Gjermania porosi Prishtinës: Ratifikim për demarkacionin

epa05905843 German Foreign Minister Sigmar Gabriel (L) and the Prime Minister of the Republic of Kosovo Isa Mustafa (R) speak to members of the media during a news conference following their meeting in Pristina, Kosovo, 13 April 2017. German Foreign Minister Sigmar Gabriel is on one day visit to Pristina. EPA/PETRIT PRENAJ

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë “marrëveshjen për demarkacion të kufirit me Malin e Zi”.
Gabriel tha të enjten se Kosova ka arritur përparime në fusha të ndryshme dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj, i duhet “ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi”, si një kusht që BE-ja e ka vendosur para Kosovës.
“Porosia ime për ju dhe deputetët e Kuvendit është që të mirëmbahet marrëdhënia me Malin e Zi, e cila nuk është problematike. I bëj thirrje Kuvendit të Kosovës ta ratifikojë demarkacionin, me qëllim që ta marrë këtë porosi për partnerët tanë në BE, për të gjetur zgjidhje pragmatike”, tha Gabriel.
Ministri i Jashtëm gjerman tha në Prishtinë se, “frika nga rilindja e konflikteve të vjetra në Ballkanin Perëndimor është ende e pranishme”, por vlerësoi se evitimi i konflikteve “varet nga hapat që do të ndërmarrin të gjithë, në veçanti shoqëritë në rajonin e Ballkanit”.
Ministri Gabriel nga mesi i javës nisi vizitën e tij në Serbi dhe në Kosovë në kohën e tensioneve të rritura në Ballkanin Perëndimor dhe pas pezullimit të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të nisur prej më shumë se 5 vjetësh.
Shefi i diplomacisë gjermane bëri thirrje për vazhdimin e dialogut “në nivel të lartë politik” duke e cilësuar si të domosdoshëm për përparimin e të dyja vendeve.
“Të dyja palët e kuptojnë se nuk ka alternativë tjetër përveç komunikimit ndërmjet vete”, tha Gabriel.
Ai tha se, “është i nevojshëm një raport paqësor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të ndihmojë stabilitetin rajonal” dhe njëkohësisht theksoi se të dyja palët duhet të “evitojnë provokimet”.
“Një marrëdhënie e qetë dhe e pranueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parakusht për anëtarësimin e tyre në BE. Kjo rrugë kërkon përpjekje të mëdha dhe njëkohësisht edhe angazhimin e BE-së për të përcjellë procesin”, tha Gabriel.
Ministri i Jashtëm gjerman tha se vendi i tij “mban hapur derën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën”, por bëri të ditur se procesi i anëtarësimit “nuk është i lehtë dhe kërkon përmbushjen e kushteve, për të cilat duhet edhe përkrahje nga vendet e BE-së”.
Duke vlerësuar përparimin në Kosovë, posaçërisht në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gabriel bëri thirrje për përparim në përmbushjen e reformave në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe lirinë e mediave që do të ndikojë, tha ai, edhe në krijimin e një klime të mirë për investitorët e huaj.
Gabriel foli edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, duke thënë se, “Kosova ka të drejtë për të pasur një ushtri sovrane, ashtu siç e kanë edhe të gjitha shtetet e tjera, por kjo duhet të bëhet me një gjithëpërfshirje të të gjithëve në shoqëri dhe duhet të ndihmojnë edhe shtetet fqinje dhe BE-ja.
Ministri i Jashtëm gjerman u takua në Prishtinë me kryeministrin Mustafa dhe me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në konferencën e përbashkët me ministrin gjerman Gabriel se, Kosova do të ketë Forcat e saj të Armatosura, por “procesi duhet të kryhet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.
Mustafa tha se ka folur me ministrin gjerman edhe në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Ai tha se dialogu është e vetmja alternativë dhe ai do të “vazhdojë dhe do të përmbyllet ky proces i normalizimit”.
“Dialogu ka dhënë rezultate pozitive dhe ka shtensionuar raportet me Serbinë. Jemi të interesuar që të punohet në zhbërjen e të gjitha strukturave paralele serbe që ende funksionojnë në Kosovë. Ta bëjmë një axhendë më të ngjeshur të çështjeve dhe të përmbyllim procesin deri në njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Mustafa.
Mustafa tha se së shpejti do të nisin procedurat për themelimin e asociacionit të komunave serbe, pas “rikthimit në institucione të përfaqësuesve serbë”, në përputhje me kornizën ligjore të vendit.
Kryeministri Mustafa ka bërë thirrje për investime më të mëdha gjermane dhe posaçërisht, siç tha, “investime të drejtpërdrejta”.