Të gjithë presin të njëjtën gjë

Frrok ÇUPI

Hidhini një sy lajmeve sot; sot ka më shumë lajme politike se kurrë. Nuk e di nëse mund të quhen lajme apo “grimca lajmesh”, aq të copëzuara janë.
Por njeriu mund të marrë vesh të paktën kaq: Kryesia e LSI është mbledhur dhe mund të jetë duke diskutuar mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, afati i regjistrimit mbyllet më 18 prill, të Martën e Pashkëve. Por me këtë është i lidhur edhe fati i koalicionit mazhoritar që e solli qeverisjen deri në ditën e sotme. Është i lidhur, sepse në qoftë se LSI vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje “pa opozitën” siç ka deklaruar, atëherë koalicioni PS-LSI konsiderohet i rënë. Kryeministri i PS ka deklaruar se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhje qoftë edhe pa opozitën.
Nga gjithçka që transmetojnë “gjysmë-lajmet” e shumta kuptohet se kryeministri Rama dhe të tijët po ushtrojnë një presion të paparë mbi LSI dhe Metën. Sapo nisi mbledhja e Kryesisë së PS, Ilir Meta deklaroi se, “nuk po bëjmë tërheqje litari”, duke iu drejtuar nga distanca kryeministrit Rama. Pak më parë kishte deklaruar se, “kjo nuk është lojë force, por prove tolerance”, duke folur nga larg përsëri me kryeministrin Rama.
Në të njëjtën kohë është shpërndarë një video, e realizuar nga ERTV, dmth “EdiRama TV”, ku kryeministri shfaqet i ezauruar, flet me shkëputje, pa lidhje mendimi, i rraskapitur, etj. Mediat opozitare ngrejnë versione se ose është i droguar, ose i dehur, ose i rrënuar nga kriza e tij. Kryeministri Rama shquhet se nuk vë alkool në gojë dhe për këtë media nuk e “gjuan” shkakun e normalitetit. Ndërsa për drogën dhe rraskapitjen nga kriza askush nuk mund të deklarohet e të verë “duart në zjarr”. Më e shumta është që ky të jetë duke rënë nga kriza. Ka mbetur pa aleatë, pa një pjesë të madhe të socialistëve, pa miq nga ata që i quante “të shtrenjtë” si psh., Kokëdhima, etj. Por përveç kësaj qeveria e tij ka humbur besimin popullor, nuk e ka aleat Perëndimin, dhe është kapur në faje shumë të rënda që nga kriminalizimi dhe drogëzimi i vendit.
Lajmi se kryetari i opozitës është i kërcënuar (sot të majtët kanë mundur të thonë edhe “me vrasje”) duket se është pjesë e një skenari revolucionar për të shpëtuar qeverinë e tyre. Qeveritarët e tanishëm i përmbahen paradigmës: “Pas meje-kiameti!”. Kështu që mund të besohet një atentat ndaj opozitës i kryer prej tyre.
Lajmi i dhënë nga kryetari i Opozitës, Basha, se në Durrës ndodhet një depo me 120 tonë drogë, dhe në Lezhë me 400 tonë drogë, ka tronditur sidomos europianët që e presin “tërmet” narkotik nga Shqipëria. Vigjilenca ndaj Shqipërisë dhe për Shqipërinë është këshilluar nga të gjithë aleatët perëndimorë dhe jo-aleatë.
Dhe më në fund, komenti pa sens që i bëhet një lajmi mbi “aleancën” Meta-Veliaj. Meta paska thënë te Ura e Kamzës se, “ura është për të na bashkuar e jo për të na ndarë”; dhe këta e paskan marrë sikur Meta u bashkua në koalicion. Naivitet gazetarësh të pa formuar kulturalisht mund të gjendet rëndom…
Po çfarë po ndodh?
Të gjitha gjysmë-lajmet të çojnë te një pikë: Të gjithë po presin. Presin të njëjtën gjë. Asnjë prej tyre nuk mund të vendosë ende.
Qeveria nuk mund të vendosë që të shkojë në zgjedhje vetëm; veçse bën kot.
Qeveria nuk mund të vendosë të vrasë liderin e Opozitës, veçse bën shantazh.
LSI dhe Meta akoma nuk janë gati të vendosin mbi koalicionin me PS. Në qoftë se vendos këtë, kjo do të hotë “vdekje” bashkë me PS; por a ia vlen!? Në se nuk hyn në koalicion me PS, me cilin do të bëjë koalicion. Por ndërkohë nuk është ende e sigurt për trendin e ngarjeve në këtë pjesë të Ballkanit.
Vetë Opozita, e cila ka imponuar gjithë “dramën” për ndryshimin politik të vendit, është në pritje të asaj se çfarë do të bëjë qeveria. Opozita o do të realizojë zgjedhje të lira dhe dekriminalizim të vendit, o do të shkojë në mos-bindje kolektive.
Por që të gjithë së bashku presin, nëse edhe në këtë pjesë të botës do të fitojë fryma e re Brexit-Trump, New BE. Individët për përparimtarë e presin këtë duke besuar; ndërsa të tjerët duke shpresuar se nuk do të ndodhë.