëri për të nxitur integrimin. Francois Mitterrand, i cili ishte presidenti i Francës, ishte më i dyzuar në lidhje me ribashkimin e Gjermanisë. Ai mendonte se zhdukja e një monedhe aq të fuqishme si marka gjermane, ishte vetëm një mënyrë për ta mbajtur Gjermaninë ekonomikisht dhe politikisht nën kontroll, por parashikimi i tij nuk rezultoi i saktë.
Thatcher ndoqi një tjetër rrugë. Ajo e pranoi zgjerimin. Së bashku me ministrat e saj bënë një fushatë për të anëtarësuar në BE shtetet e rinj e të pavarur të ish-vendeve komuniste në Europën Lindore dhe Qendrore. Nuk ishte çështja se ajo besonte në idenë e zgjerimit të një Europe të lirë e të bashkuar, por një Europë më e madhe ishte ekonomikisht më e mirë për ta bërë unionin më të fortë, si një bllok influencues. Por një Europë e zgjeruar do të bëhej edhe më e vështirë për t’u qeverisur dhe vendimet e mëdha do të merreshin me vështirësi. Si pasojë do të ishte më e vështirë për Gjermaninë të ndiqte qëllimin e një Europe më të integruar, diçka që qeveritë e mëpasshme britanike e kanë kundërshtuar njëra pas tjetrës.
Tani, Britania ka nisur procesin e largimit nga Bashkimi Europian. Implikimet që do të sjellë një Union pa Britaninë janë të mëdha. Vendet lindore kanë humbur pa dyshim një aleat të mirë. Edhe Gjermania ka humbur një aleate të çmuar. Për Berlinin, impakti politik, ekonomik dhe psikologjik i Brexit nuk është aspak i vogël. Nëse Franca nuk merr një vendim radikal dhe thelbësor për t’u reformuar, Brexit do të bëjë që barra politike dhe gjeostrategjike e BE-së tani të kalojë tërësisht në Gjermani duke e bërë lideren e Europës.
Ky rol në fakt ka kohë që përgatitet t’i dorëzohet Gjermanisë. Edhe përpara se britanikët të votonin në referendumin e qershorit, Gjermania e kancelares Merkel ishte duke i dhënë formën politikave të jashtme dhe ekonomike të Europës. Me durimin që e karakterizon dhe përmes diplomacisë e integritetit, Merkel arriti të mblidhte në një mendje 27 vendet anëtare të BE-së për të imponuar sanksionet kundër Rusisë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
Më tej, me një këmbëngulje të jashtëzakonshme, ministri gjerman i Financave, vazhdon të imponojë një metodë speciale gjermane në ekonominë e shumicës së vendeve të eurozonës: kufizime të forta buxhetore, reforma fiskale në lidhje me mbledhjen e taksave dhe reduktimin e burokracive të panevojshme.
Kundërshtimi dhe mllefi i madh që grekët e zakonshëm ndjejnë për metodën gjermane ka ringjallur tek ata një frymë antigjermane që ka sjellë në jetë reminishencat e vitit 1941 kur nazistët pushtuan Greqinë. As qeveritë polake dhe hungaraze nuk kanë hezituar të përmendin të shkuarën naziste të Gjermanisë. Kjo tregon se sa lehtë liderët mund të kalojnë herë pas here në ligësi për të demonizuar Gjermaninë, si dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e thella të vendeve të tyre.
Gjermania ka caktuar axhendën për krizën e refugjatëve në Bashkimin Europian, si edhe politikat për emigrantët. Megjithatë këto çështje nuk janë aspak të zgjidhura dhe Gjermania, e cila pranoi mbi 1 milion refugjatë dhe emigrantë në vitin 2015, tani është duke zbuluar pengesat praktike, burokratike dhe ato të sigurisë teksa përpiqet të integrojë kaq shumë njerëz të ndryshëm nga kultura vendase për një kohë kaq të shkurtër.
Megjithatë, teksa trajton edhe problemet e brendshme të vendit, lidershipi gjerman nuk është as hegjemonik, por as i pakualifikuar. Dalja e Britanisë lë pa dyshim një boshllëk të madh të ushtrisë, inteligjencës dhe sigurisë. Gjermania nuk është në pozicionin për të mbushur këtë boshllëk – dhe as nuk synon ta bëjë. Këtë nuk mund ta bëjë as ndonjë shtet tjetër i Bashkimit Europian. Për këtë arsye, Berlini, së bashku me Parisin dhe kryeqytetet e tjerë duhet të punojnë më shumë për bashkëpunimin e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës.
Siç e kemi parë, Europa tashmë është e ekspozuar ndaj sulmeve terroriste. Asnjë shtet i BE-së nuk mund të mbijetojë i vetëm, edhe pse Britania mendon ndryshe. Kjo është arsyeja përse Bashkimi Europian, i drejtuar nga Berlini, ka nevojë për mbështetje më të madhe politike nga Franca në Perëndim dhe Polonia në Lindje. Kjo mbështetje do të jetë e domosdoshme për ta çuar Europën para pas daljes së Britanisë, në vend që të humbasin në çështjen e Europës së dy shpejtësive.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI