Shoqëria civile kundër ndërtimit të resortit në Divjakë nga Mabetex Group

Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta ka reaguar dje në një deklaratë për shtyp kundër projektit të kompanisë Mabetex Group për ndërtimin e një resorti në Parkun e Mbrojtur të Divjakës. “Resorti Divjakë Albania i propozuar nga Kompania Mabetex Group nuk është asgjë tjetër veçse një projekt tjetër ndërtimi në një zonë të mbrojtur. Qeveria po i shet kompanisë private për vetëm 1 euro, 12 km të vijës bregdetare dhe 1700 hektarë tokë në zonë të mbrojtur. Ky është privatizim për përfitime personale e një pasurie kombëtare e ruajtur prej shekujsh dhe e sanksionuar në disa akte ligjore mbrojtëse që e kanë zanafillën që prej vitit 1964”. Sipas kundërshtarëve të projektit, ai është shkatërrues për zonën, pasi për nga kapaciteti është sa dyfishi i qytetit të Divjakës, ndërkohë që ka një shtrirje dhe ndikim shumë më të gjerë në territor. Kompania private do të ndërtojë 2,400 apartamente, 370 vila, një resort turistik prej 90 ha dhe një qytet për 18,000 banorë. Sipas deklaratës, projekti është edhe i jashtëligjshëm, pasi miratimi i këtij resorti shkel ligjet e vendit për zonat e mbrojtura, si dhe konventat ndërkombëtare si ajo e Ramsarit, e Bernës, e ESPOOS dhe Direktivat e Habitateve dhe të Shpendëve të Bashkimit Europian, si dhe do të zhvlerësonte të gjitha nismat institucionale dhe ligjore të qeverisë dhe Parlamentit për mbrojtjen e natyrës. “Ky projekt qartazi do të sjellë dëmtim të ekosistemit, gjallesave të egra, por edhe shkatërrim të ekonomisë lokale e sidomos asaj të peshkimit”.