Çadra e të vërtetave

Florion MIMA

Vlera vjetore e kanabisit të prodhuara në Shqipëri është 5 miliardë euro, sipas një hulumtimi të bërë nga BBC. Prodhimi i përgjithshëm i vendit në një vit është 10 miliardë euro. EUROPOL-i shkon edhe më tej.
Vlera totale e kanabisit të konsumuar në një vit në Europë, është 23 miliardë euro, dhe 90% e kësaj shifre, furnizohet nga mafia shqiptare. Dyfishi i prodhimit të vendit, të asaj që ne prodhojmë, konsumojmë, investojmë në një vit. Dyfishi. Gjykoni vetë të dashur qytetarë.
Çadra e lirisë ka edhe një mision tjetër.
Është çadra e të vërtetave. Në këtë çadër, ne duhet të çmontojmë, të gjitha të pavërtetat dhe gjysmë të vërtetat e Edi Ramës.
A e mbani mend akuzën që i bënte qeverisë së z. Berisha për borxhin. Gropa e borxhit që do të përpinte Shqipërinë, gropa e zezë. Sa ishte gjithsej? 170 milionë euro, e çertifikuar nga një kompani ndërkombëtare, që nuk ishin borxhe, por ishin fatura të vonuara në kohë. Ishin 170 milionë.
Për të shlyer këtë, u mor borxh 1.7 miliardë euro dhe u shlyen borxhet. A e dini sa është borxhi sot? Vetëm në vitin 2016 nga zero, shkoi në 232 milionë euro. 232 milionë euro!
Para dy ditësh e dëgjuam kryeministrin e vendit që tha diçka të tillë: Nëse heqim Rrugën e “Kombit”, sasia e kilometrave që ne kemi ndërtuar është më e madhe se sa kilometrat që ka ndërtuar qeveria e mëparshme.
E besoni?
Takoj një kolegun tim socialist dhe i them: Ore, jeni në vete, keni lajthitur? Nuk keni një centimetër rrugë. Jo tha, ju i matni rrugët me shtratin, me shtresën që hidhet sipër, por që rruga të quhet e përfunduar duhet vizuar, do shenja. Të gjitha ato që ju shtruat, ne i kemi vizuar. Deri këtu arrijnë.
Energjia elektrike është fusha që ai parapëlqen ta quajë si fushën ku revolucioni i tij dha suksesin më të madh.
Ti shohim shifrat.
Viti 2016 është pak a shumë kështu; Prodhimi nga korporata shtetërore është 5 miliardë Kw, prodhimi nga HEC-et e vegjël është 2.2 miliardë Kw. Pra 7.2 miliardë Kw prodhon Shqipëria, për herë të parë në historinë e saj ka konsumuar 6.6 miliardë. Ka nxjerrë 600 milionë euro eksport, në saj të vizionit të qeverisë së mëparshme, padyshim.
Po borxhet në energjetikë? Të gjithë mendojnë se borxhet duhet të jenë ulur me masën shtrënguese, me policinë, me arrestime, me siguri që borxhet duhet të jenë ulur. Po shifrat thonë jo. Kur ne ikëm nga pushteti, borxhi total që qytetarët i kishin korporatës, ishte 59 miliardë lekë, nuk ka shkuar 55, nuk ka shkuar 40, është saktësisht 73 miliardë lekë sot. Pra e gjitha një gënjeshtër.
Po pensionet?
Reforma e dytë më e madhe. Po e bëjmë këtë reformë tha që të ulim peshën e subvencionit, pra shteti të kontribuojë më pak në skemë.
Në atë kohë, buxheti qendror jepte 39 miliardë lekë për pensionet, a e dini sa është sot? 50 miliardë lekë. Edhe kjo, një gënjeshtër tjetër e madhe.
Të vazhdojmë me investimet e huaja.
U mburr para dy netësh në një emision dhe tha: 940 milionë euro për vitin 2016 janë investuar nga kompanitë e huaja në Shqipëri. Dhe këtu e ndërpreu fjalinë. Çfarë duhet të thoshte? Duhet të thoshte pjesën tjetër që, 940 milionë euro vijnë vetëm nga dy investime të projektuara, të ideuara dhe të nisura që në kohën e doktor Berishës.
Mund të vazhdojmë pafundësisht me krahasime të tilla, por unë ftoj gjithsecilin prej jush, të vazhdojë të qëndrojë dhe të besojë fort tek kjo çadër. Tek çadra e lirisë. Liria është fjala kyçe për të cilën z.Basha duhet ta vazhdojë betejën e tij deri në fund.