Presidenca: Dialog për zgjedhje të lira

Presidenti Nishani, me anë të një deklarate për median, deklaroi dje se, kushtet për dialog janë, por shigjetoi kreun e qeverisë, i cili vazhdon me shantazh përmes deklaratave të tij. Zëdhënësi i Presidentit u shpreh në favor të nisjes së dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, duke marrë edhe rolin e ndërmjetësit në këtë proces. Presidenca thotë se dialogu do të duhet të fokusohet tek krijimi i kushteve për zgjedhje të lira.

Deklarata

“Institucioni i Presidentit të Republikës shpreh keqardhjen për adresimet e sotme me sfond politik të Kryeministrit ndaj angazhimeve dhe përmbushjes së funksioneve kushtetuese të Presidentit të vendit.
Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë Presidenti i Republikës nuk ka shfaqur dhe nuk ka ushtruar tagrin e tij kushtetues në mënyrë të njëanshme në favor të një pale politike apo me qëllime politike.
Për fatin e trishtë të demokracisë shqiptare dhe në dëm të përpjekjeve për të konsoliduar një kulturë politike civilizuese dhe evropiane, ka qenë Kryeministri i vendit, i cili ka sulmuar dhe shantazhuar në mënyrë të njëanshme dhe sistematike institucionin e Presidentit të Republikës.
Kemi shprehur në vijimësi shqetësimin ndaj kësaj platforme politike për të delegjitimuar institucionin e Presidentit të Republikës dhe kultivimit të modeleve autoritariste në raportet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si një parim fondamental dhe i pamundshëm për t’u ndryshuar në Shqipëri.
Presidenti i Republikës ka ofruar vullnetin e tij dhe është angazhuar për të krijuar të gjitha kushtet e nevojshme dhe realizimin e një dialogu politik midis mazhorancës dhe opozitës.
Por askush nuk mund të fyejë dhe të keqpërdorë seriozitetin e vullnetit dhe angazhimit, dinjitetin dhe integritetin e institucionit më të lartë të shtetit të shqiptarëve.
Presidenti i Republikës i vlerëson si shumë të rëndësishme rekomandimet teknike të OSBE/ODIHR-it për Kodin Zgjedhor, por këto janë çështje për diskutim dhe zgjidhje në tavolinën e Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe jo e axhendës presidenciale për tejkalimin e krizës politike në vend.
Institucioni i Presidentit të Republikës u bën edhe një herë thirrje palëve të ulen në tryezën e dialogut me axhendë serioze dhe të gjithpranuar, duke u larguar nga retorika pa produkt, në shërbim të çtensionimit të situatës dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj qytetarëve shqiptarë për të pasur mundësinë të votojnë të lirë në zgjedhjet e ardhshme politike në vend”.

Zgjedhjet duhet të kenë garancitë e lirisë dhe sigurisë nga bota e krimit

“Procesi zgjedhor duhet të jetë një proces që duhet të ketë garancitë e lirisë dhe të sigurisë nga bota e krimit”, kështu është shprehur Presidenti Nishani në një intervistë televizive në lidhje me situatën në vend dhe kauzën e drejtë të ngritur nga opozita. “Situata është shumë herë më serioze, shumë më e agravuar dhe polarizimi i palëve është shumë herë më i madh. Sot, opozita thotë se ne nuk mund të hyjmë në zgjedhje, sepse qytetarët shqiptarë, ata të cilët votojnë opozitën apo dëshirojnë të votojnë opozitën, janë drejtpërsëdrejti të kërcënuar nga persona me rekorde kriminale në shërbim të procesit elektoral për të penguar qytetarët për të marrë pjesë në procesin zgjedhor apo për të votuar sipas orientimeve që vijnë nga bota e krimit. Ky si shqetësim është shumë serioz dhe shumë i madh. Nga ana tjetër, qeveria thotë unë jam në legjitimitetin tim sepse jam një qeveri legjitime e zgjedhur normalisht dhe ashtu është, por duhet më së pari dhe ka përgjegjësinë e madhe të japë të gjitha garancitë opozitës që fushata elektorale dhe procesi zgjedhor duhet të jetë një proces që duhet të ketë garancitë e lirisë dhe të sigurisë nga bota e krimit. Në momentin që garantohen këto dy elementë, unë besoj që opozita duhet të vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e saj dhe të përmbushë përgjegjësitë kushtetuese”.