Berisha apel Brukselit: Shkarkoni njerëzit e korruptuar nga Komisioni

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër dje ndaj presioneve të drejtorit të Divizionit për Ballkanin Perëndimor në KE, Eduard Auer, i cili në një vizitë të posaçme në Tiranë u propozoi aleatëve të koalicionit opozitar të hynin në zgjedhje dhe të rrëmbenin mandatet e Partisë Demokratike. Berisha hodhi dyshime për lidhje të forta të Auer me narkotrafikun në Shqipëri apo interesa të tjera klienteliste që kanë të bëjnë me shifra marramendëse parash. Ish-Kryeministri i bëri thirrje Komisionit Europian të marrë në konsideratë këtë rast skandaloz duke e shkarkuar atë për korrupsion. Duke e cilësuar si të turpshëm aktin e Auerit, Berisha u shpreh i sigurtë se akti i tij nuk ka qenë absolutisht një porosi e Komisionit Europian, por ka qenë një shërbim i tij personal, i paguar nga Rama. “Ka presione, shantazhe të ndryshme, por prapë e vërteta na detyron, misioni ynë na detyron të qëndrojmë të palëkundur. Këtu para 5-6 ditësh erdhi një misionar, një i dërguar, erdhi dhe mblodhi partitë e tjera të opozitës. Ta kish dërguar kominterni i Josif Stalinit ndryshe nuk mund t’u fliste. Çfarë u tha drejtori që erdhi nga Brukseli kryetarëve të partive opozitare? U tha – tani lëreni PD, ta kalbin PD dhe Lul Bashën në çadër dhe futuni merrni ato mandate se u erdhi radha. Erdhi me misionin të shkatërrojë opozitën, erdhi pra me misionin të ndërtojë opozitën e emëruar sipas Ramës. Dy gjëra do i them atij: sigurisht ti nuk erdhe nga kominterni, se kominterni ka dekada që ka përfunduar në koshin e plehrave të historisë, i sigurt jam se nuk more porosi nga Komisioni i BE, sepse ky është institucion që ndërtohet mbi vlera dhe ligje demokratike, por ti erdhe këtu ose si anëtar i klubit 4700 euro m2 ose erdhe si anëtar i klubit të kanabisit të Edi Ramës. Për misionin tënd të turpshëm je treguar shumë i pamend, sepse ata burra që takove aty atë ditë, përfaqësues të partive aleate, i kanë këtu anëtarët prej 56 ditësh. Dhe dëgjo tani, se dhe emrin nuk ta di, por do ta them një fjalë. Nëse ata s’do të kishin ardhur në këtë çadër me vullnetin e tyre të lirë, me karakterin e tyre të lirë, me besimin e tyre tek vota, Edi Rama do t’u kishte bërë atyre çdo shpërblim, nëse ata s’do të ishin në çadër, Edi Rama do të ishte i gatshëm, nëse pranonin, t’u falte secilit nga një magazinë si ajo e Përmetit me 50 milionë euro, narko-euro. E di ç’na kujtove ti? Na kujtove kohërat e Perandorisë Osmane kur sulltani, para se të dërgonte ushtrinë, dërgonte qeset me para se cilin mund të blinte dhe të shiste, ndërsa ti erdhe këtu të blesh mandate për llogari të Ramës. Turpi të mbuloftë për këtë. Thirrja ime për Komisionin Europian, largojeni nga Komisioni këtë njeri, largoni njerëzit e korruptuar nga Komisioni. Nuk ka imunitet askush nga korrupsioni, por ky është një akt i shëmtuar, i turpshëm që nuk i bën nder as Komisionit e as vendit nga i cili ka ardhur, s’i bën nder asnjeriu. Ky është peng dhe skllav i klubit 4700 euro m2 ose i klubit kanabist të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Studentët paguan 1.1 miliardë lekë për të hyrë në universitet

