1.5 milionë euro vjedhje, Tahiri e 7 zyrtarë të Policisë në hetim

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe 7 zyrtarë të Policisë së Shtetit janë dërguar për ndjekje penale nga KLSH për vjedhje të 1.5 milionë eurove me tenderat. Kallëzimi është dorëzuar gjatë ditëve të para të këtij viti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për akuzën e “shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim.
Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar në radhët e Policisë së Shtetit shkelje të mëdha në përdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit dhe të mënyrës se si janë zhvilluar tenderat gjatë periudhës janar 2014 deri në gusht të 2016-ës. KLSH ka gjetur se në plot 43 prokurime publike, firmosja e kontratës është bërë duke shmangur tenderin. Televizioni “Klan” ka arritur të sigurojë një pjesë të mirë të dokumentave të auditit, ku rezulton se në 3 kontrata të firmosura drejtpërdrejt me kompanitë, Policia ka shkelur ligjin e prokurimeve publike dhe ka shkaktuar një dëm ekonomik 1.5 milionë euro.
Vetëm në tenderin për blerjen e sistemit të kamerave të trupit për patrullat e policisë, KLSH ka evidentuar se çmimi që ato janë blerë ka qenë 7 herë më i lartë se çmimet ndërkombëtare, duke rritur faturën me 1.4 milionë euro. Në kallëzimin e KLSH-së thuhet se inspektorët kanë konstatuar mangësi në procedurat e tenderimit, në skualifikimin e kompanive të tjera konkuruese, duke shpallur fitues një kompani e cila ka modifikuar me pjesë të ndryshme kamerat e turpit. Veç kësaj, inspektorët thonë në kallëzim, se kamerat e modifikuara nuk arrijnë të transmetojnë on-line, në kohë reale, regjistrimet e tyre, nga trupat e policëve mbajtës të tyre apo edhe ato pak makina ku janë instaluar.
“Në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” me vlerë rreth 541 milionë lekë të reja, u konstatua se procedura ishte klasifikuar “sekret” në nivel sigurie “I kufizuar”, në kundërshtim me kërkesat e Urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme”, thuhet në raportin e KLSH.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar pranë Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për konsumimin e veprës “shkelje e barazisë të pjesëmarrjes e tendera” për 7 zyrtarë të Policisë së Shtetit.
“Pasi përfundimet e raportit të auditimit u shqyrtuan nga Drejtoria Juridike e KLSH, u përcoll kallëzim penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm në datë 10.01.2017”, thuhet në raport.
Kontrolli i KLSH ka gjetur parregullsi të theksuara edhe në mënyrën e përdorimit të fondeve për zërin e shpenzimeve për investime. Në 2014-ën janë shpenzuar 88% më shumë se planifikimi, ndërsa në vitin 2015-të shpenzimet janë rritur me 143%.
“Gjatë auditimit të zbatimit të buxhetit dhe ndryshimeve gjatë vitit për shpenzimet e investimeve, rezultoi se këto shpenzime janë rritur në vlera të konsiderueshme, duke vënë në diskutim hartimin e Projekt/buxheteve Afatmesme të miratuara për këtë institucion”, thuhet në raportin e KLSH.
Pavarësisht debateve që përfshinë Ministrinë e Financave përpara dy viteve për përdorimin e letër kredive, KLSH ka evidentuar se Policia e Shtetit ka vijuar të njëjtën praktikë në vitin 2015-të dhe 2016-të në 5 raste, ku fondet i janë dhënë kompanive private, pa përfunduar punimet.
Në dosjen për të cilën Prokuroria ka nisur kryerjen e veprimeve të para hetimore, thuhet se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe Referencës nuk kanë respektuar ligjin si në hapjen e procedurave të tenderimit, kriteret e vlerësimit dhe më pas shpalljen e fituesit. Pas mbledhjes së materialeve, burimet thonë se do të nisë marrja në pyetje e anëtarëve të komisionit të tenderave.

R.POLISI