Inter kërkon Mertens dhe Tielemans

Zikaltërit po planifikojnë përforcimin e ekipit, për të mos çuar dëm një tjetër sezon dhe Zanetti e Ausilio kanë filluar të listojnë objektivat. Dy futbollistët belgë, sulmuesi Dries Mertens i Napolit dhe mesfushori Youri Tielemans i Anderlecht janë në listën e objektivave për të përforcuar ekipin në sezonin e ardhshëm. I pari është duke negociuar rinovimin e kontratës me Napolin, por palët janë ende shumë larg dhe duket se Mertens do të largohet këtë merkato.
Zv.presidenti zikaltër, Javier Zanetti ka udhëtuar në Napoli për të takuar sulmuesin belg dhe për të diskutuar mbi dëshirën e tij për t’u veshur zikaltër. Pritet që legjenda e Interit t’i prezantojë Mertensit projektin zikaltër dhe t’i ofrojë atij një vend të rëndësishëm në këtë projekt, pasi sulmuesi napolitan është i afirmuar tashmë në Serinë A dhe më gjerë dhe nuk ka nevojë për ambientim. Tielemans ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve dhe shikohet më shumë si një investim i rëndësishëm për të ardhmen. Kur jemi akoma mbi dy muaj larg fillimit të merkatos, duket se vera do të jetë vërtetë e nxehtë në ambientin zikaltër.