OSBE: Krimi tek zgjedhjet, populli kundër establishmentit

Një raport i OSBE me qendër në Vjenë deklaron se protestat e opozitës kanë fituar mbështetjen popullore kundër establishmentit, ndërsa thekson se paratë e krimit rrezikojnë zgjedhjet. Raporti është një nga më të ashprit dhe që ndryshe nga shumë të tjerë i referohet realitetit në Shqipëri. Ai flet pa dorashka për problemet zgjedhore që ka sot Shqipëria dhe krizën politike, e cila kërkohet të zgjidhet përmes krijimit të qeverisë teknike, për të cilën thekson raporti, “qeveria ende nuk është përkulur përpara këtyre kërkesave të opozitës dhe protestave”, duke lënë të kuptohet se asgjë nuk është e mbyllur. “Partia Demokratike ka bojkotuar Parlamentin dhe ka drejtuar protesta që kanë marrë mbështetjen e publikut, duke i kërkuar establishmentit një qeveri teknike që do të sigurojë kushtet e nevojshme për zgjedhje të ndershme”, thuhet në deklaratën e OSBE me qendër në Vjenë.
Raporti i OSBE paralajmëron se procesi zgjedhor është i minuar dhe se mungesa e dialogut për të zgjidhur krizën do të ketë pasoja.
Misioni i OSBE/ODIHR ka publikuar një raport paraprak për zgjedhjet e 18 qershorit në Shqipëri, ku ndër të tjera theksohet se do të mbërrijnë 30 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër në Shqipëri.
Mungesa e dialogut mes partive mund të minojë zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor, sipas OSBE, që vë në dukje se edhe fushata mund të ndikohet nga paratë e krimit.
“Bashkëbiseduesit e misioneve tona shprehin shqetësim në lidhje me një keqpërdorim të mundshëm të burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe ndikimin e saj nga para të paligjshme të grupeve kriminale”, theksohet në raport.
Po ashtu, për herë të parë, OSBE pranon se zgjedhjet e 18 qershorit mund të mos mbahen në këtë datë për shkak të situatës politike.
Prej muajit shkurt, Partia Demokratike ka bojkotuar Parlamentin dhe ka drejtuar protesta që kanë marrë mbështetjen e publikut, duke i kërkuar establishmentit një qeveri teknike që do të sigurojë kushtet e nevojshme për zgjedhje të ndershme. Qeveria nuk është përkulur ende përpara këtyre kërkesave dhe ka kritikuar opozitën se po bllokon reformat e nevojshme për vendin. Shumë negociatorë të misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR shprehën shqetësimin se situata e tanishme politike dhe mungesa e dialogut, mund të minojnë mbajtjen e procesit zgjedhor. Kuadri ligjor elektoral pati përmirësim të konsiderueshëm në vitin 2012, përpara zgjedhjeve të fundit parlamentare. Një proces i ri reforme elektorale nisi më 2015-ën; e pavarësisht kësaj konsensusi politik mes dy partive më të mëdha mungonte ndaj ndryshimet nuk u dakordësuan. Kështu që pjesa më e madhe e rekomandimeve më të fundit të OSBE/ODIHR mbeten të paadresuara.
Misioni i OSBE-ODIHR u ka kërkuar vendeve të ndryshme një angazhim të madh me vëzhgues ndërkombëtarë për procesin zgjedhor në vendin tonë, i cili sipas raportit paraprak të misionit po zhvillohet në kontekstin e një ndarjeje të thellë mes koalicionit qeverisës të udhëhequr nga PS dhe opozitës nga PD.
“Që nga shkurti i këtij viti PD ka bojkotuar Parlamentin dhe po drejton protesta publike duke kërkuar qeveri teknike për të krijuar kushte për zgjedhje të besueshme. Qeveria nuk ka i dhënë asnjë zgjidhje këtyre kërkesave dhe kritikon opozitën për bllokim të padrejtë të reformave të nevojshme. Ekspertët e OSBE kanë shprehur shqetësimin se situata aktuale politike dhe mungesa e dialogut mund të minojë zhvillimin e zgjedhjeve”, theksohet në raport.
Duke iu referuar regjistrit themeltar të shtetasve, të 5 marsit, bëhet e ditur se numri i përgjithshëm i votuesve është 3.455.775.
“KQZ ka regjistruar deri tani 30 parti pjesëmarrëse në zgjedhje, ndërsa 23 parti njoftuan KQZ se nuk regjistrohen. Afati ligjor për regjistrimin e koalicioneve është 19 prilli. OSBE konstaton se me gjithë pluralizmin e mediave 75 kanale televizive, 100 stacione radioje dhe 560 portale lajmesh mjedisi mediatik është politikisht i polarizuar”.
“Kodi zgjedhor, citohet në raportin e OSBE, parashikon mundësinë e teknologjive të tjera në votim siç është votimi dhe numërimi elektronik. PD e kërkon këtë, por shumica thotë që afati kohor për aplikimin dhe zbatimin e tyre është shumë i shkurtër. OSBE shprehet se është njohur dhe me shqetësimet lidhur me kapacitetet e kufizuara të KQZ për të verifikuar të dhënat e kandidatëve në kuadër të ligjit të dekriminalizimit”.
OSBE thotë se fushata për zgjedhje nis zyrtarisht më 19 maj dhe përfundon 24 orë para zgjedhjeve. Shqetësime u paraqitën dhe për shpenzimet për reklama në media.
“Korniza ligjore për zgjedhjet është përmirësuar ndjeshëm më 2012, përpara zgjedhjeve të mëparshme. Një proces i ri i reformës zgjedhore nisi në vitin 2015, por për shkak të mungesës së konsensusit politik, mes dy partive më të mëdha, pjesa më e madhe e rekomandimeve të OSBE/ODIHR nuk janë adresuar”, thuhet në raport.

