Kush është sheiku që Rama po i fal 142 milionë euro

Kuvendi ka dhënë miratimin për hapjen e negociatave për të firmosur marrëveshjen e ndërtimit të kullës ikonike në Tiranë. 78 deputetë të Kuvendit votuan pro ndërtimit të saj, ndërsa njëri abstenoi. Firma arabe “Al Habtoor Investment” që do ta ndërtojë kullën ka kërkuar të përjashtohet nga taksat për 15 vite, si dhe faljen e 25 000 m2 truall tek bulevardi i ri që po ndërtohet në Tiranë. Firmosja e kësaj kontrate duhet të kalonte me çdo kusht nga Kuvendi duke qenë se firma arabe që do ta ndërtojë ka kërkuar të përjashtohet nga taksat. Ambientet do të kenë si qëllim banimin, dhënien e shërbimeve dhe hotelerinë. Kompania “Al Habtoor Investment” ka premtuar se do të përfundojë ndërtimin për 3 vjet. Për këtë projekt firma arabe do të investojë 250 milionë dollarë. Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji ka hedhur dyshime të forta dje në lidhje me këtë projekt të miratuar me firmën e vetë Ramës. Përmes një postimi në Facebook, Salianji shpreh shqetësimin se si përmes këtij projektligji që kaloi pa asnjë diskutim e gati në mënyrë të fshehtë në Parlament, Rama i fal kompanisë arabe jo pak, por plot 142 milionë euro përmes përjashtimit nga taksat, si dhe faljen e truallit prej 25 mijë metra katrorësh ku do të ndërtohet kulla. “Me një nxitim të pashpjegueshëm procedurial, pa asnjë diskutim publik, pa asnjë konkurrencë apo pa krijuar kushtet e garës së ndershme, ku i shkelet e drejta bizneseve vendase apo të huaja për të konkurruar, qeveria e kaloi dje në komisione parlamentare dhe po vrapon që me shumë gjasë nesër ta paraqesë në Kuvend projektligjin mbi marrëveshjen 250 milionë euro me kompaninë arabe. Duhet theksuar se çdo investim i huaj duhet mbështetur, çdo investim duhet parë si prioritet i përfitimit të vendeve të punës, të rritjes së të ardhurave, reputacionit të mirë të ekonomisë shqiptare e një sërë përfitimesh të tjera ekonomike dhe sociale. Çdo investim duhet parë si marrëveshje përfitimi publik e kombëtar dhe nëse nuk është e tillë nuk mund të konsiderohet aspak investim. Por pse pikërisht kjo marrëveshje që duket në pamje të parë si thithja e një investimi të huaj është më shumë një aferë gjigante korrupsioni! Projektligji i veçantë i propozuar nga Këshilli i Ministrave në Kuvend kërkon që t’i japë 25 mijë metra katrorë falas dhe përjashtim nga të gjitha taksat për 15 vjet një kompanie arabe në shkëmbim të ndërtimit të një kulle që premtohet se do të kushtojë 250 milionë dollarë”, shprehet ai. Duke sjellë në vëmendje mënyrën se si qeveria po fal pasurinë publike dhe taksat e qytetarëve, Salianji thekson se i gjithë ky proces është shoqëruar me dhënien e këtij projekti një kompanie në mënyrë preferenciale e aspak transparente. “Ndërsa reklamohet vlera e investimit, jo pa qëllim nuk bëhen transparente kushtet që ka shkëmbyer apo falur qeveria. Kështu vetëm vlera e tokës që i falet kompanisë në zgjatimin e bulevardit ekzistues, e cila ka një sipërfaqe prej 25.000 m katrorë, vlerësohet së paku 62 milionë euro. Përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar vetëm për vlerën e ndërtimit i fal kompanisë 20 për qind TVSH që rezulton 50 milionë euro të tjera të falura. Duke vijuar me përjashtimin nga taksat dhe tarifat vendore për 15 vjet, vlera e së cilave i kalon së paku 30 milionë euro të tjera të falura, të cilat përveçse nuk hyjnë në buxhetin e shtetit dëmtojnë konkurrencën dhe interesat e bizneseve të tjera vendase të së njëjtës fushë. Me një kalkulim fare të thjeshtë në shkëmbim të këtij ‘investimi’ qeveria fal nga pasuria publike dhe nga taksat e qytetarëve 142 milionë euro (62 milionë euro vlera e tokës, 50 milionë euro TVSH, 30 milionë euro taksa dhe tarifa). Nëse ky investim sërish edhe me kushtet lehtësuese të investimeve të këtij lloji do të rezultonte pas një procesi transparent ku hapej konkurrenca për të gjitha kompanitë me rregulla të përcaktuara garë dhe informacion transparent ndoshta do të diskutohej në një prizëm tjetër. Por ajo që po ndodh është dhënia në mënyrë preferenciale si një ofertim i falur nga vetë qeveria shqiptare, çka e bën këtë një megaskandal”, thekson Salianji. Gjithashtu, ai hedh dyshime edhe mbi takimin e Ramës në Budapest me investitorin që ka përfituar projektin. “Kompania kërkuese mund të jetë kompani serioze dhe me eksperiencë, asnjë paragjykim për reputacionin dhe qëllimshmërinë e kompanisë, por procedura e ndjekur dhe shpejtësia e marrjes së vendimeve pa asnjë rregull loje të respektuar, e cila shoqërohet dhe me takimin e kryeministrit Rama me investitorin shumë kohë më parë në një hotel në Budapest, janë të dhëna që të mbledhura bashkë përbëjnë provën e plotë që investimi të lexohet si aferë e pastër korruptive. Theksoj se kompania është plotësisht e paparagjykuar në këtë rast. Falja e kësaj shume nga pasuritë publike mund të jetë njëqind për qind në përfitimin e drejtpërdrejtë korruptiv për qeveritarët shqiptarë. Takimi i Ramës në datën 6 maj 2016 në Budapest në hotel ‘The Ritz’, i rri mbi kokë leximit të qartë të këtij skandali, ndërsa tregon qartë konfliktin e interesit. Sigurisht ministrat dhe ata që do të ngrenë kartonin për ta aprovuar do të mund të thoshin takim i rastësishëm, qëlloi rastësisht e njëjta kompani dhe po aq rastësisht i falëm së paku 142 milionë taksa e troje, por shumë rastësi bëjnë një ligjësi dhe një qëllim të qartë. Në këtë rast është përfitimi korruptiv”, shprehet Salianji në denoncimin e tij.

