Basha: Jo monologut ku të përdridhet para kamerave

Kryetari i opozitës, Basha denoncoi dje një tjetër magazinë droge në Lezhë me një sasi rekord të lëndës narkotike prej 400 tonësh, por që është e paprekshme sepse është nën mbrojtjen e bandave të lidhura me Ramën. “E di ministri yt i Brendshëm, e di drejtori yt i policisë, 400 tonë drogë në një magazinë në Lezhë, por s’e prek dot, aq sa nuk prek dot Arben Ndokën, sepse droga është vetë karrigia ku ti je ulur”, denoncoi Basha për të dytën ditë me radhë malin e drogës së akumuluar nga banda në pushtet.
Lulzim Basha tha se Kryeministri Rama nuk mund ta bëjë ndarjen e krimit nga politika, si kërkon çdo demokraci e lirë, pasi kriminelët janë këmbët e karriges së tij kryeministrore.
“Bota është e shqetësuar me ne, sepse një vend anëtar i NATO-s, i cili bllokoi tërësisht trafikun e qenieve njerëzore, i cili çoi në nivele minimale trafikun e drogës, që futi banditët, që ti po liron sot, në burg, sot, për shkak se në krye të vendit është jo thjesht një i papërgjegjshëm, por një aleat i krimit të organizuar, që nuk kontrollon dot as territorin dhe as kufijtë e vendit. Çfarë do të bësh me 400 tonë në magazinën e Lezhës”, tha ai.
Basha tha se kjo është arsyeja pse Kryeministri nuk kërkon dialog politik, por vetëm monologje shterpë në funksion të propagandës dhe fasadave me të cilat është mësuar t’u shpëtojë përgjegjësive.
“Ndaj dhe refuzon dialogun për qeverinë teknike që do të luftojë drogën, që do të nxjerrë të inkriminuarit nga institucionet dhe do t’i japë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë dhe votimin elektronik që një vit e zvarrite, sepse  votimi elektronik, është vetingu i vërtetë nga qytetarët shqiptarë për politikanët e korruptuar dhe kriminelët e lidhur me ta. Sot, mbushen tetë ditë që ti duhet t’i përgjigjesh ftesës për dialog, për të cilën ti re dakord të mërkurën e javës së kaluar.
Re dakord, për të diskutuar për qeverinë teknike dhe mandatin e qeverisë teknike. Këtë kemi kërkuar që prej ditës së parë. Askush nuk ka kërkuar pushtet në tavolinë”. Thirrjen për zgjidhjen e krizës përmes qeverisë teknike që në mandatin e saj do të krijojë kushtet bazike për liri vote, Lulzim Basha ia drejtoi Kryeministrit.
“Të shkojmë në një dialog të vërtetë, siç kam insistuar dhe siç kemi insistuar prej fillimit. Jo monologje shterpë që të dalë e të përdridhet para kamerave, por një dialog të vërtetë. Cakto negociatorin të përfundojmë përgatitjet për dialogun siç re dakord të mërkurën e javës së ardhshme dhe orën e vendin ta kam lënë ty. Kjo është rruga që ne preferojmë”.

Tre objektivat e qeverisë teknike

Kryetari i opozitës, Basha është shprehur se është i gatshëm që të ulet në dialog me qeverinë në rast se axhenda e takimit do të synojë t’i japë zgjidhje krijimit të qeverisë teknike dhe tre objektivave që ajo duhet të përmbushë. Basha thotë se duhet të jetë qeveria teknike, ajo që duhet të organizojë zgjedhjet e lira.
“Kam insistuar që në fillim se dialogu me Edi Ramën duhet të jetë i vërtetë dhe jo dialog fasadë, sa për të bërë foto e për të dalë para kamerave. Dialogu i vërtetë nuk mund të zëvendësohet nga dy monologje shterpë. Dialogu i vetëm i vërtetë është ai që përgatitet me përgjegjësi të lartë për t’i dhënë zgjidhjen e vërtetë krizës së vendit: krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Për të përgatitur këtë dialog kemi vënë në dispozicion prej 8 ditësh negociatorët tanë.
Nuk po i kërkojmë Edi Ramës pushtetin në tavolinë, ne do të mbetemi në opozitë derisa populli të na votojë për të qeverisur me votën e tij të lirë. Ne po i kërkojmë Edi Ramës që të hiqet mënjanë, për t’i hapur rrugën një qeverie teknike, të paanshme, e cila duhet të përmbushë tri objektiva jetike për demokracinë dhe të ardhmen e vendit:
1. Zbatimin e dekriminalizimit, për të larguar kriminelët dhe ndikimin e tyre nga politika;
2. Ndalimin dhe luftimin e kultivimit masiv të kanabisit dhe të trafikut të drogës, që janë kthyer në rrezik jetik për demokracinë, rendin dhe të ardhmen e vendit;
3. Garantimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Dialogu i vërtetë kërkon që Edi Rama të vendosë të ndahet nga krimi. Nëse e gjen kurajon të ndahet nga pushteti i krimit dhe për hir të qytetarëve shqiptarë, t’i hapë rrugë qeverisë teknike të zgjedhjeve të lira e të ndershme, unë jam gati të ulem me të kudo, në çdo orë dhe pa asnjë pretendim”, thotë Basha.

