Si u pastrua magazina me 400 tonelata drogë

400 tonelatat e drogës në Lezhë në pronësi të kartelit Ndoka janë pastruar me mjeshtëri pas daljes së lajmit, i cili i referohet një burimi të 6 ditëve më parë. Ish-Kryeministri Berisha përmes një informacioni nga “qytetari dixhital” përcaktonte vendndodhjen e drogës në Lezhë. Policia e cila është bazuar tek ky informacion ka shkuar në vendngjarje dhe ka gjetur magazinat e boshatisura. Policia tha se kjo mjaftonte që lajmi të konsiderohej i pavërtetë. Në fakt në postimin e tij ish-kreu i qeverisë theksonte se droga është parë në magazinë 6-7 ditë më parë. “Informacioni është administruar së fundmi nga një lidhje e tyre, i cili përpara 6-7 ditësh ka parë magazinat dhe lëvizjet e automjeteve në aksin e asaj rruge, e cila ruhet kryesisht me polici dhe njerëz të tyre”, thuhej në mesazhin e djeshëm mbi vendndodhjen e drogës. Kjo kohë e rrjedhjes së informacionit ka qenë e mjaftueshme që karteli i drogës të bëjë boshatisjen e magazinës së drogës.

Denoncimi i parë i Berishës

400 tonelata drogë në magazinat e klanit udhëheqës të Partisë Socialiste, Ndoka! Oficeri dixhital denoncon: 400 tonelata drogë në magazinat e klanit drejtues të PS Lezhë, Ndoka që ruhen me polici dhe roje të armatosur!
Lexoni mesazhin: “Mbrëma z. Berisha! Uroj të jeni mirë. Jam oficer policie. Duke ju kërkuar ndjesë për orarin po ju informoj lidhur me një aktivitet në fushën e narkotikëve. Pas Kalasë së Lezhës, duke ndjekur krahun e lumit e duke kaluar me drejtim nga vendi i quajtur “varri i Skënderbeut” (ish-zona industriale ku prodhohej dikur rakia – kështu quhet vendi) dhe pikërisht ish-magazinat e dikurshme të tregtisë, vëllezërit Ndoka dhe më konkretisht vëllai i vogël i Arben Ndokës, shtetasi Xhevahir Ndue Ndoka, ka në pronësi ose administrim disa magazina. Ai disponon të magazinuara në to rreth 400 ton drogë të llojit “kanabis sativa” një nga sasitë më të mëdha në Shqipëri. Theksohet se këto magazina ndodhen vetëm të korrurat e këtij viti në zonat e Lezhës, Matit, Krujës dhe një pjesë e mirë e Dibrës, ku ata kanë qenë tutorë të shumë sipërfaqeve të mëdha të mbjella, por edhe për të tjerë lidhje të tyre, duke dalë garant edhe për disa grupe të tjera në drejtim të magazinimit dhe më pas trafikimit…. Xhevahir Ndoka aktualisht punon në Prefekturën e Qarkut Lezhë, por ka qenë dhe ky i implikuar në Itali në fushën e “Ushtrimit dhe tutorit të prostitucionit”. Kanë aktivitet të fuqishëm në këtë shtet në fushën e narkotikëve. Mendohet se një prej sasive të madha të ngarkesës prej 8-10 tonësh që u kap me drejtim në Itali përpara rreth rreth 2 muajsh (që ju kam vënë në dijeni Ju z. Kryetar) është e familjes “NDOKA”. Informacioni është administruar së fundmi nga një lidhje e tyre, i cili përpara 6-7 ditësh i ka parë magazinat dhe lëvizjet e automjeteve në aksin e asaj rruge, e cila ruhet kryhesisht me polici dhe njerëz të tyre”.

