Marco Reus rikthehet në stërvitje

Marco Reus i rikthehet fushës së blertë. Sulmuesi i skuadrës së Borussia Dortmund ka lënë pas dëmtimin e pësuar në muajin mars, në takimin kundër Bayern Leverkusent. Lajmi e konfirmon vet trajneri i verdhezinjve Tomas Tuchel, i cili ka deklaruar se Reus do të jetë i gatshëm për takimin e fundjavës kundër Eintracht Frankfurt. “Reus i është rikthyer stërvitjes së bashku me pjesën tjetër të skuadrës. Tashmë, ai është rikuperuar plotësisht dhe në takimin kundër Eintracht Frankfurt do të jetë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij. Nëse do të jetë apo jo titullar, këtë gjë ende nuk e kam vendosur”, tha ai.
Borussia Dortmund numëron 34 takime në kampionat pa pësuar asnjë humbje brenda në stadiumin e tyre “Signal Iduna Park. Verdhezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht fitoren përballë Eintracht Frankfurt, në mënyrë që të sigurojnë vendin e tretë në kampionat, çka do t’i garantonte atyre kualifikimin drejtpërdrejtë për në sezonin e ardhshëm të Champions League.