Shullazi dhe 4 ushtarët e bandës së tij, në gjyq për 9 vepra penale

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në gjyq Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e bandës së tij, të cilët do të gjykohen për 9 akuza të rënda penale. Bëhet e ditur se Emiljano Shullazi dhe 4 ushtarët e tij, Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela përfundojnë në gjyq me cilësinë e të pandehurve. Prokuroria për Krime të Rënda, pas hetimeve 12-mujore, dorëzoi në Gjykatë dosjen ndaj 5 të pandehurve, të cilët do të gjykohen për 9 akuza të rënda penale. Sipas dosjes së dy prokurorëve Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, të pandehurit përbëjnë rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kjo për shkak se gjatë dy viteve të fundit, është provuar thonë prokurorët, se Emiljano Shullazi dhe banda e tij i kanë vendosur gjoba tre biznesmenëve të ndryshëm, duke i marrë shuma të mëdha parash kundrejt kanosjes dhe dhunës. Veç gjobës, ata kanë vendosur edhe eksplozivë në dy biznese të ndryshme në shenjë presioni që të gjobiturit të paguajnë bandën e Shullazit. Ky i fundit dhe të dyshuarit si pjesëtarë të bandës së tij, do të gjykohen edhe për kanosjen për shkak të detyrës ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni.
Sipas akuzës, zbardhja e krimeve të Shullazit kanë nisur pas bashkëpunimit me drejtësinë të biznesmenit Ylvi Beqja. Ky i fundit, thuhet në dosje, fillimisht ka kërkuar ndihmë nga Emiljano Shullazi për të marrë pronën e tij ish-hotel “Vollgën”. Më pas, pas regjistrimit të pronës, Beqja thotë se 39-vjeçari Shullazi e ka detyruar të firmosë kontratën e dhurimit të 30% të pronës që ndodhet në Durrës. Veç kësaj, Beqja i ka thënë prokurorëve se Shullazi dhe banda e tij në disa raste të ndryshme, nën kërcënimin e dhunës dhe kanosjes i kanë marrë atij në formën e gjobës rreth 550 mijë euro.
Emiljano Shullazi dhe banda e tij, do të gjykohen edhe për gjobëvënien ndaj biznesmenit Adriatik Kërçuku nga Lushnja në janar të vitit 2016. Për shkak të mos pagesës së gjobës, banda e Shullazit akuzohet se në mars i kanë vendosur eksploziv biznesit të tij.
Po me eksploziv është sulmuar edhe biznesi i Jani Zakës, tashmë i arratisur nga Shqipëria për shkak të kërcënimeve. Sipas akuzës, Shullazi dhe banda e tij, i kanë kërkuar Jani Zakës, parkingun, por për shkak të rezistencës, biznesit të tij i është vënë eksploziv në shkurt të 2016.
Sipas Prokurorisë, Emiljano Shullazi dhe banda e tij, do të gjykohen edhe për kanosjen për shkak të detyrës ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni, të cilëve i është kërkuar të mos garojnë në zgjedhjet e universiteteve. Për kërcënimin ndaj dy profesorëve, Prokuroria ka pyetur edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, që me shumë gjasa do të paraqiten edhe si dëshmitarë në procesin gjyqësor që pritet të nisë.

Grupi kriminal i drejtuar nga Shullazi dhe rolet e “ushtarëve” të tij

Me dërgimin e dosjes së Emiljano Shullazit dhe 4 ushtarëve të tij në gjyq, Prokuroria zbardhi mënyrën e krijimit dhe funksionimit të kësaj organizate kriminale, me qëllimin e vetëm përfitimin material e jo material me veprime të kundraligjshme. Në kërkesën për gjykim të firmosur nga prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, është renditur mënyra e funksionimit të kësaj organizate kriminale.
Prokurorët, një pjesë të mirë të dosjes së dërguar në gjyq, përshkruajnë mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të bandës kriminale të drejtuar nga Emiljano Shullazi. Ky i fundit, thuhet në dosje, ka arritur të formojë një grup të strukturuar kriminal, duke siguruar anëtarësinë e grupit, vijimësinë e tij, pasjen e një hierarkie në grup dhe kryerjen e krimeve të ndryshmë në formën e grupit të strukturuar kriminal. Sipas akuzës, i pandehuri Emiljano Shullazi është personi që ka rolin organizativ dhe personi, i cili me veprime aktive ka krijuar grupin e strukturuar, duke kryer njëherazi edhe vepra të ndryshme në emër të “bandës” që drejton.
Si anëtarët të kësaj bande, thuhet në dosjen e Prokurorisë, janë të pandehurit Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela, Blerim Shullazi dhe rreth 15 persona të tjerë, për të cilët hetimet po vazhdojnë. Në mesin e personave që po hetohen, thuhet nga Prokuroria, janë persona me precedent të theksuar kriminal në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Krujës, si pjesë e kësaj bande kriminale.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit dhe personat në hetim, që ende nuk janë arrestuar, kanë marrëdhënie të ngushta me njëri-tjetrin, dhe veprojnë në bazë të një plani të paramenduar. Veç aspektit shoqëror, prokurorët kanë konstatuar se mes të pandehurve ka edhe marrëdhënie farefisnore mes tyre. Ky grup, thuhet në materialet e Prokurorisë, funksiononte prej vitesh, duke kryer vepra penale me qëllimin e vetëm, përfitimin material dhe jo material nga individë të ndryshëm.