Reagimi pas lajmit të policisë

Nuk është në tagrin tim të komentoj as dhe të vlerësoj vërtetësinë e denoncimeve të qytetarit dixhital të faktuara tashmë si të tilla në së paku 98% të tyre.
Por veprimi i policisë, pas botimit në FB tim të mesazhit të qytetarit dixhital për 400 tonelata drogë të fshehura në magazinat e klanit udhëheqës të PS të Lezhës, Noka më bind edhe më shumë në vërtetësinë e këtij denoncimi.
Vetëm pak orë pas botimit të mesazhit, policia në një akt teatral lau duart si pilati me krimin e saj të shëmtuar që ka fshehur për muaj të tërë.
Për të dëshmuar se është e pavërtetë akuza e oficerit dixhital, policia vrapoi me tam tame dhe kamera tek magazinat ku ka qenë e fshehur droga dhe që është larguar 5-6 ditë më parë andej, kur Lezha po gumëzhinte dhe informacionet kishin marrë drejtimet e tyre.
Policia me aktin e saj u bë qesharake dhe faktoi akuzat ndaj saj të oficerit dixhital, i cili, po rikujtoj këtu në një paragraf të denoncimit, shkruan: “Informacioni është administruar së fundmi nga një lidhje e tyre, i cili përpara 6-7 ditësh i ka parë magazinat dhe lëvizjet e automjeteve në aksin e asaj rruge, e cila ruhet kryesisht me polici dhe njerëz të tyre”.
Pra qytetari dixhital shkruan se 5-6 ditë më parë në rrugën e magazinave, e cila ruhet kryesisht nga policia janë parë lëvizje automjetesh, natyrisht që transportonin drogën nën mbrojtjen e policisë. Kështu që teatri i sotëm i policisë vetëm se provon të vërtetën e dëshmisë së oficerit dixhital.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetoje me përparësi këtë mega dosje droge si dhe çdo implikim të Policisë së Shtetit si në mbrojtjen ashtu dhe në përpjekjen për të zhdukur gjurmët e krimit të policisë! sb

Lufta mes karteleve në PS dhe polici për drogën

Ka një luftë të heshtur, por mjaft të ashpër mes karteleve të pushtetit për kontrollin, transportin dhe tregtimin e drogës. Lufta është mes kartelit të drogës në polici që menaxhon pjesën më të madhe të drogës në të gjithë vendin dhe mes  kartelit të njerëzve të fortë të PS që administrojnë zona të caktuara. Duke qenë se fitimet janë marramendëse, kjo ka sjellë edhe përplasje të forta ku secila palë kërkon të eliminojë palën tjetër. Kjo po ndodh prej kohësh në shumë qytete të vendit. Një simbolikë e qartë e kësaj lufte është edhe zona e Lezhës, ku policia kërkon të ruajë pjesën e saj të drogës dhe drejtuesit e PS të Ramës, vëllezërit Ndoka kërkojnë të kapin policinë për t’i zhvatuar asaj pjesën e vet tek droga. Bëhet fjalë për një luftë të ashpër kriminale dhe është prova më e qartë e asaj që përfaqëson sot PS në qeveri.
Ardhja e Ermal Muçës në krye të Drejtorisë së Policisë së Lezhës, një të besuarit të Tahirit në klanin e drogës së Tepelenës nuk i kish pëlqyer shumë vëllezërve Noka në Policinë e Lezhës.  Po ashtu shumë grupeve të tjera, s’u kish pëlqyer as emërimi i Qebinit dhe ky pjesëtar i klanit të drogës nga Tepelena në Policinë Kufitare të Vlorës, ku u dërgua si përforcim për vëllezërit Habilaj, të cilët kontrollojnë shumicën e trafikut të rrugëve detare atje. Durrësi ngelej në dorë të Perlat Çullhaj, dhe ky i emëruar direkt nga Saimir Tahiri. Çdo sasi kanabisi që duhej të kalonte kufirin, me patjetër duhet të kalonte nëpër duart e klanit të Tahirit, çka solli një situatë shqetësuese brenda grupeve mafioze, që nuk kishin dhënë më pak kontribut në zgjedhje se sa të tjerët. Shëngjini u mor në dorë nga Ermal Muça, e kështu me radhë. Tarifa e transportit sa po vinte e po bëhej gjithnjë më e madhe i ndodhur nën presionin e klaneve mafioze, Rama do të kthente sytë nga Fatmir Xhafa. Menjëherë pas marrjes së detyrës goditja e parë do ishte ajo e Komisariatit të Lezhës dhe Kurbinit. U bë shkak një sasi e papërfillshme hashashi që të fillonte një përndjekje ndaj gjithë zinxhirit drejtues atje. Në fakt qëllimi ishte të dilej tek Ermal Muça, por dhe të goditeshin disa efektivë policie që një vit më parë kishin goditur një magazinë të depozitimit të hashashit me më shumë se 4 ton brenda në Rrëshen. Thuhej se ortakë edhe aty ishin vëllezërit Noka. Droga nuk dihet se ku përfundoi, pasi nuk u mbajt asnjë procesverbal, por pronarët e saj pësuan humbje të rënda, dhe natyrisht mbrapa tyre flitej se qëndronin vëllezërit Noka. Pa lejen tyre nuk mund të bëhet asgjë në qytetin verior, ata janë të paprekshëm. Dhe nuk do të mjaftohej me aq! Zinxhiri i shkarkimeve po arrin deri tek drejtori Muça. Burime nga Policia e Shtetit shprehen se për këtë ngjarje kanë nisur hetimet dhe për të, nuk do të jetë e largët dita kur të shkarkohet nga Komisariati i Lezhës.

