Bankat, më vështirë është të marrin hua ndërmarrjet e mëdha

Bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar kushtet e akordimit të kredive për bizneset, kryesisht për subjektet e biznesit të madh. Në raportin tremujor të bankës qendrore, vihet në dukje se kahu shtrëngues ka qenë i përqendruar në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, në përputhje me pritjet e tremujorit të kaluar. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, standardet e kredisë kanë shfaqur lehtësim. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, pritet që prirja shtrënguese të vijojë për ndërmarrjet e mëdha, ndërsa pritet lehtësim i standardeve për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Standardet e kredisë dhënë bizneseve janë shtrënguar, si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues, dhe pritet që të mbeten në të njëjtin kah edhe në tremujorin e ardhshëm. Faktorët me ndikimin kryesor në shtrëngimin e standardeve në tremujorin e parë, sikurse dhe më parë, mbeten problemet specifike të sektorëve ku vepron biznesi, kreditë me probleme, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike, si edhe mjaftueshmëria e kapitalit.