Paloka: Rama po korrupton të huajt me lidhjet mafioze

Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka denoncoi dje nga sheshi i lirisë përpjekjet e Ramës për të korruptuar përmes lidhjeve mafioze përfaqësues të huaj në institucionet europiane, të cilët mund të përdorin pozicionin e tyre në favor të vendimit të Ramës për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Paloka tha se Rama është më i vetmuar se kurrë, duke tentuar që të korruptojë me paratë e krimit aleatë vendas dhe të huaj. “Sot është më i vetmuar se kurrë, pavarësisht se nuk ka hequr dorë nga arroganca, nga sjellja e tij prej injoranti politik, prej arroganti, sot ai është më i vetmuar se kurrë dhe për këtë arsye po përpiqet të blejë dhe korruptojë aleatë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një situatë kriminalizimi që çdo ditë rëndohet më shumë. Përditë, krime, vrasje, atentate, siç ishte edhe ai i vrasjes së Artan Cukut. Ky shtet, Edi Rama jo vetëm që e la në dorë të krimit, por edhe e nxori në pritë për krimin, sepse është i lidhur me krimin, ata janë e vetmja shpresë për të dhe pastaj flet për media kazani për ndërkombëtarë që luftojnë atë ndërkohë që me paturpësi ka arritur deri aty sa me paratë e drogës, me lidhjet mafioze të tentojë të korruptojë edhe të huajt”, tha Paloka. Ai tha se në sallën e Parlamentit janë marrë vendime kundër interesave të popullit shqiptar. “Ndërkohë në atë sallën tjetër që ata e quajnë Parlament, por që nuk ka lidhje me Parlamentin, në atë sallë vazhdon sot e kësaj dite të punohet kundër interesave të shqiptarëve. Kanë marrë vendime që janë kundër interesave të shqiptarëve, sepse i tillë është Parlamenti i bandave. Prandaj jemi këtu dhe do të jemi deri në fitore dhe të jeni të bindur çdo ditë që kalon nuk bën gjë tjetër vetëm na afron me fitoren”, u shpreh Paloka ndër të tjera.