Bashkimi Europian nuk është aq keq sa duket

Basil A. Coronakis

Nga një makroperspektivë, Bashkimi Europian është një organizatë e fortë, edhe pse performanca e saj është e dobët në shumë aspekte. Megjithatë, duke qenë se interesat për të ndenjur të bashkuar janë të mëdha, Bashkimi Europian do të mbijetojë për shumë gjatë. Në fakt, pavarësisht masave të egra financiare që imponohen vazhdimisht nga Banka Qendrore Europiane, e cila praktikisht ka marrë rolin e Bundesbank për Europën, paratë vazhdojnë të printohen me shuma të madhe, mbi 70 miliardë euro në muaj. Kjo është një mënyrë e ekzagjuar dhe e kontrolluar për të kanalizuar para në tregje dhe për të nxitur një rritje të moderuar ekonomike në disa vende të caktuara, duke ndryshuar kështu gjendjen e stanjacionit dhe duke rritur shpresën. Në fund të fundit, vetë tregjet varen nga shpresat.
Europa nuk ka liderë me pushtetin për të gjeneruar ndryshimin që kërkon shoqëria europiane. Kjo është arsyeja përse Europa po humb rininë dhe mendjet brilante që udhëtojnë gjithnjë e më shumë drejt Amerikës dhe Azisë Lindore. Liderët europianë janë më shumë menaxherë se politikanë, të aftë për të ndjekur institucionet dhe për të mbajtur njerëzit e zakonshëm nën kontroll. Liderët europianë pra respektojnë “doktrinën europiane”. Ata që nuk e respektojnë margjinalizohen si Viktor Orbani, largohen si Matteo Renzi, detyrohen të bëjnë kompromise si Alexis Tsipras ose ngecin në mes problemeve të tyre të brendshme politike si Mariano Rajoy.
Ruajtja e status kuosë bazohet në dy çështje të rëndësishme që vazhdojnë të mos adresohen siç duhet nga politika europiane. Emigracioni i shqetëson tejmase njerëzit e zakonshëm që kanë frikë për sigurinë e tyre dhe i detyron të pranojnë kufizime mbytëse të sigurisë në kurriz të lirive të tyre demokratike. Papunësia mban pjesën më të madhe të popullsisë së Europës Jugore të zënë, duke gjetur mënyra nga më të ndryshmet për të mbijetuar, në vend që të luftojnë për rishpërndarjen e pasurisë në vendet e tyre. Ky duket se është modeli aktual i progresit europian gjatë viteve të ardhshme.
Në nivelin mikro, presidenti Jean Claude Juncker është duke ndjekur një rrugë të vështirë për të interpretuar. Nuk duhet të harrojmë faktin se ai është një nga kryeministrat që kanë shërbyer më gjatë në Europë, në një vend ku është dashur të merret personalisht me nivele të ndryshme të pushtetit. Në fakt, Luksemburgu është një vend ku ekonomia është e bazuar në shërbime dhe çdo qytetar i vetëm është i rëndësishëm, pasi vetëm pak vota mund të përcaktojnë rezultatin final të zgjedhjeve. Ky është një kombinim që asnjë lider tjetër europian nuk ka pasur shansin të përjetojë.
Kështu, nëse është e vërtetë që nuk kandidon përsëri për presidencën e Bashkimit Europian, siç ka thënë – duke lehtësuar ndjeshëm kundërshtarët e tij – apo nëse do të ndryshojë mendje për të synuar një tjetër mandat, ende duhet parë. Sipas thashethemeve që dëgjohen në Bruksel herë pas here, lënia në hamendësim nëse do të kandidojë apo jo është pjesë e lojës. Në fakt, Juncker është duke drejtuar aktualisht makinerinë administrative më të sofistikuar dhe më të ndërlikuar të botës dhe për ta bërë këtë, për të ndryshuar gjërat duke mbijetuar në këmbë, nevojiten aftësi më të mëdha se ato të një politikani të zakonshëm.
Juncker u surprizua nga referendumi britanik dhe rezultati për shkak se ishte këshilluar shumë keq nga ekipi i tij i komunikimit. Më keq akoma, asnjë nga anëtarët e ekipit nuk e kishte paralajmëruar atë që rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane do të nxirrte fitues Donald Trumpin. Jo vetëm kaq. Natën e zgjedhjeve, në vend që të hipte menjëherë mbi një avion dhe të fluturonte drejt Shteteve të Bashkuara për të përgëzuar personalisht presidentin e ri amerikan dhe për të treguar solidaritetin e Bashkimit Europian, por as këtë nuk e bëri. Nigel Farage ishte i pari që vizitoi presidentin Trump, më pas Marine le Pen dhe Theresa May. Edhe kancelarja gjermane e ka vizituar presidentin Donald Trump, por jo Bashkimi Europian zyrtar.
Për muaj të tërë pas referendumit të Brexit të 23 qershorit, të dyja palët, Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar janë përpjekur në fshehtësi të gjejnë një mënyrë për ta mbajtur Britaninë e Madhe brenda Bashkimit Europian. Kjo ishte një çështje që e ka mbajtur shërbimin ligjor të Komisionit Europian të zënë me punë deri para pak kohësh. Megjithatë, rezultati i referendumit ishte i pashmangshëm dhe më 28 shkurt Theresa May i bëri thirrje Nenit 50 të traktatit. Kjo ditë shënoi fundin e anëtarësisë të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian. Tani BE ka 27 vende anëtare dhe ndoshta nuk është aq keq sa duket.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI