Kamëz, vijojnë punimet në rrugën “Demokracia” dhe rikualifikimi urban Babrru-Qendër

Kryebashkiaku Xhelal Mziu inspekton punimet që po kryhen. Indiferentizmit të qeverisë Bashkia Kamëz i është përgjigjur me punë dhe investime për qytetarët

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu inspektoi punimet që po kryhen për rikualifikimin urban të bllokut Babrru-Qendër. Rikualifikimi urban i bllokut të ndërtimeve në Babrru-Qendër është ndër investimet e shumta të Bashkisë Kamëz që po realizohen në Njësinë Administrative të Paskuqanit. Në dallim nga qeveria, e cila për katër vjet radhazi ka diskriminuar Kamzën dhe Paskuqanin, duke mos akorduar asnjë fond për dhjetëra projekte emergjente, për të cilat qyteti ka nevojë, Bashkia Kamëz, duke u mbështetur në të ardhurat e veta, po investon në projekte madhore, siç është rruga 7 km “Demokracia” në Paskuqan, rikualifikimi urban i bllokut të ndërtimeve në Babrru-Qendër, si dhe shumë projekte të tjera rrugësh dhe kanalizimesh.
Për sa i përket bllokut të ndërtimeve në Babrru-Qendër, rikualifikimi i tij është një projekt i cili do të ketë ndikim të gjerë social në komunitetin e banorëve të zonës. Indiferentizmit dhe absurditetit të mosfinancimit të projekteve nga qeveria, Bashkia Kamëz i është përgjigjur me punë dhe shfrytëzimin e çdo burimi për të vijuar me shërbime dhe investime për qytetarët. Punimet në rrugën Demokracia vazhdojnë me ritme të larta sipas projektit të parashikuar. Edhe në Qendër Babrru po punohet me ritme të kënaqshme.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ishte i pranishëm gjatë aksionit të lirimit të hapësirave për ndërtimin e rrugës “Bule Naipi” në lagjen Paskuqan 2. Kështu, kjo lagje do të jetë përfituese e një tjetër investimi të Bashkisë Kamëz, ndërtimi i rrugës “Bule Naipi”. Ajo shërben si arterie lidhëse e mijëra banorëve me rrugën kryesore “Demokracia”.