Bilbao shpërthen ndaj Las Palmasit

Athletic Bilbao shkatërroi 5-1 Las Palmasin në ndeshjen hapëse të javës së 32-të të Primera Division, me skuadrën baske që ngjitet në vendin e gjashtë me një pikë më shumë se Real Sociedadi, që luan me Barcelonën në “Camp Nou”.
Në San Mames ndeshja u zgjidh në 10 minutat e para, teksa për vendasit realizuan San Jose pas një këndoreje dhe Munian, i cili ekzekutoi saktësisht një goditje të lirë. Bigas shkurtoi diferencën në 2-1 në minutën e 12-të me një devijim me kokë që ishte i pakapshëm për portierin vendas. Aduriz shënoi të tretin për baskët në minutën e 18-të i shërbyer nga Williams.
Në pjesën e dytë Bilbao e gjeti edhe dy herë të tjera rrjetën me Munianin dhe Aduriz, që sigluan nga një dygolësh. Pavarësisht kësaj disfate Las Palmasi renditet në një zonë të sigurtë, me 16 pikë më shumë se Gijoni i vendit të 18-të.