Të ardhurat nga Arsimi i Lartë, në shifrën rekord të 8 milionë eurove!

Jorida TABAKU

“Kur të ardhurat nga çdo lloj takse e tarife janë në rënie, kur të ardhurat nga tatimet mbi të ardhurat personale vetëm dy muajt e fundit ranë me 6%, shteti i merr 8 milionë euro studentëve që studiojnë në universitetet publike”. Reforma në Arsimin e Lartë ka qenë një përpjekje sa totalitare aq dhe klienteliste për të minuar jo vetëm demokracinë e brendshme universitare, por mbi të gjitha një përpjekje për të zhbërë mundësinë e arsimimit tek të gjithë qytetarët. Që në fund të ditës, një grup i vogël individësh të kenë të drejtë për t’u kthyer në noter të diplomës, në kundërshtim me çdo ligj natyror dhe moral! Ligji i Arsimit të lartë, miratuar nga votat e mazhorancës së 1 prillit 2013, qe shpata e Demokleut që tanimë godet pa mëshirë sa institucionet publike universitare po ashtu edhe të rinjtë vendit. E ndërtuar për interesat personale të një klientele universitare që sot është vendosur në shërbim të ethshëm të një pushteti që duket se do të marrë atributet e Zotit, ky ligj ka shkatërruar sistematikisht ëndrrat e të rinjve dhe xhepat e tyre. Tanimë të studiosh është luks. Përpara disa muajsh, në Kuvend paraqita një tabelë ku pasqyroheshin vlera dhe shifra në rritje të tarifave studentore dhe me këmbëngulje kërkova përgjigjen e ministres, e cila nuk erdhi kurrë. Megjithëse, tabela dëshmonte qartë se tarifat për studentët ishin rritur në të gjithë universitetet publike të vendit, ndërkohë që kryeministri dhe gjithë mazhoranca vazhdonte të mbronte (kush me fjalime e dikush tjetër me heshtjen bashkëfajtore) këtë krim që i kryhej xhepave të varfër të shqiptarëve. Për të ardhur sot në një vlerë tarifore që është rritur në kurriz të studentëve. Që studentët që janë regjistuar apo studiojnë në universitetet publike kanë paguar një tarifë më të lartë se sa vite më parë, kjo vërtetohet nga shifrat që janë në të ardhurat financiare në Ministrinë e Financave. Sipas tyre, të ardhurat nga ky zë janë rritur me 246% duke tejkaluar me 5.8 milionë euro të ardhurat nga viti 2015. Duke arritur në vlerën rekord të 8 milionë euro. Dikush mund të argumentojë që kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së studentëve që janë regjistruar në universitetet publike gjatë vitit 2016, fakt ky që nuk është i vërtetë kur të gjithë jemi në dijeni të problemeve me regjistrimin në këto universitete gjatë vitit të shkuar. Në universitetet publike janë regjistruar më pak studentë në raport me vitet e tjera, duke qenë se formula e ligjit për arsimin e lartë favorizonte haptazi universitetet private dhe mbi të gjitha urdhri i lëshuar nga Ministria e Arsimit pak ditë para regjistrimit, shoqëruar me rrëmujën sollën si pasojë kalimin e studentëve nga universitetet publike tek ato private. Rritja e tarifave për universitetet publike ka qenë një nga argumentet kryesore që kemi ngritur si problem të ligjit të Arsimit të Lartë, përgjigje për këtë pikë nuk kemi marrë asnjëherë nga mazhoranca dhe qeveria. Në dhjetorin e vitit të kaluar, pasi e ngrita këtë çështje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave përballë ministres Nikolla nuk munda të marr asnjë përgjigje përpos retorikës politike. Gjysma e mazhorancës vazhdon të gënjejë apo heshtë sa i takon katrahurës me Arsimin e Lartë, pjesa tjetër pretendon se ka qenë kundër këtij ligji, por asnjëherë nuk ka ndërmarrë një hap për ta rrëzuar atë. Abraham Lincoln shprehej se, “qeveria mund t’ua hedhë disa qytetarëve përherë sikundër dhe mund t’i gënjejë të gjithë njerëzit për njëfarë kohe. Por askush nuk mund t’i gënjejë të gjithë njerëzit përherë”. Sado që kjo mazhorancë ka gënjyer përgjatë mandatit të saj një grup qytetarësh, ndonëse ka gënjyer akoma më shumë shqiptarë në premtimet elektorale të vitit 2013, gënjeshtra e saj është aq e dukshme saqë tanimë askush përpos shërbëtorëve të saj nuk i beson më! Studentët sot fatkeqësisht janë duke u larguar. 300 000 shqiptarë kanë ikur nga vendi e mbi 60% e tyre janë të rinj. Çdo qeveri normale do ta pyeste veten pse. Çdo qeveri normale do të shikonte çfarë nuk shkon me arsimin, me punësimin apo me sigurinë e jetës së të rinjve e të rejave. Vetëm kjo qeveri mendon si e si të kapë çdo pushtet, qoftë dhe me kosto të largimit të përhershëm të të rinjve e të rejave.