Çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në Francë?

Fatmirësisht për bookmakers-at francezë, atyre u ndalohet të vënë baste për zgjedhjet. Përcaktimi i koeficientëve në këtë garë, do të ishte “mizor”, pas gjithë atyre që kanë ndodhur deri tani.
11 ditë para raundit të parë, Franca është duke përtypur një mundësi, e cila vetëm pak javë më parë do të kish qenë e paimagjinueshme: eliminimin e të gjithë kandidatëve të partive kryesore dhe një përplasje mes populistëve radikalë. Një duel mes nacionalistit trockian, Jean-Luc Melenchon dhe Marine le Pen, është diçka që mund të ndodhë, shkruan e përditshmja britanike, “Times of London”.
Ky sistem, në të cilin ti voton me zemër në raundin e parë dhe me mendje në raundin e dytë, u projektua për të penguar ekstremistët që të shkonin në Pallatin Elysee. Ia ka dalë deri më sot, si për shembull kur Jean-Marie le Pen, babai i Marine, arriti deri në balotazh në vitin 2002.
Është e zakonshme të dëgjosh njerëz që thonë se, as nuk e kanë idenë për kë do të votojnë dhe një numër rekord pritet të abstenojnë. Jerome Fourquet, drejtor politik i institutit të sondazheve Ifop, tha dje: “Jemi në një Trekëndësh të Bermudës, vetëm se është më shumë një kub. Çdo gjë mund të ndodhë”.
Emmanuel Macron, ish-ministër i Ekonomisë, mbetet favorit për të fituar balotazhin, por ai duket i lëkundur, pasi gjysma e mbështetësve të tij, thonë se mund të ndryshojnë mendje.
Marine le Pen, që konsiderohet e sigurtë të arrijë në balotazh, e ka humbur shkëlqimin, pas akuzave për mashtrim në Parlamentin Evropian dhe shfaqjes nën nivel, në dy debate televizive.
Javë të tëra të skandalit mbi vendet e punës në Parlament për familjen plus dhuratat e dyshimta nga miqtë, nuk e kanë nxjerrë dot jashtë loje François Fillonin, ish-favoriti për këto zgjedhje. Konservatorët besnikë ende mund ta shpien atë mbi pragun që nevojitet për të dalë në balotazh.
Kjo fushatë ka qenë e mbushur me befasi, goditje e kundërgoditje, si skandali i Fillonit. Por ajo reflekton edhe indinjatën e fortë ndaj politikanëve, ekspertëve dhe mediave. Po atë indinjatë që çoi Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë dhe Britaninë jashtë BE-së.
Ashtu si anglosaksonët, pjesa më e madhe e Francës beson se politikanët janë të korruptuar, shtypi është i pabesueshëm dhe mediat sociale janë më të besueshme. Dhe duke qenë se francezët janë ndër popujt më pesimistë në Europë, ka edhe një ndjesi apokalipsi që po afron. Dhe kjo e bën më të mundshme mundësinë e një përplasjeje mes dy demagogëve në balotazh, të cilët të dy premtojnë largim nga BE dhe euro.
E megjithatë, edhe në fund këto zgjedhje mund të prodhojnë pakënaqësi. Macroni, favoriti për të fituar, mund të jetë një i pavarur i ri, por ai është gjithsesi një produkt i pastër i sistemit. Ai është një nëpunës civil miqësor ndaj biznesit, pro europian, që mbështetet prej ministrave socialistë dhe veteranëve të qeverisë së qendrës së djathtë.
Sipas të përditshmes britanike, “The Guardian”, janë zgjedhje, të cilat do të kenë një efekt të madh mbi matricën e marrëdhënieve europiane, sidomos në një moment kur po ndihet gjithnjë e më shumë fillimi i Brexit.
Gjatë kësaj fushate, gara për në Elysee është bërë gjithnjë e më paparashikueshme. Ajo që deri pak javë më parë, dukej si një garë, e cila po ngushtohej tek Marine le Pen e ekstremit të djathtë dhe Emmanuel Macron, një kandidat centrist, tashmë po zhvillohet drejt një raundi të parë me katër kandidatë, ku përfshihen i djathti François Fillon dhe radikali i majtë, Jean-Luc Melenchon.
Skenari më “i frikshëm”, sipas “The Guardian”, do të ishte një garë kokë më kokë mes Le Pen dhe Melenchon. Gjë që i bën me të vërtetë reale, shanset që të kemi një kapitull të ri, pas atyre të Brexit dhe zgjedhjes së Donald Trumpit.
Për momentin, elementi më dinamik që po ndryshon është forcimi i Melenchon. Duke shfrytëzuar pakënaqësitë ndaj establishmentit, si dhe dobësinë e fushatës së socialistëve për Benoit Hamon, Menelnchoni po ofron një listë dëshirash, që nga rritja e taksave tek shtimi i shpenzimeve publike, që nga shtetëzimet e deri tek ndarja nga traktatet e BE-së. Të gjitha këto, të përziera me qëndrime proruse dhe antiperëndimore. Dhe në javët e fundit, Melenchon është rritur me 6 pikë në sondazhe.
Rezultati? Tashmë në sondazhe kryesojnë tre “të jashtëm” në politikë. E gjithë kjo reflekton kolapsin e partive të pasluftës në Francë, majtas dhe djathtas, të përndjekura prej dekadash nga dështimi në gjetjen e një zgjidhjeje për papunësinë në vend (mbi 10 për qind në nivel kombëtar, 24% mes të rinjve). Paradoksalisht, pabarazia në Francë është më e ulët se sa në Britani, Gjermani dhe SHBA. Shteti social francez ka shërbyer si zbutës i efekteve shkatërrimtare të krizës së vitit 2009. Megjithatë, zemërimi popullor ndaj elitës parisiene, si dhe skandalet financiare, janë ndjerë fort.
Le Peni dhe Macroni vazhdojnë të jenë favoritë. E para është për një Francë të mbyllur, me qëndrime proteksioniste, antiglobaliste, antiimigrantëve dhe antiBE. I dyti është për hapje dhe diversitetin, për reformën e tregut të ngurtë të punës dhe shkurtimin e shpenzimeve publike (që sot zënë 56% të GDP-së), si dhe për një rigjallërim të projektit të BE-së, bashkë me Gjermaninë. Macroni po udhëheq një fushatë optimizmi dhe rimëkëmbjeje. Por, nga ana tjetër, vota për Le Pen do të jetë e fortë. Sot, idetë e ekstremit të djathtë në Francë janë më të fuqishme se kurrë. Ka zëra për një valë mbështetjeje në shumë anë të vendit. Të shpresojmë që jo. Megjithatë, fiton apo nuk fiton, Marine le Pen do të lërë një shenjë të fortë në Francë. Janë kohë të rrezikshme.