600 kg drogë me vlerë 6 milionë euro nga Shqipëria kapen në Bari

6 kuintalë drogë nga Shqipëria janë sekuestruar dje nga Guarda di Finanza në Bari. Sipas mediave italiane, Guardia di Finanza në Bari ka zbuluar në ujërat ndërkombëtare, një barkë të dyshimtë që po i drejtohej bregdetit të Pulias. Pasi barka është arritur në mes të rrugës nga njësitë detare, në bordin e saj janë parë dy persona që deklaruan se kishin disa ditë në det, sepse iu ishte prishur motorri.
Megjithatë, në afërsi të varkës, u gjetën të lidhura varg, 21 pako të mbështjella mirë që përmbanin 590.95 kg marihuanë. Droga ishte hedhur në det nga skafistët sapo ata kishin vërejtur ardhjen e Guardia di Finanza.
Nëse droga do të ishte hedhur në treg, organizata kriminale do të kishte fituar prej saj 6 milionë euro! Varka e tyre ishte 10 m e gjatë me dy motorë të fuqishëm; ajo u nxor në breg dhe u konfiskua. Të dy personat, H.R. 35 vjeç dhe D.B. 26 vjeç, ishin shqiptarë. Ata u arrestuan për trafik ndërkombëtar droge me vendim të Gjykatës së Barit. Hetimet janë në vazhdim në bashkëpunim me autoritetet policore shqiptare dhe Ministrinë italiane të Punëve të Brendshme.
Para tre ditësh u sekuestrua një sasi rekord droge prej 3.5 ton në dy operacione të ndryshme brenda 24 orësh. Në të dyja rastet, droga që në total kap një vlerë prej 20 milionë eurosh, vinte nga Shqipëria për në brigjet italiane. Policia italiane sekuestroi fillimisht në Abruzo një sasi rekord marijuane prej dy tonësh me një vlerë prej 10 milionë eurosh që sipas hetuesve italianë vinte nga Shqipëria. Hetimet kishin nisur para disa ditësh, kur 50-vjeçari italian nga Brindizi me inicialet G.C u ndalua për një kontroll rrugor rutinë.
Ditët në vijim, karabinierët kanë vazhduar të monitorojnë lëvizjet e tij, duke vënë re se ai bënte udhëtime të shpeshta nga Rozeto deli Abruzi në Fosacesia. Pikërisht, duke ndjekur këto lëvizje karabinierët italianë zbuluan në një depozitë në fshat një sasi droge. Dy ton marijuanë që u zbuluan dhe më pas sekuestruan ishin ndarë në pako prej 20 kilogramësh secili dhe ishin fshehur në një furgon. Në të njëjtin operacion, agjentët e policisë sekuestruan dhe një gomone me një gjatësi prej 10 metrash të pajisur me dy motorë jashtë bordit.