Sekuestrohet droga e Tahirit

Goditja tjetër do të kalonte në Përmet, ku 12 ton drogë në një magazinë e cila ruhej nga policia do të sillte fillimin e hetimeve për drejtorin e Policisë së këtij këtij Qarku Arianit Arapi, dhe ky në listën e të akuzuarve të Partisë Demokratike si i besuar i Saimir Tahirit në trafikun e drogës në zonën e vendlindjes së tij Tepelenë. Burime policore shprehen se deri më tani, nuk ka asnjë informacion për pronarët e drogës së gjetur në Përmet. Janë shkarkuar jo pak, por një trailer me drogë në magazinë dhe nuk dihet gjë as për punëtorët, as për pronarët që e kanë shkarkuar.  Të njëjtat burime shprehen se, droga e gjetur në Pagri të Përmetit dyshohet të jetë direkt e ministrit Saimir Tahiri, dhe magazina përdorej si pikë grumbullimi për të gjithë zonën e Tepelenës, Këlcyrës dhe Përmetit. Raportimet shprehen se deri vonë, ajo ruhej nga forca policore…. Goditja tjetër do ishte ajo e Beratit. Një laborator në Skrapar do sillte shkarkimin e Fatmir Lleshajt, ish-shef i polcisë së Komisariatit Nr. 4 dhe ky një i besuar i Saimir Tahirit, i akuzuar nga Partia Demokratike se ishte transferuar në Qarkun e Beratit për të kontrolluar mbjelljen dhe trafikun në zonën e Beratit dhe Ersekës.

Pse trafikantët nuk preken?

Deri më tani askush nuk është arrestuar, të paktën nga trafikantët jo. Dhe shifrat që jep policia janë qeshrake. Nga 15 mijë kontrolle, janë konstatuar vetëm 28 raste magazinimi apo kultivimi kanabisi. Trafikantët janë aty, lënë të lirë për t’u thirrur nën armë në zgjedhjet e ardhshme, thjeshtë po u tregohet se “biznesi” tashmë ka ndërruar shefin. Eshtë një biznes dhe një armatë narkotrafikantësh, që Rama s’mund ta linte nën kontrollin e Tahirit, i cili njihet për shpërthimet e tij emocionale dhe tendencën për t’u shfaqur në media. Në krye të saj është vënë Fatmir Xhafaj, i cili po ndjek një strategji tjetër, ku me një gur përpiqet të vrasë dy zogj. E para të marrë nën kontroll rrugët e trafikut të drogës, dhe e dyta për t’u dukur para opinionit publik se po lufton fenomenin e drogës. Në fakt edhe pas ardhjes së Fatmir Xhafajt, tonelatat me drogë vazhdojnë të kalojnë drejt Italisë. Dy ditë përpara se të kryehej goditja ndaj Komisariatit të Kurbinit, në Portin e Barit u kapën më shumë se 2 ton drogë në kamion, të cilat kishin kaluar nga dogana e Durrësit. Asnjë arrestim, asnjë deklaratë, thjeshtë heshtje. Asnjë arrestim as për tetë tonët e drogës së kapur po në Itali, edhe këto të kaluara nëpërmjet doganës së Durrësit. Natyrisht, gjërat janë të ndara. Durrësi vazhdon të kontrollohet nga Rama, si pika më e madhe e kalimit të drogës. Xhafaj është aty për të garantuar se askush nuk duhet të dalë nga rreshti. Dhe këtë detyrë duket  se po e kryen më së miri.

Arben SHAHINI