15 vite pa taksa doganore për firmën ndërtuese

Kompania “Al Habtoor investment LLC”, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me seli në Dubai, ka shprehur interesin pranë Bashkisë së Tiranës për realizimin e projektit “Kulla ikonike”, në Tiranë, një investim i cili kap shifrën rreth 250 milionë dollarë. Ky projekt ka të bëjë me ndërtimin e “Kullës ikonike”, në zgjatim të bulevardit të ri të Tiranës. Në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi i një sipërfaqeje prej 25 000 m2, të një parcele trekëndore në zgjatim të bulevardit të ri në Tiranë, në këmbim të një sipërfaqeje ambientesh në favor të Bashkisë së Tiranës, përjashtimin nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimi mbi fitimin apo çdolloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare. “Për të gjitha këto parashtrime më sipër në lidhje me përfitimet që përfaqëson realizimi i këtij projekti për ekonominë shqiptare, si dhe për të qenë transparentë në këtë proces, kërkohet tagri për fillimin e negociatave me kompaninë e sipërpërmendur me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të favorshme për të dyja palët”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin. Me anën e këtij projektligji autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Avokatura e Shtetit për fillimin e negocimit të marrëveshjes për realizimin e këtij projekti. Në nenin 1 parashikohet se objekti i projektligjit është përcaktimi i procedurës për negocimin e marrëveshjes, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Al Habtoor investment LLC”, për projektimin dhe ndërtimin e “Kullës ikonike”, në Tiranë. Neni 2 parashikon se procedura e negocimit të marrëveshjes do të ndiqet nga Komisioni i Negocimit të Marrëveshjes, kryesuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe që ka në përbërje përfaqësues nga Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Avokatura e Shtetit. Komisioni i Negocimit të Marrëveshjes do të fillojë negociatat me kompaninë ″Al Habtoor investment LLC″ për propozimin e paraqitur prej tyre, pas hyrjes në fuqi të ligjit. Neni 3 përcakton se Komisioni i Negocimit të Marrëveshjes, në përfundim të procedurave të negocimit harton një raport, të cilin ua dërgon për shqyrtim ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Financave. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministri i Financave, brenda afatit prej 30 ditësh nga data e paraqitjes së raportit, shprehen nëse janë dakord ose jo me propozimin e paraqitur. Nëse ato janë dakord vijojnë me procedurat e miratimit në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvend. Nëse ato nuk janë dakord, ia kthejnë Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes, me vërejtjet përkatëse. Në rast të mosarritjes së një konkluzioni konkret në lidhje me marrëveshjen me kompaninë “Al Habtoor investment LLC” nga ana e Komisionit të Negociimit të Marrëveshjes, kjo marrëveshje do të konsiderohet e pasuksesshme.