OSBE/ODIHR: Të shqetësuar për zgjedhjet, nuk u përmbush asnjë rekomandim

OSBE/ODIHR është e shqetësuar për mundësinë e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe përdorimin e parave të krijuara në mënyra të paligjshme nga grupe të organizuara kriminale për të ndikuar në votim.
Situata aktuale politike dhe mungesa e dialogut mund të rrezikojnë organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
Shumica e rekomandimeve të OSBE/ODIHR nuk janë plotësuar pasi mungon konsensusi politik mes dy partive të mëdha.
Komisioni Qendror Zgjedhor është i zbuluar dhe i dobët përpara presionit politik.
KQZ gjithashtu, nuk ka burime të mjaftueshme njerëzore për të verifikuar rekordet kriminale të kandidatëve për deputetë, siç e parashikon ligji i njohur si Ligji i Dekriminalizimit.
Megjithëse ligji përcakton qartë kufijtë për dhurimet dhe shpenzimet gjatë fushatës elektorale, OSBE shpreh shqetësimin për transparencën financiare, veçanërisht për shpenzimet e reklamave në media.
Media vendase është e ndikuar politikisht. OSBE shpreh shqetësimin për varësinë e mediave nga kontratat e qeverisë për reklama, çka mund të ndikojë në autocensurë nga ana e mediave.
Deri më tani nuk ka shqetësime konkrete për sigurinë e gazetarëve, por pritet rritja e presionit politik me afrimin e datës së zgjedhjeve.
OSBE shprehet se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë gjatë fushatës zgjedhore disa aspekteve si: regjistrimin e kandidatëve dhe votuesve, tentativat për shitblerje të votës gjatë fushatës, presionin dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore, mbulimin e fushatës në media, zbatimin e rregullave për financimin dhe transparencën financiare.
Përveç një ekipi bërthamë ekspertësh të OSBE/ODIHR, OSBE do të kërkojë dhe 30 vëzhgues afatgjatë për të ndjekur procesin zgjedhor dhe 300 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar procesin e votimit në ditën e zgjedhjeve, procesin e numërimit të votave dhe daljes së rezultatit.

Presione ndaj votuesve dhe blerje e votave

“Zyrtarisht fushata nis 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Por ndërsa partitë politike nuk kanë shprehur shqetësim lidhur me mundësinë e një fushate të lirë, shumë paralajmërojnë presion të mundshëm ndaj votuesve, blerje të votës, keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe ndikim të parave të paligjshme nga grupet e organizuara kriminale”.
Shumë bashkëbisedues të OSBE/ODIHR kanë ngritur shqetësimin lidhur me presionin politik ndaj KQZ dhe tërheqjen e komisionerëve të KZAZ të opozitës nga përgatitja teknike e zgjedhjeve.
Në raport vihet re gjithashtu se zgjedhjet parlamentare mund të kontestohen nga kandidatët e nominuar nga partitë politike, koalicionet apo grupe votuesish.
“Bashkëbiseduesit nuk kanë ngritur shqetësim lidhur regjistrimin e kandidatëve, megjithëse janë vënë re disa shqetësime lidhur me kapacitetin e KQZ-së për të verifikuar rekordet kriminale të kandidatëve, në mënyrë të qëndrueshme siç e kërkon Ligji i Dekriminalizimit”, vijon raporti
Deri tani në KQZ, OSBE raporton se janë regjistruar 30 parti, ndërsa 23 parti të opozitës kanë njoftuar KQZ për qëllimin e tyre për t’u mos u regjistruar.
“Shumë prej bashkëbiseduesve kanë ngritur shqetësim lidhur me transparencën e financimit të fushatës, sidomos shpenzimet për reklama në media”.
“Të gjithë bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe nevojën për një mision në shkallë të gjerë të vëzhgimit të OSBE/ODIHR, duke nënvizuar mungesën e ndjekjes së rekomandimeve të OSBE-së dhe një vijim të polarizimit politik që mund të ndikojë në zgjedhje.
Një sërë çështjesh duhet të kenë vëmendjen e OSBE/ODIHR përfshi dhe regjistrimin e votuesve dhe të kandidatëve, zhvillimin e fushatës, mundësitë potenciale për blerjen e votës, presion dhe abuzim ndaj administratës, mbulimin e medias, implementimin e rregullave financiare të fushatës, procedurat në ditën e zgjedhjeve dhe zgjidhja e ankesave dhe apelimeve”, thuhet në raport.

Arben SHAHINI