Zhvatja e studentëve përmes ligjit klientelist të arsimit ishte një tjetër denoncim që ish-Kryeministri Sali Berisha ndau me të rinjtë dje në sheshin e lirisë. Duke dënuar efektet negative të këtij ligji në kurriz të studentëve dhe prindërve, Berisha bëri të ditur se përmes këtij ligji studentët kanë paguar rreth 1.1 miliardë lekë për të hyrë në universitet duke paguar tre herë më shumë krahasuar me periudhën para se ligji të hynte në fuqi. “Nëse në histori ju keni patur një armik të vërtetë të së ardhmes tuaj, një armik të egër keni Edi Ramën. E them këtë sepse secili prej jush që mbaron gjimnazin së bashku me familjen tuaj një ëndërr keni, ëndrrën universitare, pra të mbaroni universitetin dhe të bëheni intelektualë dhe me shkollë. Nuk ka ëndërr më fisnike se kjo, pas kësaj vjen ëndrra e punësimit. Çfarë bëri zotëria? Vetëm më 2016 sipas statistikës së Ministrisë së Financave, studentët që hynë në universitete paguan, nga 313 mln lekë që kishin paguar para hyrjes në fuqi të ligjit të antireformës, paguan 1 miliard e 100 mln lekë, pra paguan tre herë më shumë se sa vitin para hyrjes në fuqi të ligjit. Vitin që vjen, sipas parashikimit të po Ministrisë së Financave ju të rinjtë do të paguani jo 8 po 10 mln lekë së bashku. Kjo do të thotë që çdo prind, çdo familje paguan sot tarifa për të shkolluar një fëmijë të vetin më shumë se sa paguante katër vite më parë për të shkolluar të katër fëmijët e vet. Ndaj dhe edhe një herë, u bëj thirrje shqiptarëve të frymëzuar nga çadra e lirisë, far i dritës, guximit, vendosmërinë së qytetarëve shqiptarë, të përgatitemi që kjo betejë të njohë nivele të tjera, të cilat të shporrin, të qërrojnë nga faqja e dheut Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale, qeverinë e tij”, u shpreh Berisha.

Vjedhjet, fondet për bujqësinë 100% të bllokuara

Në katër vite, Rama jo vetëm që mashtroi se do të pesëfishonte fondet për bujqësinë, por i vodhi edhe ato pak fonde që u deleguan. Berisha reagoi ashpër dje edhe ndaj mashtrimeve të fermerëve si dhe krahasimin që Rama u bën gazetarëve duke i cilësuar ata si “klubi i katunarëve”. “Tani ky zotëri i sfazuar nga çdo gjë u thotë në studio gazetarëve ‘jeni të katundit mediatik ju’. Dua t’i them një gjë: ti ke të drejtë se, kur në çdo fshat nuk të vënë hurin ty, nuk të vënë kufirin tek thana dhe të pranojnë që ti të shkosh, se ti fjalën katund e përdor për të përçmuar ata banorë, ata njerëz të tokës, të cilët djersijnë nga mëngjesi deri në darkë për t’u siguruar fëmijëve të tyre kafshatën e gojës. Të cilët djersijnë nga mëngjesi në darkë për të mundur të blejnë ilaçet për fëmijët e tyre, të cilët qëndrojnë në Shqipëri me besimin se dheu i tyre do të bëhet, ndërsa ti bën çdo gjë që ta zhbësh atë. Ata ti i mashtrove në mënyrën më të neveritshme. Katër vjet më parë u the se do të pesëfishoje fondet për bujqësinë, ndërkohë që i ke bllokuar 100% fondet për bujqësinë. Duke i marrë si katundarë dhe gjysmë budallenj në konceprin tënd idiotesk, shkon në Lushnjë dhe paraqet një kanal të pastruar 300-400 m dhe u thua se kemi pastruar 400 km kanale si ky. A thua se ata hanë bar dhe s’dinë ku jetojnë. U premtove se naftën do ta kishin pa akcizë, se do ta merrnin 300-500 lekë më lirë, sot ata jo vetëm që e marrin me akcizë, por e marrin shumë më shtrenjtë se sa fermeri gjerman, italian apo fermeri europian. U premtove se do të investoje 160 mln dollarë në vaditje dhe do ja u sillje vaditjen tek parcela, ndërkohë që ke investuar gjithsej 7-8 milionë dhe 3/4 e tyre i ke vjedhur dhe futur në xhep. Ndaj dhe u thua katundarë dhe gazetarëve u thua se janë klubi i katundarëve. Katundarët janë njerëz të ndershëm, njerëz të cilët qëndrojnë në të vërtetat dhe sakrificën e tyre dhe të jesh i sigurt se ata s’do të mashtrohen më kurrë nga një batakçi, nga një nastradin si puna jote. Është i tmerruar nga rinia. Kudo që shkon përpiqet që të bëjë nga një takim me ta, merr me detyrim gjimnazistët siç bëri në Apolloni ku mori gjithë gjimnazistët dhe punonjësit e Lushnjës me detyrim. Shkoi në Shkodër, edhe aty mori gjimnazistët e Kuçovës me makina në Shkodër. Sot tek studentët të shohim se kë do të marrë”, theksoi Berisha.

Arben Shahini