Antikomunistët mbështetje të plotë lëvizjes popullore

Paraditen e 56 në sheshin e lirisë, kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me historianë, gazetarë dhe pedagogë për periudhën postkomuniste në Shqipëri dhe mënyrën se si qytetarët e kujtojnë atë gjysmë shekulli diktaturë.
Marçela Leskaj, bijë e të përndjekurve politikë, e lindur në internim, tha se thelbi i demokracisë është pikërisht mendimi kundër dhe debati konstruktiv që ndërtohet mbi të. Ajo tha se çdo qytetar i Shqipërisë duhet të interesohet nga pak për mënyrën se si merren vendimet për ta, pasi me një Kryeministër, i cili ka prioritet propagandën, e kanë të vështirë të kuptojnë ku qëndron e vërteta dhe gënjeshtra.
Fitim Zekthi tha se komunizmi në thelb të tij është mungesa e lirive të qytetarëve. Zekthi theksoi dy elementë të sistemit komunist, të cilët ndikojnë edhe sot në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Aparatet e kontrollit dhe dhunës mbi qytetarët, si ishte Sigurimi i Shtetit në monizëm, punonjësit e së cilës nuk u kuptua çfarë roli morën pas rënies së diktaturës.
Momenti i dytë ishte shfrytëzimi i njeriut në varfërinë ekstreme të tij, që krijoi njerëz të paaftë për të marrë përgjegjësi në jetë, pasi gjithçka vendosej për ta nga Partia e Punës. Zekthi tha se të dyja këto grupime njerëzish pas vitit ‘91 u përballën me lirinë dhe nuk ditën të sillen me të. Kur Edi Rama tha se do të hyjë në zgjedhje i vetëm sepse krizën Partia Demokratike e ka me veten e saj, më kujtoi presidentin e Sudanit dhe është dramatike të mendosh që kjo gjë mund të ndodhë sot në Europë, përfundoi Zekthi.
Publicisti Çelo Hoxha tha se korrupsioni nuk është ryshfeti, por kontrolli i pushtetit nga krimi dhe bandat. E tillë ishte për historianin dhe periudha komuniste 45-vjeçare e Shqipërisë. Komunizmi është shkalla më e lartë e korrupsionit të një shoqërie, sepse një bandë kriminale merr në dorë pushtetin dhe merr peng institucionet e vendit dhe e njëjta gjë po ndodh edhe sot, tha Hoxha. Ai bëri një paralelizëm mes pjesëtarëve të bandës së 45 viteve komunizëm dhe njerëzve të cilët sot përfitojnë nga politika mjekësore dhe koncesione, duke qenë të lidhur ngushtë familjarisht me “ish-bllokmenët” e diktaturës, duke iu referuar koncesionit të marrë nga Vilma Nushi, gruaja e djalit të Gogo Nushit (anëtar i lartë i Byrosë Politike komuniste).
Gazetari Nebil Çika foli për nevojën për të pastruar politikën e sotme, nga figura të cilat lidhen ngushtë me kupolën e diktaturës komuniste shqiptare. Çika tha se lufta e këtij vendi me komunizmin nuk përfundoi kurrë dhe se do të jetë detyrë e Republikës së re të kthejë atë faqe njëherë e mirë. Është pikërisht ajo vota e lirë, të cilën zoti Basha e bëri kauzë, nga ku nis gjithçka për lirinë dhe demokracinë, tha Nebil Çika.

Rama e ka përmendur fjalën “burg” plot 1350 herë

Profesor Enver Bytyçi tha se institucioni më i rëndësishëm sot, është ai nga ku çdo ditë jepen mesazhe paqeje, lirie dhe demokracie, vetë çadra e qëndresës së qytetarëve. E vërteta është se nuk mund të ketë stabilitet pa liri dhe demokraci, ndaj vendosja e këtyre standardeve është mision i vështirë, por jo i pamundur, tha Bytyçi.
Ai tha se demokratët me lëvizjen e tyre 56 ditore treguan vendosmëri përmes paqes dhe qytetarisë, teksa kryeministri Rama shpenzon ditët duke kërcënuar qytetarët me burg. Në 356 ditë të vitit, kryetari i Rilindjes Edi Rama e ka përmendur fjalën “burg” plot 1350 herë, përmbylli Enver Bytyçi, duke theksuar tezën e tij se kontratën sociale Kryeministri nuk e ka me qytetarët, por me krimin.
Kreu demokrat, Lulzim Basha plotësoi edhe më tej tezën e profesor Bytyçit duke theksuar se Kryeministri Rama kurrë nuk u ndje llogaridhënës dhe përgjegjës para qytetarëve, pikërisht për arsyen e vetme se fatin e tij e lidhi me kriminelët me damkë në Shqipëri dhe trafikantët e drogës, të cilët i bëri deputetë, kryetarë bashkish dhe drejtorë të mëdhenj.
“Ky është realiteti, kjo nuk është fantazi. Kush e solli Arben Ndokën në Parlament? Armando Prengën, Mark Frrokun, Klemend Balilin në krye të Transporteve të Sarandës, Artur Bushin kryetar bashkie në Krujë dhe Elvis Rroshin në Kavajë?
Këta kriminelë bëjnë sot ligjin në Shqipëri. Këta dhe vetëm këta ndryshojnë planet urbanistike, nxjerrin leje ndërtimi. Këta fitojnë tenderat ose përcaktojnë se kush i fiton tenderat. Ky është shteti i Edi Ramës”.