Kush po e kryqëzon demokracinë?

Elena QIRICI

Demokracia është ai sistem qeverisës që buron nga populli, ushtrohet nga populli dhe i shërben interesave të popullit. Veçoria thelbësore e demokracisë është marrja e vendimeve mes proçesesh votimi, votime nga populli në demokraci direkte, por edhe votime të të zgjedhurve në demokraci përfaqësuese.
A është në dijeni të kësaj kryeministri dhe pasonjësit e verbër të tij?! Paralelisht me dyshimin, kemi për detyrë të shprehemi dhe t’i flasim kreut të qeverisë, deri në momentin e fundit, që do ta gjejë atë tek “vetvrasja” e tij politike, apo tek dorëheqja. Dhe sigurisht që dorëheqja do të ishte një koshiencë e vonuar për dështimin total dhe për futjen e vendit në krizë të thellë politike, ekonomike, sociale, por edhe në cënimin e imazhit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. Mos harrojmë se vendi ynë etiketohet sot si vendi i ‘kanabisit’ dhe ‘eksodit’ të pjesës më vitale të shoqërisë shqiptare, që largohen si emigrantë ekonomikë, apo azilantë.
Jemi kthyer 27 vite prapa në kohë dhe diskutojmë sërish për demokracinë.
Demokracia është pushteti që buron nga populli. Kjo do të thotë, dhe nëse marrim parasysh se funksionimi i sistemit përfshin mes të tjerash edhe ekzistencën e një qeverie, se që të jetë qeveria demokratike do të duhet të jetë popullore, e mirënjohur, ose të paktën të ketë pëlqimin dhe të jetë e pranueshme nga qytetarët e një vendi. Ose e thënë ndryshe, legjitimiteti i saj buron nga populli.
I kujtoj kreut të qeverisë se ata që përkrahin kauzën e opozitës janë pjesë e popullit, nga populli.
Demokracia është pushteti që ushtrohet nga populli. Kjo do të thotë se, një sistem që të jetë demokratik do të duhet që me disa forma të sigurojë dhe garantojë pjesëmarrjen e qytetarëve në proçeset demokratike, në funksionet ndërqeverisëse, si dhe në proçeset vendimmarrëse.
I kujtoj kreut të qeverisë termin ‘referendum’, që i dorëzon popullit vendimmarrjen edhe kur ekziston mundësia që, ligjërisht, një çështjeje të caktuar, të mund t’i japin zgjidhje organet ekzistuese brenda sistemit qeverisës.
Demokracia është pushteti që i shërben interesave të popullit. Kjo do të thotë se organet apo strukturat e sistemit qeverisës, që janë institucione të pushtetit (qeveria, parlamenti etj.), duhet t’i shërbejnë interesave të shoqërisë në totalin e saj, dhe jo pjesërisht asaj, duke kërkuar dhe synuar konsensusin më të madh të mundshëm në popull. Që do të thotë se paralel me parimin e mazhorancës duhet të ekzistojnë mekanizma që përkrahin dhe mbështesin interesat e minorancës.
Por në vendin tonë, qeverisja është pothuajse e përpirë në vorbullën e interesave të saj të ngushtë, pa u menduar se po kthehet në fatalitet për demokracinë. Si? – do të pyeste i habitur çdokush.
‘Imperium in imperio’ apo ‘status in statu’, shteti mbi shtet, është një seri mekanizmash të fshehtë dhe të jashtëligjshëm, që qëndrojnë përbri pushtetit politik, apo përbri një pjese të tij, duke vepruar në bazë të urdhërave të tij, apo edhe si i pavarur, duke manipuluar jetën politike në vend.
Të tilla grupime, që krijohen dhe veprojnë si ‘status in statu’, zakonisht operojnë dhe aktivizohen me mbështetjen e policisë, ushtrisë, apo edhe shërbimeve inteligjente. Dhe në nocionin e ngushtë të tij, ‘shteti mbi shtet’ është një prej formave më të këqija të krimit të organizuar.
Kush po e kryqëzon demokracinë?